You are currently viewing Nuk di

Nuk di

Është bukur të dish, është bukur të bësh diçka mirë, është mrekulli të zotërosh një aftësi. Ajo që bën, mënyra se si e bën të përkufizon si njeri. Në qofsh zejtar a bujk, artist, mësues apo murator, nëse di të bësh diçka mirë je i bekuar në jetë. Të bësh, të punosh, të krijosh është një nga kënaqësitë më të bukura në jetë.

Është ama edhe një kënaqësi tjetër po aq e madhe, të bësh atë që nuk di. Shija e të qenit një katastrofë në diçka mund të jetë një nga përvojat më me vlerë në jetë.

easter rabbit painting
Photo by Olya Kobruseva on Pexels.com

Qëllim nuk është në vetvete të mësosh, gjë që mund të ndodh dhe zbulon mbase një talent të ri, qëllimi është procesi shpirtëror dhe mendor. Unë nuk di të pikturoj. Thoja, mbase është kohë e humbur të kaloj kohën me diçka që nuk di, as nuk do ta çmojë njeri, përkundrazi vetëm sa do të tallen përsëri me këtë fazë kalimtare artistike. Gjatë bërjes mësojmë, e ndërsa mësoj për ngjyrat, për dallimin e ndonjë teknike të thjesht, mësoj për veten. Po zbuloj të gjithë paaftësinë time. Sa e vështirë është të kesh diçka në mendje e ta vësh në letër vete. Po mësoj se nuk di proporcionet, nuk di të mbaj mirë penelat, nuk di të përcjell atë që kam kaq të qartë në mendje. Sa nuk di! Ndërgjegjësimi se nuk di është gjëja më e mirë që mund t’i ndodh njeriut. Mëson të qeshesh me veten. Mëson se është normale të mos dish, dhe kjo nuk të bën më të keq se të tjerët, nëse di nuk jam më i mirë. I

Të bësh gjëra që nuk dimë është përvojë njohëse të shpirtit. Shpesh shoh njerëz se nuk bëjnë diçka se nuk dinë, por më shumë është frika se do të ngjajnë qesharakë dhe do të duken keq. Po pastaj? A nuk jemi të gjithë në fakt qesharakë ndërsa pretendojmë të jemi kaq mahnitshmërisht të sukseshëm? Të mos dish është ndryshe nga dëshira për të mbetur të tillë, kjo në fakt është më e turpshme.

Herë pas here merr guximin të bësh diçka ndryshe dhe shijo sa “katastrofë” je. Shijo procesin, njohjen e shqisave, të ndjesive, pranimi se të tjerët janë në këtë më të mirë, dhe është mirë! Nuk ke lule? Mbill! Nuk je tip lexues, lexo një libër më zë. Këndo apo luaj një instrument pa frikë nga rezultati! Nuk di të shkruash, avash-avash fillo një ditar. Duke provuar mbase do të gjesh diçka që të shkon për shtat, nëse jo, kur ti khehesh asaj që di të bësh do të ndihesh rehat dhe do të vij dëshira të bësh më mirë.

Mbase kur të gjesh sa keq je në diçka do të gjesh me në fund atë që di të bësh më mirë, dhe unë ta uroj me gjithë zemer!

Qëllimi nuk është veç të shkëlqejmë por të gjejmë dritën

Ndiq Hajdeseflasim edhe në YouTube

This Post Has 6 Comments

  1. Vitus

    Shumë e cmuar. Drejt në driten. ✨❤️✨

  2. Jorida

    “Shija e te qenit katastrofe” 🤗

  3. Tani Marku

    Shuuuuumë e bukur kjo Noa! Ka shprehje shumë te goditura brenda. Si: “Po zbuloj të gjithë paaftësinë time.” ose: “Të mos dish është ndryshe nga dëshira për të mbetur të tillë, kjo në fakt është më e turpshme.” Suuuuper fare! (Personalisht modestia është një cilësi që me palos fare, më pëlqen shumë.)

    1. Noa

      Të faleminderit, më vjen mirë që i çmon… ☺️

Leave a Reply