You are currently viewing Nisja drejt shkrimit artistik

Nisja drejt shkrimit artistik

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:2 Comments

Para disa vitesh, në rrëmimet e mia të librave të përdorur gjeta diçka të veçantë! Pas një biesede me librashitësit, zbulova se argumenti i këtij libri ishte nisja drejt shkrimit artistik.

Paragjykim

E bleva, me 500 lekë, një Mondadori i vitit 1942, Italisht. Titulli më intrigoi, Fjala dhe jeta, nisje drejt artit të të shkruarit dhe analizës letrare. Çfarë mund të mësoja nga një libër i tillë? Duke qenë studimor, thashe se do të ishte i rëndë dhe plot me rregulla të ngurta. Duke marrë parasysh edhe kontekstin historik të epokës dhe të autorit Alfredo Panzini, mendova se do të shfaqte një lloj errësire mendore. E shtyva leximin tepër, dhe u zhgënjeva nga gjykimi im.

Mos e gjyko kurrë një libër nga kopertina

George Eliot

Mund të jetë deri diku e vërtetë, por kjo thënie mua më duket më e përshtatshme për njerëzit se sa për librat. Për mua kopertina e librit do të thotë shumë. Po të kisha qenë më e kujdesshme do ta kisha kuptuar me përpara vlerën e kësaj vepre. Po, sepse deri diku një libër, përderisa kërkon kaq shumë punë dhe kujdes që të bëhet duhet të përfaqësojë përmbajtjen. Fonti, figura, titulli, tregojnë shumë. Madje edhe kur janë shumë të bukura dhe me tituj goditës, mund të kuptosh se përmbajtja mund të jetë komerciale. Po të isha më e vëmendshme, do të kuptoja se ishte një libër serioz, por i arritshëm, një libër studimor, por tërheqës. Pavarësisht kontekstit historik të asaj kohe, me shumë dëshirë dhe kuriozitet fillova ta lexoja. Zbulova kështu se ishte pikërisht libri që edhe pse nuk po kërkoja duhet ta lexoja, ta studioja! Do të ndaj me ju herë pas here disa nga reflektimet dhe pjesëza të tij. Si gjithmonë nuk kam si qëllim t’ju mësoj nga vetja, por më pëlqen të ndaj me ju pasionin tim, duke ditur se dikush mund të kënaqet.

 Retorika, stilistika

Paçka disa termave në dukje teknikë, nocioni i parë që mësova është shumë i thjesht! Ekziston një dallim midis të shkruarit në mënyrë korrekte dhe të shkruarit me gjallëri, forcë, përmallim, pra me art. Të shkruash “mirë” do të thotë të studiosh, të mendosh mirë, të mendosh shumë, të kesh përvojë në jetë, zgjuarsi dhe fantazi. Shkurt dhe bukur, retorika është arti i të thënit, stilistika është shkenca e stilit. Më pas shtjellon një koncept me të cilin u kënaqa jashtë mase!

Nga tradita vjen josinqeriteti i shumë botimeve duke theksuar “formën”, mënyrën e shprehjes nga përmbajtja ose idea, duke e zvogëluar procesin e shkrimit në diçka të ftohtë, gati-gati një lojë intelekti dhe kaq. – vazhdon – Mos mendoni se duke studiuar retorikën bëhesh poet. Për të arritur tek arti duhet më shumë se kaq, duhet prirja e natyrshme.

Kjo pjesë i dha përgjigjen shumë pyetjeve të mia, se përse nga hera lexoj pjesë tmerrisht të sakta dhe nuk ndiej asgjë. I dha përgjigje se përse literatura dhe njerëzit që shkruajnë, të cilët shpallen profesionist, nganjëherë nuk i kuptoj, janë si të fshehur pas mori fjalësh të vështira dhe koncepteve të koklavitura me dashje. Kjo i dha përgjigje përse poetët më të dashur janë ata që e përdorin fjalën pa e sforcuar dhe arrijnë të godasin, prekin dhe zbërthejnë koncepte dhe ndjesi nga më të vështirat me po, kulturë dhe dije, bukuri dhe fjalë të zgjedhura, por me një sinqeritet të dukshëm. Pra, ndryshe nga një ese shkollore, e shkruara artistike duhet medoemos të krijojë një gjendje dhe jo të shpalosë vetëm dijen e individit. Nuk mund të jenë shkrime që fryejnë egon e njërit dhe thajnë shpirtin e të tjerëve.

Shija dhe gjykimi estetik

Zhvillimi i shijes dhe i gjykimit estetik vlen për çdo lloj arti. Në fakt, nuk vlen vetëm për ata që bëjnë art, por do thoja po aq shumë për ata që e shijojnë. Nga libri: Një studim i tillë afron shpirtin e shkrimtarit duke i treguar çfarë gjëje delikate, intime dhe e thellë është vepra e artit. Dallimi midis së bukurës dhe dukjes; midis sinqeritetit dhe artificiales, lirshmërisë dhe “shkollës”, thjeshtësisë së dobishme dhe ekzagjerimit të zhurmshëm të habitshëm.

Zhvillimi i një shijeje të mirë është parësore për të nisur rrugëtimin e shkrimit dhe të artit në përgjithësi.

Krijmi dhe prirja

Para se të komunikojmë kërkohet të kemi një ide. Një ide apo koncept që duhet krijuar. Një ide nuk lind nga imitimi i varfër, nuk lind as nga një sasi e konsiderueshme informatash të ftohta. Kërkohet të mendojmë, të vëzhgojmë dhe të meditojmë. Mbizotëron aktiviteti shpirtëror i cili do të çojë në fantazi, ndjenjë dhe elokuencë ose në rastin e arteve të tjera teknika e shprehjes përkatëse.

Duhet medomos të arrijmë në plotësi intelekti të formuar nga kultura dhe dija. Gjithashtu të shkruash ese, pjesë, vetëm mbi atë që na vjen mbarë nuk do të ndihmojë. Prandaj këshillohet të praktikohesh pa frikë. Të domosdoshëm janë reflektimi, zhvillimi i sinqeritetit dhe kërkimi i qartësisë. Kërkimi i idesë nuk është i thjeshtë dhe njëherë që gjendet subjekti, pa sinqeritet zhvillimi do të ngjajë i  ngurtë. Këto zakone ndikojnë mbi prirjen shpirtërore që tashmë ekziston tek personi.

Ky blog është frymëzuar dhe ka pjesë të përkthyera nga libri Fjala dhe jeta të autorit Alfredo Panzini. Pjesët në të pjerrët janë marrë drejtpërdrejt nga libri.

Nëse të pëlqen mund ta ndash me të tjerët, për mua vlen shumë.

Banner

This Post Has 2 Comments

  1. Andrea Tarka

    Shume interesante, pjesa mundimshme krijuese eshte e zberthyeshme dhe e thjeshtuar nga studiues te mirefillte.

    1. Noa

      Me pelqen ky liber shume! I perket një kohe tradicionale se shkrimit por ka një mendim shume modern!

Leave a Reply