Miqësia sipas fjalorit është një ndjenjë dashamirëse ndërmjet njerëzve pa lidhje gjaku, që mbështetet në besimin dhe në nderimin e ndërsjellë, në qëllime e në ideale të përbashkëta.
Miqësisë si dashurisë, pak i ka mbetur të shtohet. Nëse me kalimin e kohës dhe rritjes kuptojmë se ka lloj dhe faza të ndryshme miqësie, arrijmë të pranojmë se është aq e mrekullueshme sa e rrallë. Fjala miqësi, është zbehur pak sa nga përdorimi abuziv. Po, sepse miqësia përdoret si çelës për të hapur dyer, për të mbaruar punë, për të shfrytëzuar në çmim, për të ngrënë qyl, për të marr hua pa kthyer kurrë, për të pritur çka nuk u takon, për të kaluar radhë, për të mbaruar punë shpejt. Pra, miqtë nuk i duam por na duhen.
Në treg
A nuk ju ka ndodhur në treg t’ju bëjnë ulje? Mua po, me që je ti thotë, duke më sugjeruar se jemi shokë prej vitesh dhe prandaj po më ulë çmimin vetëm mua. Unë në fakt kam më pak se 3 minuta aty. Po prit se nuk ka mbaruar. Çmimi është 1000 lekë, ky shitësi i panjohur që improvizohet mik, e ulë çmimin dhe ma jep për 800 lekë. Diçka egoiste ndodh në mendjen time. Nëse ky i panjohur po e ulka, pse mos të pyes vërtet dikë që njoh? Ndriçohem dhe kujtohem se kam një shoqe të vjetër që shet të njëjtën gjë. Kështu largohem nga miku i tregut për tek shoqja e vërtetë. Fundja mund të bëjmë dhe pak muhabet. Oh sa lezet ka të takosh miqtë pas kaq shumë kohësh, në fund blej atë që më duhet dhe me që më ka shoqe të vjetër ma lë 1500 lekë.
Në zyra
Radhët, burokracitë, të marrësh atë që të takon dhe jo të kundërtën mund të jenë një përvojë sfilitëse. Prandaj njerëzit e dashur gjithmonë të thonë, po pate nevojë më thuaj se të ndihmoj unë. Bie njeriu i shkretë preh se kujton se thjesht do gjesh një çik ngrohtësi, një fjalë të mirë, të paktën mos të trajtohesh si bagëti. Atëherë kujtohesh se njeh Filanin, kurrë mos qoftë, nëse do të sorollatesh një herë më shumë se zakonisht do nisësh të qerasësh gjithë dynjanë për një gjë që në fakt duhet të marrësh falas, dhe do jesh për jetë në borxh për një gjë që në fakt ishte detyrë e tyre.
Rregullime
Nëse të duhet të rregullosh diçka do kesh me siguri një mik që ta do të mirën dhe do të insistojë ta bëj falas ose me shumë pak lekë. Do shikosh gjithë fisnikërinë e miqësisë në veprim! Shumë shpejt do të zbulosh se personi për një mijë arsye nuk ta bën si do, siç duhet, dhe po ti thuash një llaf do të thotë e po me kaq lekë mos pretendo! Do të ndihesh në borxh gjithë jetën, për diçka që doje të paguaje, e doje të ishte ndryshe.
Ndjenjat
Nuk bëhet pazar me ndjenjat. Të flasësh për miqësinë në terma parash është disi e ulët, e prapë sado “interesa të përbashkëta” të kemi është interesi që i ndan miqësitë më të mira. Ndjenja ndërtohen dhe mjerisht lëndohen, afrohemi dhe largohemi. Nganjëherë jo për faj tonë por të jetës. Herë të tjera duket qartë ata që kujtohen për ty sepse u pëlqen të rrinë me ty, të duan, kanë respekt e jo se u duhesh. Në të vërtetë miqësitë e vërteta nuk kanë lidhje me shijet por me vlerat.
Miqësi marketingu
Dhe ja që gjithçka bëhet kështu share për share, follow back, like për like… Të ndjek ty se dua të më ndjekësh. Të shkruaj se dua të përkdhel egon time, dua nga koha jote, vëmendje. Nuk më intereson asgjë veç meje. Jemi shushunja interesi. Për ty do të kujtohem vetëm kur do të më duhesh fiks si në jetën reale. Japim like e lajka sepse i duam në këmbim. Fjala Miqësi është bërë pseudonim për Marketing. Në fakt, si për ironi, shumë rrallë njerëzit se mendoje që kishe miq do të mbështesin në projektet e tua qofshin profesionale apo personale. Këtu, situata kthehet në parodike. Po, sepse do të kesh miq të mirë që nuk kanë interesat e tua dhe përfitues që kanë interesin e tyre.
Mos më merrni kaq seriozisht, ekziston miqësia. Për këto që ndodhin, nuk e ka faj ajo por ne që nuk dimë mirë ti përdorim fjalët. Quajmë mik çfarë na bie mbarë … Mbase në këtë moment po e shijon atëhere, shijoje deri në fund, e meriton! Ajo është ndjenja dhe ndjesia më e bukur në jetë!
Lexo edhe Nuk di