Gushti më shpëtoi këtë verë. Më solli kaosin e bukur që shumë herë më ka sjellë në terezi..
Kështu e gjeta veten, copë këtu e copë atje, ndërsa përpjekja e marrë për t’i rregulluar gjërat iku. Iku siç ikën stina, ashtu do të ikë edhe vapa, ashtu si zhduken bulëzat mbi ballë, ashtu siç ikin të gjitha.
Koordinatat e reja sjellin një çrregullim të brendshëm mjaft të njohur për mua: endacake e destinuar, plot rrugë është jeta ime.
Prandaj ndërrova pozicion. I ndryshova sendet pak së prapthi. Shtratin e vura në mes të dhomës. Nuk desha asnjë mur rreth meje, aq më pak pas koke. Duhet të jem në qendër.
Abazhurët nuk kanë pse të jenë mbi komodina, ashtu siç nuk kanë pse të jenë komodinat pranë shtratit.
Rehatohem në këtë gjendje fizike jokonvencionale.
Gushti më dha leje të plotë ta ndiej rrëmujën time edhe një herë, të mos gjykoj më botën, as botën time as botën mua.
