You are currently viewing Largim – Frika dhe zgjidhja

Largim – Frika dhe zgjidhja

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:1 Comment

E kujton veten në barkun e nënës? Kur në lëngjet më të domosdoshme të tua, ushtroje forcën e pavetëdijshme për të ikur, për të dalë, për t’u larguar? Ka shumë mundësi mos ta kujtosh.

Po rrugën tënde të parë? Udhëtimin e parë drejt Lirisë? Kur ike prej shtëpisë, kur ike prej asaj, atij, atyre dhe vetes? Largimi, frika dhe zgjidhja.

Kordoni kërthizor nuk është gjë tjetër se kufiri i parë pa doganë që na duhet të lëmë me një dhembje të imët, të harruar, që do të na shoqërojë deri në fund. Ndërsa nënës do t’i duhet ta largojë prej vetes foshnjën që të jetojë, foshnja qan shkëputjen që të shohë dritë. Ne, largohemi që kur lindim çdo ditë e nga pak prej asaj që duam më shumë që jeta të vazhdojë. Largimi kanoset befasisht, kur nuk e presim, ikim, ikin njerëzit, ikin idetë, ikën mbi të gjitha koha, ikim edhe ne.

Mijëra mundësi të fshehta që mendojmë të pamundura do të dërgojë larg fytyrat të njohura, që, si një grusht gjethesh do fluturojnë në erë në një ditë vjeshtuke. A nuk sheh sa u lodhen poetët duke i kënduar mallit dhe harresës? A nuk dëgjon sa tela u këputën nën frymëzimin e lamtumirës?

Është zbrazëtia që na mbush sytë, lëviz turbinat e njeriut. Herët a vonë ikin, ikim, iket. Duhet të largohesh nga të tjerët që t’i afrohesh vetes dhe t’i largohesh vetes që t’i afrohesh tjetrit. Të mbetesh midis është për më të zotët…

Duhet të largohesh nga të tjerët që t’i afrohesh vetes dhe t’i largohesh vetes që t’i afrohesh tjetrit.

Noa Nur

Kur tjetri bëhet i fuqishëm brenda nesh, lind nevoja ti largohemi vetes. Kjo shkul fijet e fundit të asaj mendojmë se zotërojmë, veten. Këtë e bëjmë me kënaqësi, me natyrshmëri. Largimi nuk është njëherësh, është veprim i vazhdueshëm.

Më shumë i afrohemi diçkaje më tepër i largohemi tjetrës, mund edhe të mbetemi në mes, larg të gjithave. Duhet thënë, se largimi pak ndryshon nga afrimi, dhe sa më shumë largohemi i afrohemi diçkaje tjetër, qoftë kjo e padukshme.

Segmentet e jetës, janë ndarë çuditshëm në etyde të mjegullta, të paqarta, të cilat në fund nuk do ti organizosh dot në ndonjë album fotografik. Shumica e atyre fytyrave kanë humbur domethënien, dhe duhet t’ia pranojmë ikjen pa pritur kthimin.

Pikërisht larg, ndodhet ideja që kishe kërkuar, dëshira, ndoshta edhe dikush që ka të njëjtën përbërjen tënde. Në anën tjetër të rruzullit mund të ndodhet një flakë që vjen nga po i njëjti zjarr, përkon por nuk do të puqet kurrë, aty larg e ka detyrën e vet.

Larg është ndjenja më e afërt

Noa Nur

Fytyrat që janë larguar se pandehe të ngrohta ishin pjesë e largimit, largimi ishte e pëbashkëta. Mos i mbaj mëri, edhe largimi është rrugë që keni shkelur bashkë dhe bukur. Zbulohet se afërsia dhe largësia mpiksen në një vend të vetëm, dhe nuk ka shumë rëndësi, është një pikë referimi pa ligje pa kohë dhe vendndodhje. Aty ndodhet e gjitha. Largimi është frika por edhe zgjidhja.

Largim të mbarë, se diku do të afrohesh më shumë!

Faleminderit për fotografinë @armando.doda.13

Lexo edhe Mençuri Urbane

This Post Has One Comment

  1. Vitus

    Molto bello e ben trattato. È vita. 🌹💓

Leave a Reply