You are currently viewing Arti i spektatorit

Arti i spektatorit

Në jetë thonë duhet të jesh protagonist e jo vetëm spektator. Pajtohem, secili nga ne ka vendin e vet ka dhe masën e vet lavdie dhe dritë sipas talentit dhe vullnetit. Secili nga ne ka potencialin për të zbukuruar ekzistencën e dikujt dhe të veten, ky arti më sublim.

woman standing behind red curtain
Photo by cottonbro on Pexels.com

Privilegj

-Bravo! Bis!- brohoret në fund të spektaklit turma plotë entuziazëm! Sa pak prej nesh duhet ta kenë provuar atë drithërim që vjen nga publiku. Atë pudër yjesh që mbulon, punën, sakrificat, lodhjen dhe mundin në sytë tanë. Kadifja e kuqe e perdes, aroma e karrigeve të vjetra, druri që aktron në sinkron zhurmash sa herë dikush lëviz. Aty në cepin tim, shpesh në rreshtat e fundit, shijoj gjithë madhështinë e artit që shpaloset magjishëm. Ndodh që krijohet një botë e përkohshme tmerrësisht e vërtetë, ku muzika, drama, komedia, aktoret, balerinët, këngëtarët, orkestra si një njeri të vetëm më merr e më ngre në fluturim.

Kërkon dashuri

Kërkon dashuri, të ngresh sytë mbi artin që bëjnë të tjerët, të heshtësh para gjenialitetit, të ulesh pak kokën para talentit, mirënjohje para mundit të hedhur. Mund të jetë mision i vështirë të jesh spektator. Artisti i vërtetë zakonisht e ka të qartë çfarë do të bëjë, ne spektatorët shpesh nuk dimë çfarë pëlqejmë. Ndodh të prishim shijen, duke u ngopur me art të rëndomtë, më keq pa shpirt. Mjaftohemi me çfarë gjejmë. Kërkon zotësi, të jesh i kujdesshëm, të njohësh, të kërkosh, të edukohesh, të informohesh. Të krijosh një shije mund të dojë një jetë e tërë, por a nuk është kjo që më ndan nga qenushi bukurosh që kam në shtëpi?

Emocionin që provoj sa herë zhytem në karrigen time prej spektatoreje është i pakrahasueshëm. Nëse di të shijosh artin, ji krenar, kemi më shumë nevojë për spektatorë të mirë.

Më beso, duhet të jesh pak artist që të jesh Spektator.

Noa Nur

Të ftoj të lexosh edhe Çfarë është poezia?

Leave a Reply