You are currently viewing Frymëzime: Ingrid Pulizo

Frymëzime: Ingrid Pulizo

Mbrëmjet tiranase nuk imagjinohen pa aktivitetet muzikore dhe kulturore. Ky qytet i rrëmujshëm, ofron dhe mushkri frymëmarrje për artin dhe kulturën. Emocioni se të pret eventi në darkë, edhe dita e lodhshme apo e mërzitshme qoftë, merr kuptim. A nuk e dini se “punëtorët” e Artit, kanë një përgjegjësi të madhe që të mbajnë gjallë një pjesë të shpirtit tonë, që herë pas here bie në errësirë? Në tonin e kësaj ndjenje mirënjohje lind dhe dëshira për të ndarë me ju një artiste e padiskutueshme. Ajo, nuk ka nevojë për promovim, por kam pasur disa pyetje për të, doja vërtet ta njihja pak më shumë. Të afrohesha pak kësaj “ikone” moderne pianistike shqiptare, e cila punon pa u lodhur dhe me një modesti të jashtëzakonshme.

Ingrid Pulizo përveç profesionalizmit dhe aftësisë së padiskutueshme më ka tërhequr në veçanti njëriu. Arti të vesh me vezullimin e tij, por pa një shpirt të bukur ky shkëlqim nuk funksionon.

Si nisi rrugëtimi artistik?

Parësore ka qenë dëshira e mamit, duke parë se që fëmijë kendoja nëpër shtëpi dhe tregoja të kisha ato aftësitë fillestare, një vesh të mirë. Dëshirat e mia të para që kam shprehur për istrument ishin harpa dhe violina, por fati më orientoi drejt pianos.

Cila ka qenë vështirësia kryesore në arritjen e synimit tuaj?

Brezi im, vështirësitë i ka patur të shumta. Fillonin që nga mungesa e instrumentit, mungesa e partiturave dhe me rradhë. Piano ishte nje luks për kohen. Mbaj mend se e kam filluar me një tastiere të bërë me kompensatë (e paimagjinueshme sot). Pastaj, me ato orare studimi në shkollë, fillimisht një treçerek ore e kisha orarin e studimit. Partiturat i kalonim dorë me dorë, se edhe fotokopje ishte një privilegj, ishte rreth fundit të 80-ve, për kë mund të kishte ndonjë prind që punonte në digaster. Të mos flasim pastaj që e vetmja alternative degjimi ishte radio dhe ajo per muzikën klasike ishte vetëm në orët e vona, duhej te sakrifikoje gjumin.

Sa rehat ndiheni në zbatimin e programit muzikor në vendin tonë?

Punoj në një institucion qendror arti që ka peshë dhe rol të rëndësisjme në jetën artistike të vendit dhe që denjësisht përballet edhe me vlerat boterore. Po bëhen politika gjithpërfshirëse që edhe brezat të afrohen dhe të mund të gjejnë hapësira për të performuar. Personalisht ndjehem mirë.

Çfarë mendoni për rrymat dhe zhandret jo klasike?

Arti ka patur dhe do të ketë alternativa në eksplorim. Brezat kanë tendencat e tyre…Më dhemb vetëm deformimi në një masë të madhe që po pëson muzika e traditës nga konsumizmi.

Më flisni për prindërit aq sa dëshironi të ndani

Ah prinderit e mi! Ata ishin mbështetja kryesore e rrugëtimit tim deri në fund. Keqardhja ime e vetme është që përkushtimi ndaj punës dhe profesionit ka bërë që të humb kohë të vyer me ta. E kupton vetëm kur i humb… Po gëzonin edhe në gjenë më të vogël… sikur shkarazi të më shihnin në një kronikë televizive.

Njeriu dhe artisti si gjendet ekuilibri?

Njeriu dhe artisti bëhen një… unë nuk i ndaj dot, sidomos kur rrugëtimin e artit e nis që në moshë të vogël si shumë nga ne. Ti jeton me të. Të merresh me art të bën të harrosh shpesh “njeriun”. Kam parë artistë të performojnë duke lënë fëmijën të sëmurë, ose prindin në spital. Më ka ndodhur të luaj në piano ditën që nena ime e shtrenjte dha shpirt. Në këtë rast njeriun e lashë në shtepi, artisti iku në koncert. Kuptohet, me një kosto shpirtërore shumë të madhe emocionale edhe sot e kësaj dite akoma nuk e marr veten.

Piano, muzika, për ju është?

Nuk e mbaj mend veten pa muzikën dhe pianon. Kështu që, nuk është thjesht mjet jetese po ajri që frymoj.

Vepra muzikore që ju përfaqëson?

Një pyetje aq relative, si natyrë dashurohem me vepren që kam në dore si çdo artist. Por, në fazen e tanishme më pëlqejnë format e vogla muzikore nokturnet, romanzat

Një mendim për ata që duan të ndërmarrin muzikën si karrierë

Rrugëtimi në art është nga më të veshtiret. U duket e thjeshtë në përgjithësi, po në të vërtetë është një rrugë plot sakrifica. Me teknologjinë gjithçka po evolon drejt asaj që njeriu po ka konkurent kryesor teknologjinë.
I them në përgjithsi brezit të ri të merren me muzikë ose art sepse vetëm të mira kanë, por për karrierë të vleresojnë mirë përplasjen e dëshires me mundesinë, talentit me punën.

Ingrid Pulizo

Ingridi ka një ëndërr?

Edhe ënerrat evolojne me moshen… Tani jam në një etapë jete që po e mendoj të kem një qendër arti për te frymëzuar brezat e rinj.

Faleminderit Ingrid!

Në mbyllje të këtij bisedimi, nuk habitem shumë se talenti shoqërohet me sakrifica dhe disiplinë. Ingrid shfaq një lloj mençurie e cila nuk e fik entuziasmin por as nuk ushqen shpresa të kota. Ingrid, një pasion dhe karrierë afatgjatë e frytshme është frymëzim!

Dua ta falënderoj personalisht, pasi pianoja e saj mbrëmjeve më melankonike të këtij qyteti, më ka bërë shoqeri. Më ka përkdhelur shtresa të shpirtit që kisha harruar se kisha.


Lexo edhe Si artistët

Leave a Reply