You are currently viewing Shkëputja dhe unë
Photo by Madison Inouye on Pexels.com

Shkëputja dhe unë

Nëse je i përgjegjshëm, i dashur, altruist, ka shumë mundësi të ndihesh i lidhur me çka të rrethon. Lista e gjërave që duam të bëjmë, njerëzit që duam të ftojmë, t’u qëndrojmë pranë, kauzat e shumta, lumturia e të tjerëve për të cilën gabimisht mendojmë se jemi ne përgjegjës është e gjatë. Ndoshta, po emëron veten në një rol që nuk të takon.

Gjatë formimit dhe rritjes, përfshirë procesit të fëmijërisë por jo vetëm, krijohen lidhje të forta me njerëz, zakone dhe mendime. Ndjesi, ndjenja, emocione, sende, kush e di çfarë tjetër. Këto gjëra shtohen e veç shtohen. Një lloj “afeksionimi” i fshehtë. Sa më shumë shtohen informatat dhe përjetimet, shtohen gjërat pa të cilat nuk bëjmë dot. E vërtetë është se gjithçka na rrethon është pjesë e jona dhe krijon cilët jemi, e vërtetë është edhe se dhe pa këto prapë ne jemi. (Shkrimi i këtij blogu është tërësisht i bazuar mbi njohuritë e mbledhura dhe përvoja personale, nuk janë këshilla psikologjike, nëse mendon se ke nevojë për këshillim kontakto një profesionist)

closeup photo of green variegated leaf plants
Photo by Brett Sayles on Pexels.com

Për të gjetur veten – Shkëputu

Jeta është një koleksion ditësh që rrëshqasin shpesh pavetëdijëshëm, mjerisht. Gjetja e vetes është rrugëtim aq abstrakt sa dhe punë e mirëfilltë, që të djersit. E kaluara, genët, përvojat e jetës janë copat që mirë a keq formojnë kush jemi. Por ekziston një esencë më pak e prekshme dhe më reale, që krijon unin tonë dhe nuk ka të bëj me çka dukemi e bëjmë. Po shpjegohem. Njerëzit njihen me pyetje si: Nga të kemi? Ku punon? Çfarë origjine ke etj. Në atë moment një seri etiketash sistemohen në mendjen e secilit dhe përçojnë mesazhe tek të dyja palët. Ajo që më bën merak më shumë, nuk është se ç’do të mendojë tjetri, por unë. Po, sepse pas një farë kohe gjendesh të mendon se je në varësi të asaj që dukesh, dhe vepron në varësi të asaj që pritet.

Çudi, bëjmë, hamë, veshim, sepse jemi mësuar kështu…pa pyetur veten shumë. Çudi pse shkojmë po në të njëjtat vende, flasim për argumente, përgjigjemi apo heshtim, kemi frikë të bëjmë diçka apo pa kuptuar shtyhemi të marrim disa nisma, pa u ndjerë vetja. Është se pse jemi tepër të lidhur me imazhin që i kemi dhënë vetes, i cili është shumë larg vetes.

Një ditë fillova të ushtroja shkëputjen, nuk bëhet fjalë për izolim ekstrem, as për ndjenjë indiference. Por krijon hapësirën tënde në mendje dhe të jashtme për të pranuar veten pa shtesa.

Mora kohën të shoh kaq thellë brenda sa u tremba.

Lakuriqësia e shpirtit, vështirë se pranohet.

Nëse ecen i zhveshur ka kush ulë sytë e kush të admiron ndërsa

lakuriqësia e shpirtit të tremb vet, më shumë.

Noa Nur

Por aty kur dukesh se shkëputesh nga vorbulla ku ndodhen kjo botë e çmendur, fillon të gjesh veten. Fillon të zgjedhesh në mënyrë të vetëdijshme. Nuk shkon diku sepse të gjithë shkojnë, nuk blen rroba që pritet të blesh, apo të lexosh libra vetëm sepse janë best-sellers. Fillon të kalosh kohë me veten dhe është mrekulli. Njerëzit rreth teje nuk i zgjedh më, ato vetë-afrohen apo vetë-pastrohen në varësi të dinamikës. Pavarësisht çdo ndryshimi përreth, ti shkëputesh pak, një hap pas, një vështrim nga larg, dhe ja je ti!

Në mendim – Shkëputu

Shkëputja fillon duke pranuar mendimet si të tilla, pa frikë dhe vet-gjykim. Sado turbulluese, nuk mund të gjejmë paqe duke i luftuar. Të kërkosh paqe duke lakuar fjalën luftë nuk më është dukur kurrë një ide e mirë. Mendimet negative janë shpesh mashtruese, pasojë e një vet-gjykimi të ashpër. Sa më shumë analizon ato shtohen dhe ngatërrohen. Shkëputem duke menduar se jo të gjitha mendimet më përfaqësojnë, jo çdo gjë më përket. Nuk “afeksionohem” çdo mendimi që kalon rastësishëm. Kam kuptuar se jo çdo mendim duhet ftuar gjatë tek ne.

Shkëputem duke u përqendruar tek e tashmja totalisht, kjo më sjell të jem krejt e apasionuar ndaj atij momenti dhe për çudi mendimet lëmsh-sjellëse largohen vetvetiu. Ritualet ditore ndihmojnë të shkëputemi dhe të marrim energjinë për të vazhduar. Një lexim, shetitja, pirja e një çaj, soditja e natyrës, aktivitetet të preferuara, të gjitha këto kur bëhen me vetëdije të plotë.

Nuk ka rëndësi çfarë por si, këto veprime jo vetëm se rrisin kënaqësinë e jetës por i japin hapësirë mendjes të freskohet nga grumbullimi i mendimëve të lodhshme.

Ndava mendjen të lë ndonjë gjë pa shpjeguar.

Ashtu vijnë dhe ikin mendimet, çka mbetet nga unë nga zgjedhjet.

Unë jam ato veprimet e vogla që vendos të bëj si hapa drejt paqes sime

Noa Nur

Përveç anës shpirtërore që ushqej me shumë kujdes, më është dashur të përballem me faktin se jeta është e përbërë dhe nga faktorë të tjerë që nuk duhen anashkaluar. Si ushqimi i duhur, pushimi, vendosja e kufijve personale, aktivitetet fizike dhe gjithçka përmban kujdesin personal. Aty midis gjendet ekuilibri.

crop pregnant woman with blooming flower bouquet
Photo by Olha Ruskykh on Pexels.com

Për mbijetësë – Shkëputu

Po, modalitet mbijetesë. Lajmet e furishme, kaosi, reagimet e dhunshme të njerëzve afër dhe larg e kush e di ç’tjetër, të gjitha këto duket sikur të sëmurin. Nëse je i tejndjeshëm mund të ndikojnë më shumë se ç’mendon. Dhimbja mund të jetë e padurueshme. Të vazhdosh të funksionosh sikur asgjë nuk ka ndodhur është gati e pamundur.

Të tejndjeshmit, nuk mjaftohen me një postim solidarizues në rrjet, ata përjetojnë situatën në veten e parë. Madje empatia e tyre nuk i lejon të shfaqen kaq hapur në respekt të dhembjes së tjetrit. Po mësoj ditë pas dite të mos ndihem në faj të vazhdoj jetën time kur gjithçka përreth shkon keq. Prandaj, modaliteti i mbijetesës më çon të shkëputem, duke u ndarë pak nga kaosi i përgjithshëm, lajmet bombarduese, njerzit agresiv.

Marr gjithë kohën më duhet, mund të jenë dhe ditë të tëra. Ushtroj heshtjen dhe ndaj veten nga zhurma e botës. Merrem vetëm me atë që më mbush vërtetë dhe më karikon bateritë për të vazhduar. Kjo shkëputje është rigjeneruese, dhe nuk ka problem nëse të tjerët nuk e kuptojnë. Kjo shkëputje është pjesë e jetës. Ne nuk jemi makineri me funksionime automatike.

Më duhet të krijoj botën time që të duroj tuajen

Noa Nur

Me kokëfortësi i mbetem besnike faktit se jeta është e mrekullueshme dhe ti po ashtu!

Lexo edhe I tejndjeshëm

This Post Has One Comment

  1. dorispaintbrushes

    Nje trajtim i thelle dhe i kompletuar!
    Vertet, “Kjo shkëputje është rigjeneruese, dhe nuk ka problem nëse të tjerët nuk e kuptojme. Ne nuk jemi makineri me funksionime automatike.”
    👏👏👏👏🌺

Leave a Reply