Doja ta kisha një djal. Ta kisha rritur ngadalë, pa e bërë princ as mbret, pa e bërë zot. Ta kisha rritur jo siç duhet po siç dua. Të bëhej çfarë të donte veç të ishte njeri. Ta kisha rritur edhe unë një burrë. Ta kisha mësuar të qante pa turp, të mos kishte arsye të druhej prej dobësive të veta. Të mos kishte frikë nga vetja aq sa tmerronte të tjerët. Do i kisha mësuar gjuhën e femrës. Do i kisha treguar botën e saj, pa të cilën as vetë nuk do të ekzistonte. Doja ta kisha një djal që të sfidonte të gjithë burrninë e botës me ëmbëlsi. Do më duhej ti kisha thënë se herët a vonë do të ecte vetëm, por kjo nuk është gjë e keqe. Do ti kisha mësuar të ishte i vërtetë, të ishte shpirt-xhentil.
Do i kisha mësuar ti shihte femrat në sy, të kërcente me to, ti ishte shok para se të ishte dhëndër. E kur të rritej mirë, do i kisha thënë dy fjalë si dashurohet vërtetë një femër. T’ia kisha mësuar shtigjet e fshehta tonat, pse qajmë pak më shumë e pse buzëqeshim edhe kur vuajmë. Do ti tregoja se femrat, jo, nuk janë të gjitha njësoj. Disa i ngjajnë ca meshkujve meskin. Megjithatë, djalit tim do ti mësoja të ishte kavalier në zemër, të ishte një burrë që nuk i trembet brishtësisë. Ah, ta kisha, ta rrisja një burrë siç dua dhe jo siç “duhet”. Të ishte aq i fortë sa të mbante lotët në sy, të ecte për herë zemër-hapur, të ishte më pak luftëtar e më pak hero, të ishte më shumë shpëtimtar e me aq sa mundej pak poet. Do ti kisha mësuar të kërcente çdo lloj muzike, do ti kisha mësuar lirinë mirë dhe të dinte të lidhte zemrën me gjuhën. Hartën e dashurisë do ia kisha dhënë trashëgimi, që të veten ta gjente vetë.
Nuk do i kisha dhënë asnjë përgjigje pyetjeve të jetës, se të miat sigurisht do të ishin gabim. Përkundrazi, do ia kisha ngatërruar pak rrugën kur ta shihja tepër drejt.
Do i kisha kënduar ninullë edhe kur të rritej, që të mos harronte se jemi të gjithë fëmijë, deri në fund.
Kjo, po të kisha një djal por ja që unë nuk e kam.
Lexo edhe Po të kisha bijë
Uaaaa Noa, sa shkrim i mahnitshëm! 😍 E shijova çdo fjalë!
❤️