You are currently viewing Të panevojshme

Të panevojshme

Gjërat e nevojshme… Mbushim mendjen dhe frigoriferin me atë që mendojmë se na duhet. Ndërsa valëvisim varfërinë si justifikim për të mos u rrethuar me bukuri, varfërohemi çdo ditë e më shumë. Fiksimi se nuk del koha për t’u marrë me artin, bukurinë, leximin, pasionet tona, na mpin duke na dhënë iluzionin se po merremi me diçka të dobishme.

Lulet, nuk i duhen askujt. Ato janë kot. Ballkonet na mbajnë edhe pa to. Lulet të hapin punë. Poezitë, nuk i duhen askujt. Ato janë kot. Jeta kalon dhe pa to. Poezitë po ashtu të hapin punë. Muzika, shëtitjet, ëndrrat me sy hapur, piktura… vajtja në muze, leximi, vëzhgimi i natyrës, shëtitja me qenin. Të gjitha këto na imponohen si luks, sikur nuk i meritojmë, se ne… nuk kemi gjërat e nevojshme jo më këto…

E le ta mbajmë fort pra, frigoriferin e mbushur, dollapët me lecka, paratë në xhep, barkun me bukë. Mendimi se duhet të plotësojmë vetëm nevojat e zvogëlon shpirtin e njeriut. Mendim them se nuk përkon me realitetin, sepse shoh se ata që ankohen për varfëri, në fakt, thjesht i çojnë paratë tjetërkund, e të bëjnë të ndihesh ty “pasanik” se shkon në galeri arti aq më tepër falas.

close up photography of magnolia flowers
Photo by photos_by_ginny on Pexels.com

Çdo ditë, provo të jesh pak lule, të jesh “kot”, i padobishëm, i panevojshëm, ndoshta zbulon diçka të rëndësishme, nëse po ma thuaj dhe mua.

Gjërat e panevojshme janë më të nevojshmet – Hajdeseflasim

Lexo edhe Ëndrrën e ndjek

Leave a Reply