You are currently viewing Tetor

Tetor

Them se kjo puna e gjetheve të vjeshtës, romantike dhe poetike, duhet të ndalet një herë e mirë. Gjethet dhe ngjyrat vjeshtore nuk janë gjë tjetër veçse një zbukurim tregtar i shpirtit. I atij që do të duket i thellë, që do të sillet si i dashuruar apo poet…

Gjethet nuk janë veçse të vjetëruara. Të destinuara të bien. Do të fluturojnë e më pas do të shkërmoqen. Pa synim, pa qëllim, pa të ardhme, pa arsye.

Për ata që ende kërkojnë poezinë, i lajmëroj të mos lodhen kot. Ajo ndodhet gjetkë. Është zhvendosur prej ca kohësh.

Unë nuk e kërkoj më. Unë, këtë Tetor, po e lë shpirtin të qetë, s’po e ngacmoj. Po e lë të fluturojë, më pas të shkërmoqet.