You are currently viewing Si artistët…

Si artistët…

Si duhet të jetojnë artistët? Si duan vërtet të jetojnë ata?

Pse përpiqem të shpjegoj këtë? As vetë nuk e di. Ndoshta sepse arti ka qenë përherë një pjesë e imja, mbase që nga kujtimet e fëmijërisë, që në ngjizje… Këtyre pyetjeve nuk ka një përgjigje të vetme. Ka vetëm hallakatje. Hallakatje sa e dhimbshme aq sa e mrekullueshme.

Artistët, do të donin besoj, të jetonin duke krijuar, punuar e bashkëpunuar, duke u treguar të tjerëve përfaqësimin e tyre të ndjenjave, botes, të kuptimeve apo të moskuptimeve… pra, të jetonin “si artistët”. Jam e sigurt se asnjë nuk do të donte të kishte të bënte aq shumë me lekët, të paktën jo deri në përçudnim shpirtëror. Artisti, kur jeton si i tillë më saktë përpiqet të jetojë, do të quhet i papërgjegjshëm, i çrregullt, njeri pa të ardhme, pra i hallakatur. I hallakatur, sepse nuk gjen dot një punë që i shkon përshtat, nuk gjen dot njerëz që janë gati të paguajnë sado pak për atë mrekulli që krijon me kaq dashuri. Nuk gjen dot njerëz që janë gati të bashkëpunojnë. Hallakatet sepse nëse do të bëj para, duhet të hyjë në një model tashme të krijuar kaq bukur, kaq çuditërisht i rregullt. Një model ku së paku duhet të bëjë kompromis me veten, me artin e vet, duke e zvogëluar, duke u përshtatur popullzimit, duke u shitur, duke humbur frymëzimin përfundimisht. Vendos artisti nganjëherë të bëhet praktik dhe punon, punon kaq shumë, sepse pikturat e bukura nuk hahen, muzika nuk prodhon energji elektrike, romanet nuk prodhojnë karburant. Prandaj punon, punon që në kohën e lirë të punojë për artin. Punon që të ketë pak kohë për të krijuar, për të dhënë a marrë prej artit. Hallakatje, përsëri, deformohet shpirti derisa nuk njihet më. I vetmi ngushëllim është se në momentet më të vështira dalin ato që njerëzit, më pas, shumë më pas, do të quajnë kryevepra, mbase ai nuk do ta dijë kurrë. Hallakatja mund të vazhdojë përgjithmonë.

Artisti, i hallakatur, di që duhet të krijojë, por nuk di për kë po e bën këtë. Nuk i lejohet të shesë por për habi i lejohet të shitet. Hallakatet, sepse sido të bëjë do të gjykohet ashpërsisht, sepse të jetosh si artistët është e vështirë.

Dëshiron të jetë origjinal por është shumë e vështirë. Sepse del copash nga procesi, dhe nuk është i përsosur. Nëse nuk është, është kopje, surrogat… Nëse ka nerv të jetë origjinal, do ta kopjojnë, oh sa do ta urrejnë!

Nëse nuk je origjinal nuk të duan, nëse je origjinal të urrejnë Hajdeseflasim

Hallakatja, është damka e trishtë dhe e shenjtë që kanë artistët. Është një rrëmujë e mrekullishme, mpirëse, shkundëse, vorbull dhembjesh e gëzimesh. Hallakatja e ëmbël pa së cilës në fund të fundit nuk jetojmë dot.

Se si duhet të jetojë një artist, apo mbijetojë, ma thoni ju!

Lexo edhe Secilit atë që meriton

Mos harro të regjistrohesh!

Leave a Reply