You are currently viewing Sinqeriteti

Sinqeriteti

Çfarë është? Nuk e di! Ose të paktën nuk e di më . . . Më dukej sikur e kisha të qartë. Por sa më shumë kalon koha më shumë prishet imazhi që kam në mendje për njeriun e sinqertë. Mendoja se të jesh i sinqertë ishte e vetmja mënyrë për të qenë njeri. Nuk është. . . tani e di, shumë e jetojnë të përditshmen e tyre pa qenë të vërtetë. Është gabim të jesh tepër i sinqertë, thonë. Them se po. Nuk është nevoja të shpalosësh gjithmonë veten nga të katërta anët pa kufij. Nuk është mirë të thuash çdo gjë që mendon. Nuk është mirë ti hapesh çdo njeriu që takon.  Më kanë thënë shpesh -Ti je libër i hapur-. Sa budallaqe, mendoja se ishte kompliment! Në fakt ne nuk jemi libra por njerëz. Librin dhe po ta grisësh copa copa nuk ndjen gjë. Ne po! Pastaj këto kohë të fundit librat nuk i do njeri. Të lexojnë disa me interesin më të madh se . . . ku gjejnë rast tjetër për të zhbiruar . . . e pastaj i grisin faqet një nga një. Ose më keq i lëshojnë në erë, ty të mbetet kapaku i gërryer nga duart e yndyrshme të kuriozitetit. Nuk dua me të jem Libër! Jam Njeri. Nuk dua më të jem e sinqertë, por nuk di si të jem ndryshe, mjerisht. Herë pas here ndjej nevojën të jem koherente me mendimet e mia. Të jem e sinqertë me veten mbi të gjitha, kur e bëj, jam e lumtur. Por e gjithë bota mund të jetë kundër meje . . . e ç’vlerë ka një e sinqertë e vetmuar? Herë dua të jem e sinqertë me të tjerët, të jem ajo çka të tjerët kanë nevojë. Ja që zbehem avash-avash, sepse bëhem libër i keq lexuar, i grisur, i njollosur. Faqet e të cilit dikush i ka cenuar dhe nuk ngjiten më. Atëherë i thua vetes: Ia vlen?

Vjen një ditë kur nuk ke më ç’ndan me të tjerët. Çdo fjalë është thënë, të gjitha janë treguar. Të gjitha historitë për të qeshur e për të qarë janë thënë. Vjen një ditë që dinë për ty më shumë se di ti për veten. Ajo ditë vjen dhe sinqeriteti i lodhur çuditërisht të jep forcë për të qenë mirë me veten pavarësisht ç’dukesh, pavarësisht perceptimit të të tjerëve. Vjen një ditë që afrohen ca njerëz që të shohin në sy dhe ti s’flet, por e dinë se kush je. Nuk të shohin si libër por si njeri. Njeri që rritet, ndryshon, përpëlitet nga dhembjet dhe shembet nga të qeshurat. Njeri që nuk ka konture të përcaktuara, nuk ka kapak, nuk ka kompozim, nuk ka rregulla gramatikore. Ata kuptojnë se sinqeriteti yt është si buka që hahet, e mirë, e thjeshtë, e pastër.  Vjen dita kur vetëm pak të shohin në sy dhe pa pyetur, pa ditur shumë, thjesht të duan. E nuk ka nevojë për shpjegime, interpretime. Thjesht kanë besim tek ty.

Mos harro se ti nuk je libër! Je njeri! Nëse dikush do të lexojë që të zbavitet le të shkojë tek Biblioteka Kombëtare ! Mos lejo të fryhen me bëmat e tua, as me fjalët e tua të cilat do tjetërsohen sa mos t’i njohësh më. Nëse të thonë se je libri i hapur, ik! Mos lejo të shohin veç duan! Ruaje vetën për ata që të duan pa të lexuar.

Ndoshta të intereson, shtyp Kurrë Gri

Leave a Reply