Le të themi se
Nuk ka një rregull të shkruar mbi gurë, për disa arsye: Një sepse rrjeti social dhe bota virtuale është shumë e shpejt dhe përditësohet çmendurisht. Ja përshembull sapo doli një aplikacion nga Instagram që quhet Threads, pas secilit tani do çmendemi pak…të paktën për pak kohë. Le të themi pra se mania për të arritur maksimumin është rrugë e gjatë dhe e vazhdueshme. Për një agjensi marketingu apo biznes qasja është pak më e egër dhe natyrisht më e drejtëpërdrejtë. Artisti gjendet midis dëshirës për të shfaqur butësisht dhe me dinjitet punën dhe druajtjes së mos gjatë këtij procesi humbasim. Se mos humbasim shpirtin, lirshmërinë, dhe bëhemi komercial. Megjithatë për të bërë më të mirën duhet patjetër të merret parasysh se jetojmë në këtë epokë dhe mund të përdorim mjetet që kemi pa frikë!
Kafe de Paris
E kam imagjinuar veten disa herë në një kafene parisiene, duke pirë diçka, e të bëja bisedime me ndonjë shkrimtar që më vonë u bë i shquar. Në atmosferën dekadente të 1900-ës, ku shpresoj të paktën në këtë imazh të isha një zonjë me para, që të blinte art aq sa vlente dhe të këmbente ide pse jo të zihej me artistët ndërsa organizonte ndonjë ekspozitë. Megjithatë, sot qellon të krijojmë vetë kafenë tonë De Paris, apo cilin duam, nga shtëpia jonë. Prandaj, në se je krijues ndjeje veten se do të gjesh veten në një ambient të rehatshëm dhe artdashës edhe nëpërmjet rrjetit. Konsideroje një Atelier, galeri, punishte, studio dhe shijoje! Megjithatë një faqe Instagram të bukur nuk mjafton nëse nuk është vlera e punës në të… Por ky është muhabet tjetër!
Sugjerime praktike
Këshillat për rrjetin janë pafund por do të veçoj disa që duhen shqyrtuar herë pas here. Ju siguroj se kam mësuar duke provuar dhe nga gabimet e mia. Do të mundohem të jem më specifike dhe do të vazhdoj të përditësoj këtë artikull herë pas here.
- Foto profili
- Biografia
- Mendësia
- Saktësia
- Rregullsia
- Cilësia
- Links
- Hashtags
Foto
Foto profili duhet patjetër të zgjidhet me kujdes dhe të jetë që kujtohet dhe njihet lehtë. Mund të jetë një fytyra, nëse nuk ke vendosur anonimitetin total, fytyra është gjithmonë një shenjë transparencë dhe përfaqësimi më i mirë. Kjo nuk do të thotë se duhet mbushur komplet me selfie dhe foto personale, por së paku në bio mund të prezantohesh. Nëse, ndryshe të pëlqen të mbash pak misterin, zgjidh një foto që përfaqëson qëllimin. Foto sa më cilësore të punimit tënd, një pikturë apo simbol të pa ngatërrueshëm tëndin. Mund të jetë edhe një Logo. Por ki kujdes që të jetë serioz dhe të dallohet qartë. Mos e ndrysho shpesh që të jetë memorizohet mirë dhe të njihet shpejt kur të kërkojnë.
Biografia
Në rradhë të parë, mendoje si diçka që ndryshon me ty. Ajo mund të përditësohet herë pas here. Përdor fjali që sqarojnë vizionin tënd, përfaqësojnë veten dhe tregojnë qartë qëllimin duke i ftuar në veprim. Përshembull nëse shet diçka apo ofron një shërbim mos harro ta vendosësh në Biografi. Përdor ndonjë emoji për të tërhequr vëmendje. Shmang fontet të ndërlikuara sepse shpesh nuk lexohen lehtë në celular tashmë me shkrim të reduktuar. Mund të shtosh edhe një hashtag (shiko më poshtë).
Mendësia
Mendësia është shumë e rëndësishme. Nuk pretendojmë të funksionojë rrjeti nëse nuk duam të bëjmë asgjë. Përdorimi i rrjetit social kërkon një mendje në zhvillim, dëshirë për të promovuar veten dhe të tjerët, energji. Kjo nuk do të thotë që të bëjmë kompromisë me vizionin tonë, përkundrazi. Ama, duam të vlerësojmë edhe çfarë na rrethon, të bukurën dhe të dobishmën.
Çudi se si nuk kemi turp të kërkojmë reklam duke lypur një share apo mbështetje por kurrë nuk harxhojmë sikur pak sekonda për të vlerësuar të tjerët. Vërtetë duhet të besojmë se je vetëm ti ai që meriton vëmendje dhe promovim? Se nuk paska të tjerë?
Një mendësi elastike, plot dinanizëm dhe e hapur, ndikon shumë mirë në prezantimin e përmbajtjes tënde. Vlerësoje punën tënde, ndjehu mirë me të, ndero mundin tënd, artin tënd!
Saktësia
Nuk dua të them se duhet humbur natyrshmëria as që të bëhemi perfeksionist. Por ia vlen të krijojmë një farë standardi saktësie. Kjo përfshin cilësinë e fotove, përshkrimet të sakta, kredite të duhura kur përdorim burime të tjera, një farë estetike tek postimet. Megjithatë, mos harro të jesh vetvetja dhe të mbash ekuilibrin! Më mirë diçka që bëhet me ndonje një defekt, se sa diçka e pa bërë fare.
Pse është e rëndësishme? Mendoj pikë së pari se duke ngritur pak standardin ia nisim duke dhënë më të mirën. Gjithashtu tërheqim njerëzit e duhur, me një sy të stërvitur, me një koncept si yni.
Rregullsia
Kjo do të thotë se prania jote duhet të jetë e rregullt në rrjetë. Sipas tipit, dëshirës dhe stilit që dëshiron të shfaqësh, natyrisht. Le të themi se rrjeti tashmë është rregjur me lloj-lloj njerëzish që reklamojnë dhe përhapin diçka, qoftë ky dhe art, dhe të dallohesh midis tyre nuk është e lehtë. Gjithashtu, të dallosh çfarë të pëlqen mund të jetë sfiduese. Të mbash rregullsi në postime pra të caktosh të postosh diçka çdo javë apo çdo ditë qoftë, është punë më vete, kërkon energji dhe fantazi. Kjo mund të bie ndesh me humorin tonë, me ndodhitë përditshme dhe mbi të gjitha me sensin tonë artistik i cili dëshiron të funksionojë i lirë dhe kështu, me të shkrepur.
Megjithatë, pa e thyer ritmin tënd, pa e fyer ndjeshmërinë që ke, pa mëshuar se tepërmi në ndonjë lloj reklamimi komercial, mund të mbash një lloj ekuilibri. Madje, postimet në rrjet mund të jenë një kohë relaksimi apo moment kur marrim përgjigje nga auditori ynë i vogël apo i madh qoftë. Cakto një ditë kur shfaq punën tënde, skena nga studioja jote, çfarë të frymëzon dhe më rradhë, dhe duku!
Cilësia
Nëse duam të përdorim faqen tonë si një galeri për punën tonë, duhet ta respektojmë. Ashtu sikurse do të kishim një vend ku presim njerëz dhe pavarësisht stilit të jetesës, do të ishte disi tërheqës, i pastër dhe me një farë estetike. Nuk mendoj se suksesi i një faqe vjen vetëm nga kurimi i tepërt, nga ngjyrat e kombinuara e gjëra si këto. Megjithatë, shpesh shoh artistë që po e nënvlerësojnë hapësirën e tyre në rrjet, duke përzier vendin ku ndoshta duhet të shfaqnin denjësisht punën e tyre, me ndonjë foto kot, me lajthitje të momentit. Ndoshta duke dhënë një paraqitje të lëshuar, mbase duke tërhequr vetëm komente të shokëve, që në fakt për punën dhe artin nuk duan t’ia dinë. Cilësia e përmbajtjes vlen, së pari për veten, për respekt të atyre që na ndjekin dhe për mundësitë. Për vete sepse duam të kënaqemi vet në fillim. Nëse hedhin çdo ditë, ose më shpesh, imazhe kot, ku duam të dalim? Edhe të tjerët, pasi nëse jemi përshembull skulptorë, nuk kemi pse hedhim vazhdimisht qofte skare dhe të ankohemi se nuk po na marrin seriozisht. A e dini se mund të ketë njerëz që na vëzhgojnë prej vitesh dhe të shohin rritjen tonë artistike? Pra cilësia e përmbajtjes sonë ka shumë të bëjë në rrjet.
Links
Përdorimi i link-ëve ose lidhjet, është i rëndësishëm! Vendose një në Bio, mund të jetë website yt, ose një kanal youtube. Mund të jetë edhe një artikull ose një account tjetër që dëshirpn të mbështesësh. Rëndësi ka mos ta vësh në postim! 😜 Pse? Sepse është krejt e kotë! Aty links nuk janë aktivë dhe as të kopjueshëm!
Prandaj më mirë sinjalizo në bio ose në story me “ngjitësen përkatëse”. Nuk ka asgjë më acaruese se sa një link që nuk linkon 😂
Hashtags
Edhe nëse duket diçka e mirëqenë, ia vlen të përmendet pasi kush po qaset për herë të parë përdorimit të rrjetit social mund të ngatërroj “@” me “#”. Përdorimi është i ndryshëm. E para “@” përdoret për të etiketuar një përdorues të platformës pra një person apo një filan kompani që përdor rrjetin. Ki kujdes mos ti ngatërrosh se shkon dëm përpjekja. Ndërsa Hashtags janë fjalë kyçe që duhen shtuar për të ndihmuar pak “motorrin” e kërkimit. Krijo një hashtag tëndin, me emrin tënd apo të konceptit tënd. Në diçiturë mund të përdorësh deri në 30. Eksploro vazhdimisht, ndryshoji në çdo postim, kujdes me hashtags që janë “banned” pra të ndaluara. Janë disa fjalëqë nuk kanë ndonjë arsye të qartë pse janë të ndaluara prandaj herë pas here e mira është të bëhet një analizë nëse shohim se Instagrami ynë ka rënë ndjeshëm. Këtu keni një link që vetë përdor për të bërë analizën Hashtag Generator Hashtags kanë edhe një synim tjetër, ato janë një mjet për të bashkuar komunitetin, mendësinë dhe nisma të ndryshme. Mos përtoni, përdorini mirë. Bëni mbase më pak postime por kushtojini vëmendje edhe pak kësaj ane teknike. Nëse keni nevojë për mbështetje më gjeni në Bukurshqip edhe Noa Nur
Bashkëpunimi
Të bashkëpunosh me artistë dhe njerëz të tjerë nuk është gjithmonë e lehtë. Ka shumë faktor që mund të duket vetja vetëm. Mbase duket se asnjë nuk po çmon punën që bën, kjo mund të jetë e vërtetë! Ndoshta je në kontekstin e gabuar? Mbase nuk ke krijuar një komunitet me mendësi të përbashkët? Mbase egoja e tyre, apo e jona po bëhet pengësë? Të bashkëpunosh nuk do të thotë të të pëlqejë gjithçka bëjnë të tjerët, as të biesh dakord me çdo gjë. Do të thotë të bësh veprime të vogla pozitive, të japësh dhe të marrësh energji, të krijosh komunikim, të gjesh njerëz si ty, njerëz prej të cilit mund të mësosh ose mund të mbështetësh dhe të ofrosh edhe ti çka ke për të ndarë. Bashkëpunimi nuk ti ulë vlerat.
Ky artikull pëson përditësim të herëpasherëshëm.
Lexo edhe Etika në rrjet – NDËRLIDHJA
Mos harro se çdo mjet ka qenë i ri dhe u bë i vjetër. Përdori mundësitë që ke me dashuri për pasionin tënd. Të paktën do të kënaqemi ndërsa shijojmë rrugëtimin.
Regjistrohu falas