Zgjedhja e emrit
Hajdeseflasim është emri i këtij blogu të çuditshëm. Në fillim e quajta Letëflasimsishoqe, isha kaq e pasigurt sa fillova me idenë se do të shkruaja vetëm rreth botës së femrës. Me kalimin e kohës gjërat morën zhvillim tjetër, shpejt atë çka shkruaja lexohej edhe nga meshkujt dhe mosha të ndryshme. Kjo më gëzoi, dhe sigurisht duhet ta nderoja këtë vëmendje.
A nuk është fjala që nis bisedën dhe e mbyll gjithashtu? Që të jep shpresë se ndoshta diçka do bëhet, zhgënjim se ka shumë mundësi që mos të bëhet?
A nuk e thua në telefon? A nuk përsëritet gjithë kohës? Pikërisht, Hajdeseflasim. Në fakt, është një nga fjalët që urreja më shumë. Sidomos kur njerëzit ma thonë për të mbyllur një bisedë, për të mashtruar pak, për të të lënë kështu, pezull. Hajde se flasim, funksionon edhe si përshëndetje e dashur, e përditshme. Kur e dëgjoj më vjen mirë. Më duket sikur jam aty ndër fjalë të tyre, sikur jam aty në mes të shpresave apo zhgënjimeve të tyre. Mbase, uroj të gjejnë pak frymëzim në fjalë të mia, pak ngushëllim, ose pak shoqëri.
Synimi
Synimi i blogut është të krijoj veten çdo ditë ndërsa ndaj me ty pjesë shpirtërore, praktike, poetike. Më tej të të gjej ty! Ty njeri të jashtëzakonshëm dhe të ecim pak bashkë në këtë rrugë.
Dikur mendoja se isha personi më i çuditshëm në planet, por pastaj kuptova se ka shumë njerëz në botë, kështu që duhet të jetë dikush si unë që ndihej i çuditshëm dhe me të meta ashtu si unë. Unë e imagjinoja atë grua dhe mendoja se edhe ajo do të ishte atje jashtë duke menduar për mua. Epo, shpresoj që nëse jeni dhe e lexoni këtë, ju e dini që po, është e vërtetë, unë jam këtu dhe jam po aq e çuditshme sa ju.
Frida Kahlo
Këtë mendoja dhe unë, nëse e mendon edhe ti, je në vendin e duhur! Të uroj mirëseardhjen! Noa Nur (më ndiq në Instagram)
Lexo edhe Kurrë Gri!