You are currently viewing Një ditë me mua – Pemë hurmaje

Një ditë me mua – Pemë hurmaje

Pemët e Hurmës. Si eshtra të zeza thyejnë mjegullen e hirtë, të thata, eshkël, shpojnë retë. Ndizen hurmat si poçe të gëzuara, thyejnë trishtimin e zbehtë. Pemët e Hurmës thurin lavdinë e fshatit …fshehurazi. Ndërsa oxhaqet e lartë psheretijnë në merak. Shfryejnë tym të zi, nxihet qielli. Hi dhe tym fshati friket, ftohtë. . . dridhet. Rumbullak e rrumbullak hurmat e arta. Frut dimëror i çamarrokut fshatar. Mjaltë-sheqer e qullët në qiellzë. Oxhaku s’ngopet, ha dru zjarri, flak. Ngjyrë kuqrremë, portokalli e hurmë nëpër zjarr bubulak, Flakërojnë faqet e fëmijve. . . ndizet shtëpia me dritë. Kanistra plot me arra, lajthi, e gështënja Tregon plaka ca gënjeshtra. Hurma ngjit nëpër faqe, buzë e gishta. Flakëron gjithë fshati me pemë hurmaje.

Unë kam mësuar artin e zëvëndësimit. Arti i zëvëndësimit është ai veprim kur zëvëndëson zhgënjimin me ngjyrat e jetës që vetëm ti di të gjesh, kur zëvëndëson mërzinë e plogët me sajesa shumëngjyrshe.

Sa mirë që jeta të dhuron atë që të duhet për të shtyrë kafshatat që ngecin në fyt. Tamam si hurma pa farë që disa gëlltisin pa problem, e unë me habi i shoh e them si arrijnë? Unë në fakt për ndryshe arrij shpesh të gëlltis gjëra më të forta, të tharta e të çuditshme, dhe kjo falë artit të zëvendësimit. Zëvendesoj zërat bezdisës me muzikë, zëvëndosoj ftohtësinë me zjarrin që arrij të krijoj vet. Kënaqem duke marr hua atë çfarë nuk është e imja e duke dhënë gjithçka mundet në fakt të jetë. Nuk më kujtohet ku po shkoja gjatë këtij udhëtimi të rrethuar me pemë hurma, nuk kujtoj kë takova, as nuk e di nëse dua ta kujtoj. Jeta ama të jep në formë kujtimi një kartolinë plot aroma dhe ndjesi që nuk të shkulet, ajo zëvëndëson atë që nuk dua të kujtoj më. Pemët e hurmës, më thonë se dimri i ftohtë ka pak ngjyrë dhe mbase ka pak ëmbëlsi, e mbase ka pak ëmbëlsi.

Foto by Dizajniri

This Post Has 5 Comments

  1. Vitus

    ❤️🌹❤️

  2. Arjola

    Me pelqeu shume! E thjeshte, e bukur dhe perfshirese! 👏

    1. Noa

      Faleminderit e dashur, kënaqësi për mua!

  3. Bler

    Meditim i shkelqyer,ndjenje e thelle nepermjet vargjeve.
    Faleminderit per penen tende sepse gjejme veten.
    Ate qe s’arrijme ta themi ne vete ja ku je ti.Sinqerisht faleminderit.

    1. Noa

      Sa e nderuar ndihem…

Leave a Reply