You are currently viewing Hajdeseflasim për Krujën

Hajdeseflasim për Krujën

Nuk ka turist mesatar që mos të dojë të vizitojë Krujën. I huaj apo jo. Kruja ishte dhe është kartolinë historike e kulturore, një përfaqësim të Shqipërisë i cili është gdhendur mjaft fuqishëm në nën-ndërgjegjen shqiptare. Për një të huaj, qoftë ky kureshtar apo i mefshtë, mbetet etapë e detyruar. Pikërisht ky “detyrim” e shfuqizon një qytet kaq me rëndësi. Ashtu sikurse shfuqizohet një Venecia apo një Paris nën pusthimit e suvenireve plastike, foto ideale dhe të rreme në rrjet, shfrytëzimit të pashpirt që i bëhet këtyre vendeve të pavdekshme. Fati i tyre është të mbartin peshën e bukurisë, të historisë, të një lloj ekstaze e marrë turistike. Kjo kthehet në mallkim. Ja, që qytetet të përjetshme janë përjetësisht nën torturën sfilitëse e turistit mediokër.

Vendet turistike duhen mbrojtur nga turizmi. Ashtu sikurse duhet mbrojtur tregu nga tregtarët, arti nga artistët, poezia nga poetët, historia nga historianët… dhe kështu me radhë.

Muzeu

Ja, që në muze duhet shkuar. Më pëlqen të vij përreth me qetësi, duke pyetur veten sa di, sa dua ende të di, dhe pse nuk di më tepër. Prej tij del me më shumë pyetje se sa përgjigje. Por, është ndjesia që duhet ruajtur. Ndjesia që secili prej nesh akumulon ndërsa shkel në vende ku e kaluara është akoma kaq e pranishme.

Muzetë, janë të mërzitshëm, thonë, prandaj duhet vajtur. Të mërzitemi pak, të shohim çfarë qenka në gjendje të mbaj njeriu, çfarë tregohet për një popull. Çfarë jemi në gjendje të bëjmë e të mos përsërisim.

Midis legjendes dhe historisë ndodhet versioni i zemrës, ai i duhuri.

noa nur

Një ditë në muze, të tregon pak çka jemi dhe nuk e dimë se jemi. Na bashkon pak por dhe pak na ndan. Nuk mendoj se shkohet aty për të bërë foton e radhës me Gjergjin Kastriotin dhe shpatën e tij, mirë dhe mund ta bësh, nuk ka gjë, por edhe mirë të heshtim pak… Pyes veten sa nga gjetjet arkeologjike ( të ruajtura edhe në këtë muze, të tjera replika) janë akoma në ADN tonë?

Pas magjepsjes së kaligrafive të lashta, dhomëzës së arbëresheve, figurave antike, koleksionit në mur të pikturave së Skënderbeut dhe versioneve së hundës së tij, dola pak më shqiptare seç hyra.

(Sa për hundën e pëlqej jashtë mase)

Shkoni në Krujë!

Shkoni në Krujë, shkoni në Muze, shëtisni në Pazar, por shkoni ngadalë. Shikoni mirë çfarë blini, të jetë autoktone, të jetë një kujtim i vërtetë të vendit, të jetë i krijuar nga artizanët. Mjerisht për shkak të rënies së tregut, dyqanët janë të “detyruar” të shesin mall industrial nga popuj fqinjë. Më vrau sytë (më shumë zemren) të shoh suvenire të “huaja” të shënuara me ALBANIA kur faktisht ishte e qartë se vetëm Shqiptare nuk janë. (Sikur ta shihte Gjergji ç’bëhet!) Është e vërtetë se “duhet të hamë bukë” por nuk kemi pse gënjejmë turistin e gjorë që kthehet në shtëpi me një send nga Roma apo Stambolli. Mund të shesim se duhet të mbijetojmë, por a mund të shitet identiteti? Të mësosh të dallosh origjinalen, na bën të ndihemi mirë kulturën tonë, duke çmuar dhe atë tjetrit.

Kruja dua që të mbetet margaritari i vogël i Shqipërisë Turistike, të vazhdojë zakoni ku sa herë vijnë miqtë i çojmë tek Muzeu Kombëtar dhe Muzeu Etnografik . (të cilin e di përmendsh) Dua që të shijoj për herë bisedën e krutanëve buzagaz, të jetë gjithmonë ajo përvojë e këndshme përfaqësuese që mund të mbetet në zemër ndër vite.

Lexo edhe Shtëpia e Filip Shirokës

Banner

Leave a Reply