You are currently viewing Çfarë më bën të ndihem më mirë

Çfarë më bën të ndihem më mirë

Nuk është aspak e lehtë të kalosh furtuna të jetës, qofshin këto të brendshme, nga shkaqe të jashtme e disa herë të përbashkëta. Nuk jemi të gjithë njësoj, dhe gjejmë valvula të ndryshme shkarkimi për të mbijetuar. Ndër vite kam përvetësuar disa zakone të këqija, të cilat nuk do ti ndaj me ju. Nuk e mbaj veten për shembull për t’u ndjekur. Secili ka furtunat e veta dhe varkën e vetë mëson ta lundrojë vetëm, por dua të ndaj me ju çfarë më bën të ndihem më mirë.

photo of person holding cup
Photo by Alina Vilchenko on Pexels.com

Çfarë më bën të ndihem më mirë: Skruaj ditar

Mbajtja e ditarit, më ka ndihmuar për herë të gjej pak kohë për veten. Nuk shkruaj çdo ditë, as në mënyrë metodike, shkruaj kur ma jep truri. Shkruaj çfarë më vjen në mendje, pa e e kritikuar veten, duke ditur se asnjë nuk do ta lexojë, aty mund të hedh çdo mendim madje edhe të keq, të bezdisshëm. Në ato faqe pa censurë dhe gjykim, mund të pranoj ndjesitë e mia, ti lë hapësirë vetes të ndjej çdo gjë. Disa nga ato pjesë i ndaj nganjëherë me ju. Ditari më ndihmon të shoh rritjen time intelektuale dhe të zemrës, të shoh përmirësimet dhe përkeqësimet e mia. Të shoh rezultatet që kam arritur. Të zbuloj se sa shumë shqetësime tani nuk kanë më asnjë rëndësi. Më bëjnë të qesh dhe më bëjnë të qaj. Ditari nuk pretendon të jetë shkruar bukur, as në mënyrë poetike… Nuk ka asnjë lloj rregulli. Por nëse ndihesh vetëm, nëse ndihesh nën trysni, mund të jetë një mik besnik që të sugjeron përgjigjet e ndërdijes.

letters and bouquet of flowers
Photo by Nur Yilmaz on Pexels.com

Çfarë më bën të ndihem më mirë? Shkruaj letra

Për shumë vite sistematikisht shkruaja një letër apo një kartolinë çdo javë. Madje bëja një listë të njerëzve që doja të falënderoja, uroja apo shprehja dashuri. Më jepte shumë kënaqësi. Ulesha diku me një kafe për para, dhe mendoja rreth personit e i shkruaja ndjenjat e mia. Ishte një mënyrë për të dhënë, për të bërë të lumtur dikë… Ju siguroj se bën mirë shumë dhe për vete. Të gjesh kohë të mendosh për mirë rreth njerëzve ndikon shumë dhe ta ngroh zemrën në këtë akullnajë që kemi rotull. Do më kishte pëlqyer të kisha marr aq letra apo mesazhe sa kam shkruar, por duhet pranuar se jo të gjithë dinë dhe duan të shprehin veten. Gjithsesi, unë të mirën që kam mbjellë besoj se në ndonjë mënyrë a tjetër e kam korrur. Tani ka vite, blogoj dhe në Instagram, por letra mbetet për mua një moment intim dhe personal të pazëvendësueshëm. Të shkruarit letra është thjeshtë diçka e bukur që “mirëmban” shpirtin e marrësit dhe të dëguesit.

Studjoj

Të mësosh është një mënyrë jetese. E cila të mban të gjallë dhe të bën të ngresh vazhdimisht nivelin e jetës. Kjo mund të përfshijë shkollim, kurse apo një studim krejtësisht individual. Kur gjithçka shkon mbrapsht, kur njerëzit më lëndojnë, kur as veten nuk e duroj, marr një argument, zakonisht ka të bëjë me artin në rastin tim dhe filloj studioj. Njerëzit mendojnë se studimi ka një afat kohor dhe duhet mbaruar në një fazë të jetës, unë e mendoj pak ndryshe. Besoj se duhet të vazhdojmë të mësojmë, në një mënyrë a tjetër. Më bën mirë të mendoj se jashtë kokës sime ka aq shumë për të zbuluar e shijuar!

Hiçi

Këtë zakon e kam pasur në vogëli, dhe me kalimin e kohës e kam humbur. Duke u fiksuar pas efektshmërisë, prodhimtarisë, dëshirë për të bërë sa më shumë gjëra… e lashë mënjane duke gabuar rëndë. Së fundmi po e rigjej veten në këtë zakon dhe sa mirë është! Të ulesh diku, buzë liqenit, në një lulishte, në një cep të ballkonit thjesht duke marr frymë, pa menduar gjë, përtëritëse. Mua më jep shumë forcë dhe energji, madje më zgjon dhe krijimtarinë. Italia ka një koncept, të cilin e kam në gjak jua siguroj, quhet “Il dolce far niente” trashë-trashë kënaqësia e të mos bërit asgjë. Nuk ka të bëj me përtacinë, por me shijimin e jetës, të çasteve të jetës kaq të çmuara. Një kafe në ballkon, një xhiro pa qëllim, qëndrimi deri vonë në shtrat të dielave, të fiksosh horizontin pa kërkuar asgjë. Il dolce far niente është një shpërblim falas që të gjithë meritojmë. Mos t’ju duket humbje kohe të rrini kot nganjëherë…ajo kohë është jetë që duhet jetuar! Hiçi mund të prodhojë mendime, ide… dhe hiç e prapë mirë është!

Lexo edhe Pas stuhisë

Nëse të pëlqen përmbajtja në këtë blog ndaje me të tjerët!

Banner

Leave a Reply