You are currently viewing Detoksikim – Mendimet dhe njerëzit

Detoksikim – Mendimet dhe njerëzit

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:1 Comment

Detoksikimi është një praktikë që gjendet në shumë kultura dhe vende me versionet nga më të ndryshme. Një periudhë pushimi nga ushqimi, aktiviteteti, puna, madje dhe nga njerëzit mendoj se është e domosdoshme për çdo qenie njerëzore. Detoksikimi ushqimor thonë se është i vështirë, për vete has më shumë vështirësi me mendimet.

Mendimet negative

Në radhë të parë mendimet negative nuk të bëjnë një njeri negativ, sepse sipas ndonjë studiues ato prodhohen vetvetiu. Po, kjo ishte një nga surprizat që më kanë shtangur më shumë. Paskemi një sasi mendimesh që na vijnë çdo ditë (12.000 deri 60.000) dhe 80% janë negative. Prandaj, shorti nuk është sigurisht me ne! Kështu nëse përpiqemi thjesht të heqim mendjen, të ikim nga mendimet negative, apo të mos mendojmë… është luftë e humbur. Ato do vijnë gjithsesi! Ia vlen të zhvillojmë një veti të mirë seleksionimi që na lejon të mbajmë çfarë duam. Tani mua më duket sikur mendimet e mia më grumbullohen aty pa dashje. Aty përfshihen mendime zvogëluese për veten, frika, pasiguri, ide që nuk më përkasin. Si e bëj detoksikimin? I shkruaj, i shoh me inat ju siguroj, i gris. Funksionon? Jo, është vetëm një pjesë e procesit. Por më ndihmon të kujtoj cilat janë dhe se unë vendosa se këto mendime nuk më përkasim më. Më ndihmon ta konkretizoj idenë se ato mendime nuk janë më të miat. Mua, të jem e sinqertë, nuk më pëlqen ai entuziazmi i shtirur, atë bombardim të tepruar me citime pozitive. Të jem po aq e sinqertë, dua të jem pozitive, të zgjedh ti jap një shans atij 20% që i shkreti mezi dalka në pah në trurin tonë. Mendimet duhen bërë “reset”, mua më ndihmon arti, leximi, e ecura, heshtja në vetmi. Nuk besoj të ketë recetë për të gjithë. Të gjithë mund të gjejmë mënyrën për të zëvendësuar mendimet një nga një, e të sfidojmë përqindjet e studiuara nga shkenca!

shadows of plants in vases on wall
Photo by Jill Burrow on Pexels.com

Njerëz negativë

Pra u tha, njerëz negativë qenkemi të gjithë! Vetëm se disa anojnë ta shfaqin me veten e disa me të tjerët, por edhe këto ngatërrohen nganjëherë. Sidoqoftë, pa marrë ndonjë vendim ekstrem apo shpallje publike, nuk është gabim të largojmë pak njerëzit në jetën reale apo virtuale që vetëm marrin, vetëm kërkojnë, shajnë, ankohen, të tjerat i dini vetë. Nuk është gabim të detoksikohemi nga zakoni që të pimë kafe po me të njëjtin person llafazan në punë, të bëjmë rrugën me atë komshien kokëboshe, të mos shohim rrjete sociale të njerëzve që ulin të tjerët apo kërkojnë polemika tërë kohën. Troç muhabeti, nëse tashmë paskam 80% mendimesh negative që më duhet të organizoj, të zgjedh të hedh tej e zëvendësoj, nuk marr dot përsipër më shumë!

Detoksikimi është një mënyrë për t’u kujdesur për veten. Është diçka që bëj vazhdimisht dhe rregullisht, çdo herë habitem dhe kënaqem për rezultatet e mira. Pak nga pak, hap pas hapi. Pa presion.

Lexo edhe Detoksikim – Sendet

This Post Has One Comment

  1. Vitus

    👍interessante. 🌹🌹🌹☀️

Leave a Reply