Interesante se si një ndërtesë kaq e rëndësishme, e bukur, që ndoshta përmban pjesëza të jetës së shqiptarëve, një po e një jo, të shpëtojë nga vëmendja e shumëkujt. Një ndërtesë kaq e dukshme epadukshme. E vura re vetëm ca kohë më parë kur pashë një tabelë jashtë që shkruante “Shtëpia me gjethe” dhe tregonte oraret e hyrjes. I thashë vetes: shiko sa mirë një muze tjetër.
Shtëpia me gjethe, e njohur me këtë emër, është ndërtuar më 1931 nga Dr. Jani Basho, u hap si klinikë obstetrike. Qëllimi i ndërtesës ndryshoi, nga vendi ku mjeku i njohur mbështeste jetën, në një vend ku planifikohej vdekja dhe tortura. E gjeta këtë rastësi, paradoks të errët. Si fakti që një ndërtesë kaq e lezetshme në mes të Tiranës të kishte një qëllim kaq të tmerrshëm.
Pse duhet ta vizitosh?
Ç’më duhet? Pse duhet ta vizitoj? Një arsye, për ata që pëlqejnë arkitekturën, ndërtesa është e bukur për t’u parë. Të jem e sinqertë fillimisht ishte gjithçka më tërhoqi. Sepse dua të shkel në vende të bukura, të menduara mirë, me histori nga pas. Një ndërtesë me shumë dhoma mjaft e përshtatshme për qëllimin praktik fillestar, vëmendje të jashtëzakonshëm tek detajet. Dritaret që ndriçojnë shkallaret e
brendshme. Arsyeja tjetër, ajo përmban esencën e diktaturës. Ndoshta vetë ata që e kanë kaluar në kurriz refuzojnë ta përmendin. Ndërsa të tjerë e kanë veç me të dëgjuar. Duhet vizituar për të njohur Shqipërinë dhe shqiptarin.
Po, mërzitesh nganjëherë kur gjërat nuk shkojnë mirë në këtë vend, kur reagimet njerëzore të popullsisë kalojnë nga një “marrje kot” adoleshenteske ose në të kundërt,
indiferencë e tmerrshme. Në përfundim të vizitës arrij të them: Tani kuptoj shumë gjëra. Thonë se traumat skaliten në ADN, dhe kalohen në breza. Ajo shtëpi i ka të regjistruar shumicën prej tyre. Mua më bën mirë të vizitoj vende të tilla. Aty, renditen emra njerëzish, histori të ndryshme, shembuj të së përditshmes të një spiuni, shembuj të jetës të një të spiunuari. Më rrit dhembshurinë për këtë popull të
lodhur.
Si hyra:
Hyra me qejf të madh, pasi isha shumë e interesuar për ndërtesën e bukur. Bileta kushton 700 lekë, e mora me nge. Më kaloi koha si pa kuptuar. Stafi më lajmëroi se po kalonte ora dhe më bëri një shenjë në biletë kështu që mund ta përfundoja vizitën të nesërmen. U treguan shumë të mirë. Të dyja ditët sa më shumë qëndroja në ato dhoma tavanlartë, më shumë fundosesha në mendime. Çdo hap më thellë, rrëqethesha. Lista emrash, pajisje, sende, instalime, intervista, video, regjistrim zërash e ndërkohë m’u kall data.
Si dola:
Dola, pas disa orësh. E vetëdijshme se gjërat nuk kalojnë aq lehtë, se jemi bijë pasojash. Pak me një ndjenjë ankthi. Ankth që përjetohej gjithë kohës, mbase, gjatë regjimit. Ankthi buroi pyetjen: Nëse në atë kohë ishin në gjendje të shkatërronin jetën e një njeriu, familjeje dhe fisi me kaq pak mjete . . . fjalinë
nuk e mbarova dot. Një hap nga dera kryesore, ndërsa përshëndetesha me stafin e Shtëpisë së gjetheve dhe ja shtrihej para meje Parku Rinia, në një ditë me diell, qenushët përreth, fëmijët që loznin, të rinjtë me patina vërdallë Tiranës.
Mora frymë thellë – Pranvera është këtu – thashë, buzëqesha ndërsa i hidhja
syrin akulloreve tek Shallvaret.
Ps: Nuk dua të përshkruaj imtësisht çfarë kam parë, as të tregoj shumë foto, ju ftoj të merrni kohën ta vizitoni. Disa mund ta shohin diçka “që duhet shmangur” sepse shkakton dhembje. Them më mirë le të na shkaktojë pak dhembje “që ta shmangim” dhe mos të përsëritet.
Lexo edhe Antidota e dhembjes
E vertete, prandaj thuhet se per te rregulluar nje reagim a qendrim, puna fillon 2-3 breza perpara.
Jam kurioze per kete shtepi! 😊😊
Brezi ynë e quante “Ministria e thashethemeve” këtë godinë që sot ia kanë jeshilosur emrin, por që asokohe të vetmet gjethe që rrëzonte, ishin jetët e rrënura të viktimave që projektohesh aty. Gjithsesi, asgjë s’ka nën ato gjethe të vyshkura që mund të të mësojë diçka për Shqipërinë dhe shqiptarët, përveçse të shuajë kureshtjen e atyre që sot quajnë “Shtëpia e gjetheve” atë që realisht ishte “Shtëpia e përgjimeve”😉
Ashtu është. Unë mesova shumë gjithsesi.