You are currently viewing BojËndërr

BojËndërr

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:1 Comment

Kësaj radhe, emocioni është ndryshe. Nuk është më i vogël as më i madh. Është një emocion pak sa më i pjekur. Pritshmëritë vetjake rriten ndonëse i afrohem shkrimit kokulur para kaq shumë talenteve që më rrethojnë nga e kaluara dhe bashkohorë. Megjithatë, dëshira për të konkretizuar dhe bërë të prekshme atë që vërtitet në “kungullin” tim është kaq e madhe sa mundohem të lë një gjurmë të vogël artistike. Janë tentativa, tentativa gulçuese për tu ndjerë i gjallë, për tu ndjerë bukur, për të materializuar fantazinë.

Ndryshe?

A është libri ndryshe nga Kurrë Gri, po përveç se është shkruar po nga unë, dhe mendoj se duket, është po aq i thjesht, nuk synon të bëj bujë letrare, por të komunikojë me ndërdijen e thjesht, me pjesën fëminore, ëndërrimtaren tonën, me tematika të kuptueshme edhe për lexuesin më të ri në moshë. Është ndryshe sepse i afrohem rrëfenjës, i pata shkruar me kohë, netëve pa gjumë, sikur ti tregoja vetes përralla për të dashur më bukur të zgjohesha në mëngjes. Ndryshe është edhe sepse kësaj here në të shoqërohen ilustrime. Do të tregoj në vijim rreth tyre.

Rreth librit

Titulli është zgjedhur sipas një nga tregimeve, që edhe nëse është i pari nuk është kryesori, por përfaqëson mirë botën time. Prapë afërsinë me botën e ngjyrave, delirin për të shpikur dhe unë një fjalë, sikur mos të mjaftonin… Një titull që nuk e zgjodha, por më zgjodhi, çuditshëm, duke shfletuar marrinat që shkruajta. Në të, do të gjeni me rradhë: BojËndërr, Populli që mbeti pa vesh, Lisi dhe Qiparisi, Bota e Nahlas, Mallkimi i Djellzës, Gur e Shkëmb, Ranushja. Uroj të gjejnë rrugën e tyre bashkë me thëniet dhe ndonjë poezi të shtuar, të cilat nuk lija dot pa vënë… Sepse poezia në fund mbetet gjuha ime e preferuar.

Midis tyre, Bota e Nahlas, është e përkushtuar gjyshit tim, i cili duke jetuar dekada në Lindje, Egjipt, pa vetëdije dhe mbase duke ndryshuar ndonjë përbërje gjenetike rrugës në shkretëtirë më ka lënë trashëgimi arratisjen dhe dashurinë për të ndryshmen. Atij, ia kushtoj këtë tregim, mbase libër që më ka kërkuar guxim që të bëhet.

Guxim

Sipas fjalorit: Vetia e atij që është trim, i vendosur e i gatshëm për të kryer një detyrë a një punë të rrezikshme ose shumë të vështirë, vetia e atij që nuk trembet nga rreziqet e vështirësitë.

Uroj që të gjithë të kemi guxim ti qëndrojmë sa më afër vetes dhe origjinalit të shpirtit. Kjo më e lehtë të thuhet se të bëhet. Sidomos kur vjen puna të heqësh frika ngulmuese si: frika se mos nuk jemi në lartësinë e duhur, se mos dështojmë, se mos nuk i pëlqejmë të tjerëve.

Para disa vitesh shkrova diku – Nuk është talent që kam por guxim të shkruaj – Talenti edhe mund të mos shfaqet nëse e ke, por guximi shpërthen për herë diku. Me këtë kam në zemër të gjithë ata që si unë dhe një qind herë më mirë se unë kanë një pasion por stepen…

Frika është e madhe edhe në rast trimërie, por dëshira, vullneti dhe dashuria për krijimtarinë e mbyt. Prandaj bëra llogari me poshtërsinë e cila fshihet pas modestisë, frikës prej kritikave, ndonjë tallje e kush e di çfarë tjetër, çfarë kishte për të lindur lindi: BojËndërr!

Ëndrrën e ndjek se realiteti nuk më shkon

Noa Nur

Hyrja

Netëve që janë po aq ditë. Kur dhe ku shpirti mpikset çuditshëm. E përditshmja mbart një rëndesë të papërshtatshme e cila lirohet vetëm orëve të vona. Trupi dëshiron të pushojë, por me sa duket tjetër gjë do të jetojë.  Netëve, të ftohtat shtresë-mbuluara, të nxehta deri në asfiksi apo ato të gjysmë- stine ku luftojmë me hapjet dhe mbylljet të dritareve, një pjesë e jona zgjerohet dhe ikën larg. Nata është si lentë zmadhuese zgjeron shpirtin,  ankthet, frikët, dashurinë, pasionin, dëshirat, obsesionet. Ne ndryshojmë ngjyrë natën. Shkëlqejmë pa hipokrizi. Ndërsa zgjerojmë shpirtin, duke e tërhequr zvarrë dhe përplasur keqas, krijohet një ngjyrë e jona. Ngjyrë që na ngjan veç neve. Kjo është ngjyra e ëndrrave tona. Ëndrrat që na zgjojnë dhe na bëjnë të flemë si bukur, ëndrrat që mbarojnë shpejt dhe zgjasin pafundësisht, ato që na trazojnë më shumë. Kjo ngjyrë bën edhe të shkruaj…

Kushtoji vëmendje mbrëmjeve, vonë, kur kthehesh nga një krah sikur në përqafim, për një çast të vetëm kë dhe çfarë mendon? Ja, aty, shtrënguar si fetus, do të kesh gjithçka mbetet prej teje, në intimen, primordiale dhe palogjikshme dëshirë. Ja, kushtoji vëmendje, sepse aty je ti!

Kjo është hyrja e librit, e cila shpreson të lejojë pak hapësirë për ëndrrat tuaja, për atë pjesën që na mësojnë të shkelim dhe të humbasim … ti mos e bëj!

Shiko Botimet Noa Nur

Porosite këtu

This Post Has One Comment

Leave a Reply