You are currently viewing Shtëpia e Filip Shirokës

Shtëpia e Filip Shirokës

Dashuria ime për etnografinë dhe historinë nuk mund mishërohej më bukur se në vizitën e fundit që i bëra Shkodrës. Gjithmonë në kërkim të poetëve, kësaj radhe i gjeta edhe shtëpinë!

Zbulova një vend ku historia dhe përpjekjet për të ruajtur traditën janë të përziera me jetën e përditshme. Një shtëpi tipike shkodrane, shqiptare. Nuk mu desh shumë të dashurohesha me një shtëpi të tillë.

Vetëm fakti se aty jetonte një poet, kaq mjafton për të më çuar në ekstazë! Filip Shiroka, (1859-1935) inxhinier, poet dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Nën emrit të tij numërohen 60 vjersha tregime të shkurtra, shtjellime fetare, përkthime. Përveç këtyre gjendet korrespondenca e tij, sigurisht me vlerë historike.

Shko dallëndyshe nga Filip Shiroka

Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Shndet prej mejet të m’i falesh
saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt e fmnisë,
shko n’at Kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Me ato male, me ato kodra,
me ato prronje rreth t’përfalesh;
n’ato fusha qi m’ka Shkodra,
të lulzueme, aty t’ndalesh,
tue këndue me ambëlcim:
fal me shndet gjytetit tim!

T’mujshe edh’ un me fluturue,
dojsh’ edhe un me u nisë me ty,
dojshe n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at vend me sy!…
Por… ti shko atje flutrim;
e ti qajma fatin tim!…

Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!…

Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni
n’ato vorre me vajtue,
ti dallendyshe, veshun në zi,
ti aty pra qaj për mue,
me nj’at za t’përmallshëm shqim,
kangën tande për vajtim

Shtëpia Muze

Në këtë shtëpi dhomat origjinale dhe ekzistuese janë rikonstruktuar në respektin e traditës dhe shijes historike. Me dashje janë lënë disa detaje të pa prekura, ambienti frymon histori. Dhoma e poetit është një nga dhomat më të veçanta. E rregulluar me elemente antike origjinale të cilët i përkasin epokës dhe stilit. Sënduku, shtrati i kadifët, dritaret e vogla tipike, druri që kërcet, mobilët e përjetuara sikurse shtëpia ndër shekujsh. Mua, më vjen të zë një qoshe aty të merrem me shkrime… kështu përgjithmonë.

Ky vend kaq i çmuar, do kohën e vet që të shijohet. Nuk do të lija pas dore koleksionin e bukur të fotografive në pjesën e restorantit. Vendi është në mes të qytetit dhe nuk ka pamje të jashtme të veçantë, në fund të fundit është një shtëpi. Por, brenda, kur futesh çelet si lule sekrete, në mes të realiteti urban të këtij qytetit. Gjithashtu kanë rregulluar një ambient për veshjet tradicionale origjinale. U preka kur pash koleksionin e bukur të veshjeve pothuajse nga e gjithë Shqipëria. Rroba që kanë veshur breza grash dhe burrash, me një stil identifikues dhe plot domethënie. Janë më shumë se 100 veshje nga e gjithë Shqipëria. Shumë prej tyre mbartin sekrete dhe kuptime mistike. Gjithçka për ti dhënë një pickim fantazisë sime!

by Visar Kryeziu

Nga hedh sytë gjen diçka që i përket historisë së Shqipërisë. Koleksion personal të pronarit, por bujarisht i ekspozuar. Oborri, të çon pas në kohë. Që aty sheh komplet ballkonet e varura të cilat janë ndërtuar në vazhdim të origjinales. Atmosfera fle dhe zgjohet gjatë ditës duke falur çaste meditative dhe të hareshme. Dëgjohen zëra të hareshme, fëmijët dhe në darkë sigurisht nis muzika. Besoj, të huajt kënaqen shumë me këtë zhytje absolute shqiptare. Ama çdo shqiptar bën mirë të marrë parasysh këtë vend, ku secili gjen veten. Është një përvojë që ia vlen të shijohet, pse jo me ushqim të mirë dhe hare.

Në këtë shtëpi ka vite tashmë që ndodhet Hoteli – Restorant Tradita mjaft i njohur.

Fotot të përdorura në blog janë nga Visar Kryeziu

Lexo edhe Poeti që mbeti i ri

This Post Has One Comment

Leave a Reply