Bota e fjalës, lind me belbëzime fëminore, zhvillohet në tentativa dialogu dhe zhvillohet herë në kryevepra qofshin letrare apo folëse, herë këto tentativa bëhen “atentate” kundër vetes, njerëzve dhe tërësisë.
Komunikim
Në është diçka që na dallon nga kafshët është gjuha, ky sistem marramendës i përzier me imazhe, ide, ndienja të mpiksura në kujtesë. Çdo imazh lidhet me një fjalë të përcaktuar në rast dygjuhësh apo poliglot me më shumë fjalë, të cilat ndonëse të njëjta mbartin nuanca të ndryshme të trashëguara nga historia, botëkuptime dhe kush e di ç’tjetër. Në këtë mes gjendet mjeti dhe qëllimi i gjuhës, komunikimi.
Dëshira për të ndarë mendime dhe ide, dëshira për të shprehur veten, për të gëzuar dhe rënkuar. Është për të thënë se gjuha është zhvilluar jashtëzakonisht dhe sado tradita mos ta pranojë ajo është bërë më elastike. Kemi më shumë fjalë të përbashkëta në botë, në duam t’i quajmë të huazuara, të vjedhura apo të imponuara nga konteksti historik duhet të kishim më shumë shanse për t’u marr vesh. Por ky është muhabet tjetër.
Gjuha ime
Në këtë moment, nuk di më se cila është gjuha ime. Kam vështirësi të shpreh veten vetëm në njërën. E ndërsa gjej veten të them ndonjë fjalë anglisht, shprehje të blerë nga filma apo detyrimisht teknike, pyes veten pse duhet të mendohem dy herë ndërsa zgjedhoj foljet e gjuhës së nënës, sime jo tënde. Një gjë është e ditur se kur mërzitemi flasim gjuhen e zemrës, atë më intime, atë që kemi mësuar në bark të asaj grua që na lindi. Prandaj, në këto raste lirohemi ca dhe shprehjet bëhen të natyrshme dhe shpesh dialektore. E thënë kjo, kam dy fjalë:
Fjalët i merr era
Mirë do ishte ta kishim mësuar më parë, sa rëndësi kanë fjalët. Po, se fjalët i merr era kur janë thënë vetëm një herë. Kur ato përsëriten çdo ditë sistematikisht ato bëhen pjesë e jona, dhe atij që e dëgjon. Fjalët e thëna nga ne çdo ditë kur jemi nën presion bëhen zakon, zakoni më i keq që mund të ketë njeriu, një ves i vetdëmtues dhe abuzues kundrejt të tjerëve. Duke sharë veten sa herë gabojmë, na bie diçka nga duart, harrojmë diçka, shiko si e quan veten. Sa herë ke vepruar si një sëmundje autoimune, duke i shkuar kundër vetes?
Jo, fjalët edhe ato që i thua ti vetes, nuk i merr era. Ato të sëmurin pjesët më të thella të vetes. Edhe ato që i themi njëri-tjetrit në i merrka era, fluturojnë si fara dhe zënë aty-këtu dhe kot më kot. Mësohemi, mësohemi por fjalët negative janë grimca ligësie, helme që shkakton sëmundje dypalëshe. Në të vërtetë, rrallë i themi dikujt diçka që nuk i kemi thënë më parë vetes. Rrallë shajmë dikë me ndonjë fjalë nëse më parë nuk e kemi dëgjuar vetë. Prandaj jemi të gjithë viktima dhe të gjithë fajtor.
Shëmti
Se ç’shëmtohemi me pahir, kur themi të keqen të parën, kur në kërkimin e së drejtës ndjejmë impulsin gati primitiv të lehim, të pëllasim apo të hungërijmë në vend se të flasim. Shëmtohet njeriu, kur përqindja e fjalëve gjatë ditës ka mesatare të lartë sharjesh, kritika, ngacmime dhe acarime. Nëse një fjalë e rëndë, e fortë thuhet kot vend e pa vend, e humbet forcën e saj, dhe kur do të na duhet ta themi në rastin e duhur, ajo do të humbas.
Trysnia, vuajtja, lodhja, acarimi i përditshëm na çon të ndjejmë dëshirën për të shfryrë gjithçka kemi brenda. Realisht, një shfryrje e mirë herë pas here, nuk dëmton, arrijn njeriu i shkretë acarimin. Frika ime është mos të më bëhet zakon të shaj veten dhe ata që dua apo nuk ma kanë borxh kot, veç se më del mbarë, veç se ashtu jam mësuar. Frika ime është se mos po bëjmë një hap pas, e ndërsa kemi një gjuhë kaq të bukur, përkundrazi, gjuhë të ndryshme kaq të bukura, mos të arrijmë të shfrytëzojmë për t’u marr vesh, së pari me veten më pas me të tjerët? Frika ime është se mos shëmtohemi.
Heshtja
Ka kohë që po mësoj të ushtroj heshtjen. Dal, bëj një xhiro dhe mundohem të mos flas fare. Sikur dhe një orë në ca kohë, uroj ta zhvilloj dhe të arrij ndoshta ta shtoj dhe të bëj periudha më të gjata. Heshtja, ka fuqinë të pastroj fjalët, të pastrojë mendimet, të qetësojë shpirtin, të të risjell në kontakt me veten.
Nuk asgjë të çuditshëm apo magjike në të, heshtja është tepër e nënvlerësusar nën një botë ku të gjithë pretendojnë të thonë të tyren egërsisht. Ku duam të kemi një zë mbizotërues dhe imponues. Edhe unë e zhurmshme jam, kush më njeh e din mirë, por po zbuloj sekretin e heshtjes një terapi zbukurimi të shpirtit. Sa herë i largohem këtij zakoni, shëmtohem.
Të lutëm zbukurohu
Të lutem foli vetes bukur, foli vetes me respekt, dashuri. Mos e shaj veten as mos përdor mbiemra denigruese për vete. Kur bën një gabim, thuaj vetes se herë tjetër mund të besh më mirë dhe shkelja syrin vetes në pasqyrë kur sheh ndonjë gjë që nuk shkon, është normale të mos jemi gjithnjë në formë. Të lutem, kur takon dikë mos i thuaj – si qenke bërë….-, -sa keq dukesh me…-, -tërë jetën ngele…-, e kësisoj komentesh. Ti nuk e di sa dëm mund të bësh. Gjej të mirën, thuaj diçka të mirë. Nëse nuk e gjen, se ka raste që nuk gjen, e di, mos thuaj asgjë. Të lutëm zbukurohu me vetë fjalët e tua.* Ktheji fjalët në tentativa dhe jo atentate!
Si gjithmonë këto janë përjetime personale, nuk kanë dëshirë të mësojnë të tjerët, por janë thjesht një ndarje të përvojës dhe mendimëve të mia.
Lexo edhe Detoksifikim
Pingback: Perspektivë ndryshe për mediokrët | hajdeseflasim