You are currently viewing Gjuha ime, gjuha jote

Gjuha ime, gjuha jote

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:0 Comments

Ka mundësi se Shqiptarët të jenë një nga popujt me të prirur për të mësuar gjuhët e huaja. Ky është vëzhgim i njohur dhe nuk do të shtoj asgjë që tashmë nuk është thënë. Faktorët janë të lidhur me vetë fonetiken e pasur së shqipës, lashtësia e saj, zhvillimet sociale dhe historike që kanë bërë bijtë e Shqipes kaq kureshtar dhe të tërhequr ndaj gjuhëve dhe jo vetëm, të aftë ti përvetësojnë kaq mirë dhe shpejt.

Megjithatë përthithja e një gjuhe ka dobi dhe rreziqe, të cilat i kam përjetuar dhe kaluar. Faza e parë Magjepsja.

Magjepsja

Kur për herë të parë dëgjon tingullin e një gjuhe të huaj, dhe kalon për pak sekonda rrudhosja e hundës, se të ofendon fakti se nuk po kupton asgjë, ajo cilado qoftë, në varësi dhe të shijes vetjakë, të magjeps. Tingujt e rinj fillojnë të futen në vesh gjarpërueshëm dhe sulmojnë, sundojnë mendjen. Ndodh një “magji”, edhe nëse nuk kuptojmë gjë, mbushemi me një zë tjetër, i cili i ëmbël apo ashpër qoftë, kalon ndryshe dhe zgjon emocione të reja. Prandaj dhe dy fjalë nëse arrijmë të mësojmë fillimisht do të na duken të mrekullueshme. Muskujt e fytyrës, e gjithë mimika ngjall kureshtje që e bën atë gjuhë mahnitëse. Vendosja e buzëve, plastika e tërë në lëvizje. Për të mos thënë tonaliteti që secila gjuhë karakterizohet. Forca e gjuhës, na tregon në çdo gërmë të saj të lexuar, apo të folur të gjithë historinë dhe shpirtin e një populli.

Në më të keqin e rastëve, kujtimet e mbetura në mendjen tonë apo në kujtesen e trashëguar do të bëjë që një gjuhë të ngjallë frikë, bezdi, krup. Në këto raste dhe më të drejtë, krijohet një farë shije të bazuar mbi ngjarje personale dhe kolektive, kështu magjepsja zëvëndësohet me acarim. Megjithatë, me pak arsyetim dhe logjik, ndoshta edhe kjo ndjesi mund të kapërcëhet me gjakftohtësi. Si nga halli dhe nga malli faza e tjetër është Mësimi.

Mësimi

Mësimi i një gjuheje është gjëja më e mirë që mund të bëjë njeriu. Besoj se në çdo rast përmirëson gjithçka rreth teje dhe brenda teje. Mësimi, në shkollë dhe me kurse, më tradicionali, mund të jetë i mirë për të marr njohuritë bazë. Por, që të mësosh një gjuhë mirë, duhet më shumë se kaq. Besoj që secili duhet të krijojë metodën e vet, disa mësojnë thjesht me praktikë, të tjerë janë të apasionuar pas gramatikës, të tjerë mësojnë në mënyra të çuditshme. Unë? Po kam bërë kurse sigurisht, por unë gjuhën e mësova në gjumë. Çdo darkë dëgjoja një këngë, ose lexoja një fragment me zë të lartë pa kuptuar asgjë. Natën me sa duket truri përpunonte, në mëngjes fiksoja ndonjë fjalë dhe me vrap e gjëja në fjalor. Pasi e shkruaja me domëthënien e saj, provoja ta përdorja gjatë ditës duke e futur në ndonjë fjali. Më pëlqente se si shtoheshin dhe krijonin një pazëll. Mësimi i një gjuhe teston karakterin. Teston vullnetin dhe sedren e tepërt. Duhet të kesh një vullnet të fortë dhe një sedër jo të sëmurë, sepse duhet të pranosh që për shumë vjet (në mos përgjithmonë) do të jesh gjithë kohës nën korrigjim dhe pse jo ndonjë tallje (uroj jo dashakeqe).

Kur fillon të ndihesh diku mirë në një gjuhë kanoset rreziku i Kolonizimit.

Vet-kolonizimi

Gjuha e tjetrit na duket e mrekullueshme! E pasur, e bukur, e habithsme! Nëse bëhet fjalë edhe për një gjuhë e folur nga shumica të mëdha, nga kombe disi më të zhvilluara, ekonomikisht më të fuqishme, kjo gjuhë do të mpak gjuhën tonë, pa dashje kjo mund të ndodh. Duhet pranuar se çdo gjuhë ka vetitë e saj dhe bukurinë e saj të padiskutueshme. Dhe, mirë është të çmojmë gjithashtu tonën, cila do qoftë ajo. Dashuria për një gjuhë duhet të forcojë lidhjen që kemi me tonën. Në fakt, duke mësuar një gjuhë tjetër mirë, është e ditur që zotërojmë më mirë dhe tonën. Kurrësesi duhet të kolonizohemi nga gjuha tjetër, por sigurisht është e pashmagshme të marrim dhe të përvetësojmë terma dhe mënyra, po kjo ndodh me kohë. Duhen, megjithatë, kuptuar njerëzit që jetojnë prej vitesh në një shtet, nëse humbasin theksin, apo u vjen mbarë të përdorin fjalët që ne quajmë të huaja, por për ata nuk janë meqë jetojnë aty tashmë… Gjithsesi, gjuha e parë, nuk harrohet lehtë, ajo ka një forcë të jashtëzakonshme, dhe nëse dikush e harron vërtetë, mund të quhet më shumë vendim. Paçka se duam apo nuk duam asimilojmë mënyra dhe fjalë, nuk mund të pranojmë të braktisim gjuhën që kemi trashëguar. Prandaj më duhet gjithmonë të kushtoj kohë dhe dashuri gjuhës sime, që nuk është domosdoshmërisht e jotja… Mua më ka ndodhur edhe një fazë tjetër, velja.

Velja

Po velesh. Vjen një moment që rasat dhe trajtat të vijnë në maj të hundës. Ajo gjuhë që fillimisht të ka tërhequr, të është dukur interesante, apo thjesht të duhet të mësosh për të arritur një synim të caktuar, të del “hundësh”. Unë këtë fazë e kam kaluar disa herë. Vinte një moment se një fjalë tjetër e huaj atë ditë do të më bënte të qaja, dhe jo se nuk e kuptoja, por sepse me sa duket truri kërkonte të çlodhej në gjuhën e rehatisë, atë që shumë bukur quhet gjuha e “nënës”. Si mund të kapërcëhet kjo fazë? Duke bërë pauza, duke qeshur sa më shumë. Unë nganjëherë nisja një gjuhë tjetër, kot për qejf, sa për ti vështirësuar vetes jetën që kjo tjetra që po mësoja të më dukej më e lehtë. Dhe këtu vjen faza e lëmshit, faza më reale, e vërtetë dhe më e lezetshme!

Lëmshi

Kur mëson gjuhën e dytë, të tretë dhe të katërt, në disa raste dhe më shumë, lëmshi sigurisht shtohet. Lëmshi është kaq i vështirë aq sa zbavitës. Fjalët fillojnë të vijnë në kontekstin e gabuar, kur e do në njërën gjuhë të vijnë në tjetrën. Shqiptimi, mund të jetë një makth, e ke fjalën shumë të qartë mendje, di dhe ta shkruash përsosur, por kur e thua del diçka që asnjë nuk kupton, dhe sa mirë qeshin të gjithë! Lëmshi shtohet kur organizimi i frazave është shumë i ndryshëm nga i yni dhe aty duket sikur edhe mendimet nuk i ke më të qarta. Por, por, kjo fazë është e pashmangshme dhe shumë e dashur. Gjithçka me sa duket do djersë, dhe të mësosh bukur një gjuhë do një energji marramendëse! Por ia vlen sepse aty do të hapet bota ose dy, apo tre?!

Bota

Përveç se dobitë që mund të sjell në çdo fushë të jetës, profesionale dhe sociale, për çdo gjuhë zbulon një botë, e cila e do të çojnë në një tjetër dhe në një tjetër akoma. Nëse mëson vetëm të zëvendësoh fjalët e tua me një fjalor ftohtë, mbase nuk do të ndjesh atë çfarë po mundohem të shpjegoj. Bota e një gjuhe është kaq e bukur. Që në mësimin e një alfabeti me tinguj të rinj apo tepër të thjesht, në strukturën interesante gramatikore, studimin e pasthirrmave dhe zbulimin e magjishëm të shprehjeve idiomatike. Një fjalë e vetme mund të çojë në gërrmime të çuditshme që do të flasin për tregime të fshehta, histori epike, për andekdota të ndjeshme dhe sigurisht humor, tradita, art, letërsi, poezi e shumë më tepër. A keni vënë re se kur flet një gjuhë tjetër edhe gjuha si organ në lëvizje të saj, fytyra, madje dhe qëndrimi ndryshon paksa? Po zëri? Mua më kanë thënë përshembull se në shqip tingëlloj pak më e ashpër dhe e drejtëpërdrejt se në Italisht, apo në anglisht jam më ëmbël se kurrë edhe nëse nuk jam aq e sigurtë. Vet, nuk e dalloj. Duket sikur kalimi nga një gjuhë në tjetër, na jep edhe modalitete lehtësisht të ndryshme të vetes. Versione tona, që duam s’duam humbasin dhe marrin ngjyra gjatë procesit, ndërsa kullohemi nëpërmjet kulturave të tjera. Gjuha ngacmon krijimtarinë.

Krijimtaria

Në çdo formë të saj kalimi nga një gjuhë në tjetren favorizon mendjen të kapërcej barriera ose të levrojë ide të reja. Kam përshtypje se ndonëse jemi të gjithë njerëz me ndjenja bazë të njëjta, disa gjëra i përjetojmë shumë ndryshe, dhe gjuha këtë ta shfaq qartësisht. Nëse jepet rasti për një përkthim kjo bëhet edhe më e qartë. Diçka që është e qartë me dy fjalë në një gjuhë do shumë e më shumë në gjuhën tjetër. Asnjë nuk e ulë tjetrën, përkundrazi, besoj se është një pasurim që i lejohet, dhe e ka për privilegj vetëm ai, që me kaq dashuri, pasion, imtësi ka arritur ta bëj të veten. Edhe zhandret e tjera janë të ndikuara nga gjuha, shiko muzikën e cila përdor terma franceze apo italiane. Apo poezia aziatike me të gjithë gamen e gjërë të llojve të saj…mund të citohen raste pa mbarim. Qëndron fakti se bëhemi më të hapur, dhe shpalosen dije të tjera të pafundme.

Në lojën e fjalës, kalimet kapërcehen si kufinj pa dogana, dhe mund të derdhim krijmitarinë dhe fantazinë tonë në mënyrë sublime.

Sapo kam botuar një libër quhet BojËndërr, nëse po merr në konsideratë ta blesh mund të porosisëh këtu. Të falëndëroj!

Banner

Leave a Reply