Laraskat nuk kanë emër të bukur, ne e përdorim për të sharë. Po ç’është njeriu? Me ç’autoritet përdor me abuzim emrin e një shpendi? Në të kundërt, çuditem që fjala “njeri” nuk është bërë epitet negativë. Njeriu sikur ka bërë ca më shumë të liga se një laraskë…
Laraska e nënvlerësuar fluturon, por jo shumë, ama më tepër se unë! M’i bën mëngjeset e bukura kur e shoh që shkon ca andej-këtej. Bardhë-zi, bishtin më dysh, fluturon lart tek bliri, kush e di sa lartë e ka folenë. Thonë gojëdhënat se është hajdute. Ajo vjedh, merr ç’gjen dhe e çon në fole. Veçanërisht tërhiqet nga e shndritshmja, xixat dhe shkëlqimet. Në folenë e saj mund gjesh copa teneqe, kopsa, kush e di, mbase një gjë të çmuar me të vërtetë! Ajo fole e papërfillshme mund të mbaj thesar! Pra Laraska paska një prirje të jashtëzakonshme, ajo kërkon, gjen dhe çon në fole të bukurën.
Sa do të doja të isha dhe unë aq naive sa të kërkoja veç shkëlqimin përreth e ta çoja në folenë time. Laraska bishtgjatë, mbase gënjehet lehtë, nuk dallon argjendin nga alumini, gurin e çmuar nga xhami, bizhuteritë nga kopsat. As vet nuk e di pse kërkon, gjen e mbledh. Ama, e zënë po më duket mua, mëngjes për mëngjes… Çdo ditë e më shumë. Po më duket mjaft e lumtur dhe mospërfillëse ndaj njerëzve që tallen me të. Ajo në fund të fundit ka punën e vet, dhe zbukuron folenë e saj… Po unë ç’po bëj?
Herë tjetër kur të shajnë laraskë, thuaj faleminderit!
Art by Pandorasbrush
Bello.
Il Compositore G. Rossini, dedicò a questo gradevole volatile una delle sue più belle Sinfonie.
La gazza ladra