You are currently viewing Spaçi yt

Spaçi yt

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:0 Comments

Rruga është disi e keqe, ende. Një llojë “intro” të asaj që do të përjetohet një herë mbërritur. Gërmadhat e ndërtesave nuk tregojnë shumë hapur çfarë ka ndodhur atje. Me ndërtesa të prishura na është mësuar syri ka dekada, dhe shkatërrimin nuk e lidhim më me ligësinë. Insektet, fluturat, pilivesat, bletat më dhanë mirësëardhjen dhe më shoqëruan gjatë vizitës, një zukatje ngushëlluese.

Na është mësuar syri me ndërtesa të vjetra, të prishura, pa dritare, me xhama të thyera, të zhvatura, po sepse edhe burgjet zhvaten. Iu afrova me frikë të madhe se mos do të ndjeja shumë trishtim, megjithse ia kemi marrë dorën edhe atij.

Mbreteresha

Takimi i parë qe me Mbretëreshën, Mbretëreshën e Malëve, në fakt të botës, pa secilës jeta jonë do të jetë gjithnjë e më e vështirë. E pavëmendshme ajo zukaste, pa frikë. Isha pranë pikës së kontrollit, ku njerëzit luteshin të takonin familjarët, ajo këto histori nuk i di. Në atë parajsë ku më rrëfejnë se së fundmi janë shtuar lulet dhe bimësia duket më e gëzueshme, nuk beson dot të ketë ndodhur “e patregueshmja”. Të patregueshmën duke mos u treguar, ngjan më e butë por nuk e humbet ashpërsinë. E pyeta Mbretëreshën nëse do arrijmë ndonjëherë, ne njerëzit të zëmë mend, por ajo iku tek lulja tjetër, nuk e kishte mendjen. Unë qesha pak dhe i thash:

Deri sa të jesh ti, e vogla mbretëreshë, kalorësit e fuqishëm, dragonjtë dhe fitues betejash do të duken të vegjel para zukatjes së shpresës.

Noa Nur

Shpresa dhe Nostalgjia

Shpresa, në këtë vend merrte forma të çuditshme. Nuk e di nëse ata merrnin forcë prej saj, apo ndoshta, ata e prodhonin vet mjeshtërisht. Ajo, merrte formë në lojëra të mendjes, delire, ëndrra, çmenduri, plane arratisje. Ajo merrte formë fantazish mashkullore, shije të ndonje fruti mbirë mrekullisht, një qen, një aromë kujtim. Shpresa, jam e sigurtë fabrikohej çdo ditë e re, për t’u humbur në kthim dhe lundruar pa qëllim në ndonjë kazan mense apo plehrash. Megjithatë, u bë përgjegjëse e ndonjë mbijetesë, ndonjë mrekullie, lirim, apo një frymëmarrje më shumë…mbase edhe vegim.

Ki kujdes me nostalgjinë ajo mbulon tmerrin me sheqer

Noa Nur

Nostalgjia e cila prodhohet në koperativë, përzgjedh vlerat dhe kujtesën e përbashkët me zotësi shtriganësh. Edhe ajo kryen aktet e veta të mrekullueshme. Përpunon qiellzën kolektive, hollon historinë, fshin, fsheh, mbulon dhe bukur-bukur një ditë të bën të qash biskotat “ingranzh”. Përzihen vlerat, dhe duke ta kthyer kokën dhunshëm pas, të bën çorb të ardhmën.

Spaçi yt

I afrohem hapësirave të burgut me kujdes, se mos lotët që derdha aty ulur në ato qeli ujisin ndonjë farë ogurzezë. Se mos me ndjenjat mia fyej ato që nuk mundën të tregohen a të dëgjohen. Kureshtare mundohem të deshifroj parullat në mur, por asgjë nuk ka mbetur, përveç se Liria. Në atë vend kishte erë liri. Burgu i vërtetë ishte jashtë.

Kur jam brenda jam jashtë, sepse edhe brenda kam të gjithë botën jashtë

Noa Nur

Brenda, ishte e gjitha bota jashtë. Një mushkri idesh, besimesh, filozofish, rrymash, muzikë, art, poezi. E ndërsa bota jashtë hante thërrime paradash dhe darka në kolektivë, aty shpirtrat rebel përçonin liri.

Mos ki frikë nga vendet si Spaçi, më shumë pyete veten cili është Spaçi yt.

Nga vizita në Spaç – 2024

Lexo edhe Pranim

Nëse dëshiron të kesh librin e gjen edhe këtu

Të falënderoj nëse më nderon me regjistrimin tënd!

Leave a Reply