You are currently viewing Intimitete poetike – Koment

Intimitete poetike – Koment

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:0 Comments

Duhet ta pranoj se mua, poezia më pëlqen ta lexoj, me shumë se çdo gjë tjetër. Pikërisht për këtë aq e shijoj kaq sa mezi e gëlltis. Kam krijuar një shije tekanjoze. Paçka se nuk e kritikoj kurrë ashpër në vet-vete poezinë si rezultat i trysnisë shpirtërore, larg qoftë po ta bëja, ajo më godet vetëm me raste. Thënë kjo çiltërsisht, nuk i shmangem leximit të poezisë bashkëkohore, përkundrazi e kërkoj.

Poezia e fundit sikur e para

Kam një prirje të çuditshme, i lexoj librat mbrapsht. Ashtu e lexova edhe këtë. Poezia e fundit, mbase e lënë për në fund ose rastësi, është e preferuare ime. Pra, po të isha një lexuese normale mbase do të duhej të ishte në fillim.

Lirikë

Më shumë të doja kur ëndrrat më sillnin pranë teje

dhe komunikonim të dy me gjuhën e qenësisë.

Për të ardhur buzë femërorës do thyhej çdo

ligjësi e nuk do të kem frikë të marr leje prej Perëndisë.

Të doja kur imagjinata ecte me shpejtësinë e dritës

e udhëve të Kozmosit ndeshesha me buzëqeshjen tënde.

Rruga e Qumështit është kthyer tashmë në vend-takimin tonë

dhe të nisem e të vij tek ti do më duhet të kaloj sa

post-blloqe yjesh ku fjalëkalimet do të jenë veç fjalë prej zemre.

Tani të dua edhe më… mëngjesi dhe një dritë verbuese

prej syve të tu më sjellin më pranë diellin.

I yti shpirt formësuar me palcë prej metafore

më dërgoj në Epoka të Perëndive nga

ku më me një frymë mitologjike mund të prek ty

qiellin.

Poseidon ardhur me grimca jete prej detit

do uzurpoj stuhitë e mia e do marr prej tyre

fuqinë për të dashuruar.

Do të dua dhe kur atëherë fryma jote

të jetë shpëndarë burim jete kudo ku gjallojnë humanë

e pranë tej një qiparis i lartë vështron

bukurinë tënde plot lakmi

Rei Hodo

Dy fjalë më shumë

Gjatë gjithë libri gjenden figura letrare të kërkuara, të lidhura me mitologjinë. Duket sikur autori jo vetëm po shpalos njohurinë e tij katërçipërisht por deri diku po përzgjedh lexuesin me kujdes. Haptazi, gati paturpësisht, dëshiron të lexohet vetëm nga ata që tashmë njohin literaturë dhe mirë madje.

Fjalët e zgjedhura janë shumë larg fjalorit urban ndonëse diku gjendet edhe ndonjë tentativë të këtij të fundit. Në fund zgjedh të ndajë veprat në cogitatio, lirika; ndërkohë, në shumë të tjera poezi gjenden cituar autorë të famshëm dhe vepra, të përdorur herë frymëzim stilistik herë si subjekt. Më duket sikur ky libër ka kaluar mirë nëpërmjet mendjes dhe nuk është aspak impulsiv. Poeti i mëshon trishtimit dhe një lloj zymtie, kjo është pjesa, sipas meje, kur ai lëshon disi kontrollin intelektual dhe tregohet i hapur në shpalosjen e ndjenjave rinore, zhgënjimit, kërkimit shpirtëror, dashurisë.

Doja të thoja dhe një çudi tjetër. Vjet kur e lexova më erdhi pak më i rëndë, e kam tretur disi, dhe e shijova për së dyti. Këtë e them edhe si sugjerim për lexuesit që nuk janë mësuar me poezinë, ajo duhet lexuar nga pak dhe herë pas here… duhet medituar. Mbase vërtet poezia është si e gjallë dhe rritet në kohë, ndryshon, ashtu sikurse ne. Do ti uroja gjithsesi autorit, tashmë i mbuluar me një lloj shkëlqimi cilësie intelektuale, ti jepte hapësirë vetes si më njerëzor dhe më pak i “kalkuluar”.

Po të kisha imagjinuar poetin, nuk më përkon fare me një qenie të epokës sonë. Duket sikur shkrimi i tij i përket periudhës romantike. Mbase, në mënyrë të pavetëdijshëm dëshiron të rikrijojë veten si ndonjë personazh Dickens-i: Një poet i zymtë, i gllabëruar nga mendimet e veta, skllav i detajeve po të veta.

Poezia dhe trishtimi ecin në krah. Kjo nuk duhet ti tremb në fakt lexuesit, sepse pikërisht në këto gropëza errësire gjendet drita, kapërcimi, beteja dhe fitorja në çdo nivel të jetës.

Bashkë me urimet e mia më të sinqerta, autorit Rei Hodo.

Lexo gjithashtu Libri i kujtimëve dhe i harresës – koment

Banner

Leave a Reply