You are currently viewing Secilit atë që meriton

Secilit atë që meriton

Me shumë frikë, kam dashur gjithmonë të kuptoj vërtetë çfarë është arti dhe cilët janë artistët. Nuk di nga t’ia nis. Qenka më e vështirë se ç’mendoja. Arti dhe artistët, janë si një planet tjetër me banorët e vet, i cili është aq i dashur aq sa i keqkuptuar. Më vjen ndër mend, vet fjala Artist. Përkufizimi është më se i qartë, por dihet çdo fjalë merr nuanca të ndryshme në varësi të kontekstit kulturor dhe historik. Për shembull, më ka lënë gjithmonë pa fjalë kur të thonë  – Ua sa e bukur si artiste – Meqë artistët më të dukshëm ishin aktorët, njerëzit lidhnin të qenët të bukur me të qenët artist. Habitem, sepse shumë artistë nuk janë aspak të bukur, shumë të bukur nuk janë fare artistë, shumë aktorë që janë edhe artistë nuk janë të bukur. Të tjerë i referohen një djali të mirë – Ah është djalë artist – Në rastet  të tjera përdoret si për të thënë se janë të çuditshëm, të shthurur, të çmendur. Për këtë nuk do të jepja garanci. Të tjerë mendojnë se janë përtacë, pa një jetë reale, të çuditshëm, të gjithë të shthurur, pa norma dhe vlera.

Sa shumë i pëlqejmë etiketat. Ndonëse, fjalori e shpjegon bukur dhe pastër: Artisti është ai që luan një vepër arti apo e krijon atë. Pra, nuk duket kaq e ndërlikuar aq sa në të vërtetë është. Po, se marrim shpejt rolin e gjyqtarit dhe themi kjo është art e kjo nuk është. Unë nuk ndihem kaq e mençur sa të përcaktoj çfarë është Arti në të vërtetë. Më duket një kërkim i vazhdueshëm për të shprehur ndjenjat, për të treguar histori, për të dhënë. Artistët janë njerëz, po ndoshta të çuditshëm, por nuk mund të futen të gjithë në një kallëp. Ka shumë të mirë, ka shumë të ligj, ka disa që në jetë kanë qenë të dyja. Janë thjeshtë njerëz nga të gjitha llojet, rrymë mendimi, ndjekës filozofësh, besimi, stil jetese. Nuk mund të etiketohen kaq thjesht sikur një kavanoz supermarketi. Janë njerëz që kanë kaluar dhe do të kalojnë shumë në jetë. Talentin që kanë shpesh gjenetik zhvillohet me shumë mund dhe sakrifica të çdo lloj. Unë do të shkoja pak përtej shpjegimit, të fjalorit, kërkoj falje për këtë. Por besoj se jo çdo artist është artist. Jo çdo artist që shitet i tillë është thellë në dimensionin e duhur për t’u quajtur i tillë. Jo çdo njeri që shkruan, luan vegla, këndon, kërcen, aktron apo pikturon bukur është në të vërtetë Artist. Disa janë zbatues të lëndës artistike janë të mrekullueshëm, të saktë dhe të përsosur. Por më lejoni t’ju them se të jesh artist më duket më shumë se kaq. Ata kanë çelësin të shqyejnë zemrën në pak çaste. Dinë gjuhën e ekzaltimit dhe të dhembjes më të thellë. Përkthejnë dhe përfaqësojnë dashuritë detajet e jetës, lartojnë ndjenjën,  janë luftëtar të kauzave më të ashpra. Artisti i vërtetë mund edhe të gabojë në ekzekutimin e tij, por do të arrijë gjithmonë të prek zemrën, të të shkund, të të kujtojë diçka, të të ngrejë shpirtin, të të frymëzojë.

Nuk guxoj të them se një zhanër është art dhe tjetri jo. Pasi arti përfaqëson njerëzit, historinë. Nuk besoj se arti është elitar, ai i përket të gjithëve dhe të gjithë ata që ndjejnë këtë shkëndijë duhet dhe kanë të drejtën ta provojnë. Nuk mund të jetë vetëm nga një shtrese shoqërore. Arti që të përvetësohet është kombinimi midis talenti, përjetimi shpirtërorë dhe shumë “punë”. Ama përjetimi shpirtëror, mendoj se nuk e mëson dot as me vite e vite studimi.

Shitet lirë gjëja e shtrenjtë. Vitet shkollore, sakrificat, lodhjen, provat, mësimet, lotët. Artistët janë shpesh të keq paguar, detyrohen të bëjnë punë të tjera për të  mbijetuar. Artistët të tjerë, shiten shtrenjtë sepse dinë të shesin. Dinë të thonë atë fjalën e pisët, kanë kërcimtaren e duhur që të tërbojë turmat e Youtubit. Prapë, kush jam unë të gjykoj? Pëlqimi është subjektiv. Prandaj them se gjithsecili ka artin dhe artistin që meriton. Po sepse kur ankohemi se nuk ka artistë të mirë, gabohemi, përderisa vazhdojmë të pëlqejmë dhe të ambientohemi me atë që na jepet.

Gjithsesi, përsëritëm, ka artistë plot dhe jo të gjithë janë të tillë. Të tjerë nuk e mbajnë këtë emër, por në të vërtetë janë!

This Post Has 3 Comments

Leave a Reply