You are currently viewing Udhëtim në Adn – Krehëri i gjermanit

Udhëtim në Adn – Krehëri i gjermanit

Sa herë mundem, bëj një udhëtim në adn-n time. Nuk bëj asgjësoj analize. Mundohem të pyes gjyshen, Maria, të fundit që më ka mbetur. Së fundmi, kur pyes nuk ka përgjigje. Ajo më duket ka ikur diku më kohë, nuk reagon shumë, përveçse po i shtohen tekat.

Një krehër gjerman

Ndër gjërave të saj, rraqet i quajmë ne, gjetëm një krehër që ishte i ruajtur me kujdes në një këllëf. Krehëri i gjermanit tha ajo. Na kishte treguar shpesh për frikën e luftës, tmerrin që kishte përjetuar. Shpesh akoma e ndikuar nga traumat, nuk pëlqen as gjuhën gjermane. Në kujtimet e saj fëminore, ka uri, frikë, mbijetesë, vjedhje ushqimesh, përçapje, mashtrime të vogla për të sajuar ditën, për të jetuar. Një fëmijëri pa kukulla, pa arsim, ku gëzimi i vetëm ishte vjedhja e lëkurës së patateve. Megjithatë, krehri i gjermanit, ia vuri buzën gaz.

Në një ditë ordinere lufte, trokiti dera dhe ishte një djal që nuk ishte as njëzetë vjeç. Ai djali, të cilin unë e përfytyroj bjond dhe disi engjëllor, ishte armiku. Armiku kishte trokitur derën në dihatje dhe vështirësi, i plagosur, kërkonte ujë. Maria e vogël thërret vëllain, djaloshi i bukur që përfaqësonte të gjithë vuajtjen e tyre, donte ujë. Kishte frikë, tha, prej nesh dhe prej shokëve të tij, mos e shihte njeri. I dhanë ujë, e ndihmuan. Duke u përpjekur të ikte fshehurazi, dhuroi një krehër.

Kujtim të një miqësie pak minutshe e cila mbledh të gjithë kuptimin e jetës. Një shenjë mirënjohje. Për familjen tonë një trofe mirësie. Ndërsa nëna më tregonte historinë, e ndriçuar për pak çaste, urova të ketë mbijetuar dhe ai, të ketë pasur jetë të gjatë, dhe një mbesë si unë.

Një histori e vogël, me siguri asgjë të re, ka mijëra të tilla, lumturisht! Por jam e lumtur që në kujtimet tona, krehëri i gjermanit mbetet kujtim njerëzor, dashurie, jete. Trofeu i vogël i mirësisë!

Lexo edhe Ja kështu me hijeshi

Banner

Leave a Reply