You are currently viewing Çfarë është poezia?

Çfarë është poezia?

A ka përgjigje të saktë? A nuk janë përgjigjet e sakta të cunguara?

Fjala poezi, poiesis, do të thotë krijoj. Kur zbulova këtë, u ndava pak nga çka kisha mësuar rreth saj, gjithçka më kishin thënë. E po, sepse poezia ka ligjet e saj që të quhet art, duhet të burojë nga zemra por dhe duhet ndërmjetësohet nga një mendje e stërvitur. Poezia që të quhet e tillë, ndjek metriken, një ritëm estetik, nganjëherë rima dhe mbledhje rrokjesh që duan një punë gati-gati shkencor. Çdo popull, gjuhë, në bazë të kulturës dhe të epokës ka poezinë e vet me ligje dhe shije mjaft të përcaktuara. Poezia vjen nga lashtësia, vjen me fjalën. Më pëlqen të mendoj se është një nga artët më njerëzore, përderisa nuk ka nevojë për asnjë instrument ndërmjetësues. Po, se poezitë më të bukura, ma do mendja janë ato që nuk kanë kaluar kurrë nga pena. Përkundrazi kanë mbetur në livadhet e mendjes, apo ndoshta kur njerëzit kishin kujtesë të fortë, recitoheshin me zë, duke i çliruar në përjetësi.

Poezia nuk mund të jetë një mbledhje fjalësh të bukura bashkë, duhet të jetë diçka më shumë se kaq.

Pse njerëzit nuk pëlqejnë poezinë?

Kësaj pyetje kam dashur të përgjigjem disa herë. Më duket kaq e çuditshme! Mund të mos pëlqesh një lloj poezie, një stil, por çudi të mos pëlqesh asnjë formë të saj! Po mendoja, nëse shumica pëlqen këngët dhe i mëson madje përmendsh, ato janë poezi…(jo gjithmonë). Poezia dhe poetet më duket mua në disa kultura janë futur në një imazh stereotip. Po më kujtohet filmi Në çdo stinë, por a janë të gjithë poetet ashtu? Po poezi ka vetëm një lloj? Më duket mua apo më shumë i tremb fakti se nuk duan të jenë “tipi” i poezive? Nuk e di nuk mund ta gjykoj. Po sikur të jetë faj i vetë “poetëve” që kokëfortë shkruajnë medoemos pa marrë parasysh asnjë lloj estetike, duke lozur shkrimtarësh, pa asnjë lloj respekti për të bukurën, shijen, forcën e fjalës? Ndoshta fajn e kemi ne që shkruajmë e shpalosim talentin e vetëshpallur duke i lodhur lexuesit me shumë për dashurinë e egos se sa të fjalës? Arti e ka këtë risk, por ia vlen të guxohet!

Në fakt njerëzit nuk pëlqejnë poezinë, ashtu sikur shpesh nuk pëlqejnë atë që nuk njohin. Nuk e pëlqejnë sepse në shumicën e rasteve nuk janë ushqyer me të. Nuk kanë kohë dhe nuk duan të humbin me të. Po sikur të kenë frikë? Mund të jetë dhe kjo. Poezia, me ato pak fjalë të çon në dimensione të panjohura të vetes. Të ngacmon pjesë shpirtërore që nuk ke prekur kurrë dhe kjo të frikëson!

a man lying on the floor
Photo by KoolShooters on Pexels.com

Si të shijoj poezinë?

Nëse nuk ke lexuar kurrë, harro atë që ke mësuar në detyrim në fëmijëri. Ta-ta-ta, ti-ti-ti-ta, ato ritme kaq të ngurta që na kanë larguar nga poezia e vërtetë! Fillo me një poet të vetëm. Zgjidhe të jetë i mirë, këshillohu me dikë që lexon libra cilësor. Gabimi që bëhet është se disa lexojnë me një frymë një libër poezie, e mbarojnë e kaq. Sikur të jetë roman. Libri i poezisë është ndryshe. Poezitë janë shkruar në kohë të ndryshme, gjendje të ndryshme, kapërcejnë realitetin ose e zhveshin atë. Çdo poezi është një univers më vete. Poezia ajo e mirë, të emocionon vetë… por a je ti gati për këtë? Harro pyetjet – çfarë do të thotë? -, -cili është kuptimi?-, -pse mund ta ketë shkruar kështu-. Këto janë pyetje studimore, por nëse do ta shijosh vërtetë, këto veç të largojnë. Merr kohë të jesh pak vetëm, merre me vete. Lexo veç një a dy. Mos u nxito. Trajtoje librin si një letër që të ka shkruar dikush. Lëshoje veten ndër fjalë, mendo se ku je ti në ato fjalë, zhytu në ujërat të emocioneve. Nëse të vjen vizato, afër, shkruaj dhe ti ndonjë gjë. Poezia nuk krijohet vetëm një herë, ajo ndryshon sa herë dikush e lexon. Krijohet e rikrijohet në mijëra versione pa prekur asnjë fjalë.

Lexo veten në fjalët e tjetrit. Aty bota shumëdimensionale takohen, krijohen, ngushëllohen, dashurohen. Poezia pikë takimi shpirtëror.

Krijoj, krijo

Kur me në fund u çlirova nga koncepti klasik që të tjerët prisnin të ishte poezia ime, me në fund ndjeva kënaqësi. Më pëlqen të eksperimentoj, më pëlqen të lexoj lloje të ndryshme dhe patjetër mësoj kokulur prej të mëdhenjve. Por poezisë sime di unë ç’ti bëj. E në mos qoftë e bukur, mbetet e imja, ose më shumë e jotja. Poezia, është krijimi i gjendjeve të pafunda. Është abstraktja që përçapet të materializohet duke qëmtuar një fjalë të vetme, të duhurën e cila do të mund të mbetet përgjithmonë.

Lexo edhe Poezi Japoneze

Banner

This Post Has One Comment

Leave a Reply