You are currently viewing Tirana tirane

Tirana tirane

Çfarë do të thotë Tirana?

Si ka mundësi mos ta ketë një domëthënie të qartë “pf gjithë ky qytet”? Sa herë kam kërkuar nuk më bindin zgjidhjet. Afërsia me fjalën tirani më çudit, shumë kontrast me popullin tirons, “t’omël”.

Në të kaluarën shesh-madh, plot hapësira, paradë-prirur, gjithë mushkëri të gjelbërta, që ndanin “fshatin” me “Unazën” e floririt, sot shfaqet i vrullshëm, i qytetëzuar der në kodër, me kapacitet mirëpritës, me nja dy mundësi më tepër, vezullues.

Brenda meje kumbon fjala Tirania: Sundimi absolut, i dhunshëm, i egër, despotizëm. Ndoshta, etimologjia nuk ka shumë lidhje, por ky qytet vërtet han i pangopur zonën rurale duke e lënë të shkretë dhe pa gjë. Të sundon. Të ha kokën edhe me të mira, me jetën e natës, me eventet, me shpresa xixëlluese. Po zmadhohet një mega klloun shumëngjyrësh, i qeshur, tallës dhe simpatik. Unaza tani shtrëngon fort, zë qarkullimin, zhvillon gangrenë deri në amputim. Tirana, shtyp, të ndërron dialektin, të vesh, të injoron, të integron, të rrit, të egërson, dhunon, ndryshon, premton, të toleron më shumë…

Mbyll hesapet, hap punë. Ka forcë, luan me fatet, kthen mbrapsht, vetmon, mashtron me ndonjë dritë e art mural. Sulmon, dikton, sundon. Të bën ta duash gjithsesi, të jep e të merr. Asgjë pa këmbim, asgjë nuk është falas. E në ta marrtë zemrën, përhapet dhunshëm në kujtimet studentore, në autobusa, buzë liqenit, vjeshta tek Liceu, pranvera te Myslym Shyri, vera tek Parku Rinia. Bathorja është lagje, Yzberishti nuk është më fshat, tek Opera takohemi, tek Muzeu rrimë, tek Libri Universitar dukemi më bukur, Komuna e Parisit tingëllon mirë, Kombinati është shumë i lodhur, Kinostudio të lodh më shumë.

Ashtu si paradë, marshojnë kujtimet dhe shpresat “deluzive”, idealet fluturake. Asgjë nuk kundërshtohet çdo gjë pranohet. Vet-seleksionon qyteti, secilin në rrethin e duhur. Vjel dhe vjell potenciale. Krijon e shkatërron, punë sekondash… Mbetesh rrugëve tërë ditën, abonen shtrengoje se ta vjedhin. Tirana është Tirane.

Pikturat: Geront Agimi

Lexo e dhe Tiranën e marr hua

Nëse të pëlqen regjistrohu, kjo do të më bënte të lumtur!

Leave a Reply