You are currently viewing Spektatori artist

Spektatori artist

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:0 Comments

Duhet ulur pak koka para gjithë bukurisë, veprave dhe kryeveprave të bëra, duhet shkelur ndjesia se nuk je i vetmi, absoluti. Fjala art e cila vjen nga folja latine bëj, është përzier me një shtresë të magjishme ndër shekuj, ndërsa njerëzit ndanë të bënin, të krijonin diçka që nuk i duhej por “dashuronin”, diçka të bukur mbase krejtësisht e panevojshme por kaq e e mirë sa asnjë nuk do të bënte dot më pa të.

Në kërkimin e lodhshëm nëse je vërtetë artist, mbetet një luftë e tmerrshme midis modestisë dhe dëshirës së madhe për të krijuar zgjatimin e zemrës, në ndonjë nga variante të shumta arti. Para gjithë kësaj duhet të mësojmë të jemi së paku spektator të mirë. Të kujdesshëm, kërkues, kritikë por jo negativë. Të fillojmë të shijojmë artin e te tjerëve, të parëve dhe të fundit. Duke hapur sytë, duke hapur shpirtin. Duke mësuar të ulim pak kokën ndaj talentit të tjerëve.

Nëse duam të bëjmë duhet përpara të shohim çfarë është bërë. Të hyjmë në maj të gishtave, pa cenuar, pa prishur përkundrazi shtuar me dashuri, duke gjetur vendin tonë në hapësirat e së bukurës.

Vëzhgimi

Pa mësuar vëzhgimin, mendoj se pak mund të arrihet në jetë. Në çdo fushë. Prandaj me të drejtë në çdo art e zanat është përdorur shpesh shprehja Vjedh. Rasti konkret ishte kur i riu i qëndronte kaq afër mjeshtrit sa të mësonte teknikat, gjestet, sekretet, duke “vjedhur” mjeshtërinë. Pa sforcim, pa ndonjë përpjekje të jashtëzakonshme të mjeshtrit, pa motivime të përditshme, pa nxitje të tepruar. Ishte vet i riu që kishte në dorë të mësonte, ose jo. Të mbetej një ndihmës apo trashëgimtar. Vëzhgimi të çon në një studim të natyrshëm i cili kur bashkohet me talentin krijon, shtohet dhe zhvillohet. Vëzhgimi lejon të krijojmë një shije e jona, një shije të edukuar. Shije që përfqëson cilët jemi, po, e hapur ndaj së resë por gjithnjë koherente me tërësinë tonë.

Artisti duhet të jetë pak spektator

Ndryshe do të kemi piktorë dhe skulptorë që nuk shkelin galeri, muzikantë që nuk dëgjojnë më muzikë. Poetë që nuk duan të lexojnë poezi. Pak nga pak, do të varfërohemi duke ushqyer një ego shterpe. Secili pa e ditur ekzistencën e mrekullisë së tjetrit. Arti të bën vetë artist kur ke guximin ta bësh dhe shpirtin kaq të bukur sa të mahnitesh me atë që gjen rreth teje.

Lexo edhe Arti i spektatorit

Leave a Reply