Në rradhë të parë falënderoj gjithë ata që janë regjistruar mbrëmë, dhe nuk ishin pak! Kanë qenë 6 vite interesante, plot emocione. As vetë nuk e dija cilat ishin pritshmëritë e blogut. Di se mua më pëlqen të ndaj. Të ndaj me ju mendimet e mia edhe ato më të thella dhe të ngatërruara. Do më pëlqente të vazhdoja, të kisha projekte të reja për të ndarë me ju, pranoj se entuziazmi nuk është çdo ditë i njëjtë, ditët ruajnë surpriza kur të ndash me të tjerët mund të jetë shumë e vështirë, e lodhshme dhe mbase duket gjithçka e kotë.
Gjithsesi ja ku jam akoma duke shkruar dhe duke u munduar të ndaj me ju mundësisht diçka pozitive, reflektime personale por që kurrsesi duan të jenë ankesa. Duhet të shkruaj më shumë, ose më saktë të postoj më shumë, nuk është as kjo gjë e lehtë. Të vendosësh çfarë të ndash me të tjerët më mundon. Jo shumë meraku nëse do ta pëlqejë njeri aq sa meraku se mos fjalët e mia apo humoret e mia të errëta mund të rëndojnë dikë, dhe për këtë nuk kemi nevojë, aspak. Ju falënderoj shumë për ata që më ka mbështetur që nga fillimi, që janë regjistruar veç dje, që kanë pasur interes për poezitë e mia, që më lexoni me kaq dashamirësi.
Të jem e sinqertë shpesh kam menduar të heq dorë, fundja kujt i duhen skrimet e mia? Shumica e njerëzve nuk e di se ekziston. Të tjerë nuk kuptojnë as çfarë është. Të tjerë akoma nuk çmojnë. Por ne nuk ekzistojmë për të tjerët. Unë jam plotësisht unë derisa mund të shkruaj. Diku kam lexuar se dielli perëndon çdo darkë edhe nëse nuk e sheh njeri, dhe është gjithmonë bukur.
Ata që krijonë duhet të krijojnë, edhe nëse nuk fitojnë asgjë, edhe nëse kanë gjithë botën kundër, edhe nëse nuk i kupton njeri. Ne jemi atë që bëjmë, prandaj mua më duhet të shkruaj.
Kur shkruaj jam unë
Noa Nur
Dëgjoma zërin këtu YouTube