You are currently viewing Zhgënjimi – Çfarë është, si kalon?

Zhgënjimi – Çfarë është, si kalon?

Çfarë është?

Është ndjenja kur ti pret diçka dhe nuk del siç doje. Sa e thjeshtë! Është akullorja që bien nga duart e fëmijës, është telefoni që nuk bie më, përgjigja mohuese, shpresa gërryese, është përballja me atë që u bëre dhe nuk ishe, apo ke qenë gjithmonë por nuk e di njeri, pritja se dikush do të kuptonte, rezultati i varfër i sakrificave të njëpasnjëshme që përfundojnë të kota… Vazhdojmë pa mbarim?

Në ka një gjë me të cilën duhet mësohemi shpejt është zhgënjimi.

I duhet pranuar ekzistenca.
Pa rezistencë, duhet pranuar se ne do të zhgënjejmë dhe të tjerët poashtu.

Një herë që pranohet kjo, më pak do të të sheqetësohet shpirti.

Shumë mundim për asgjë

Është e çuditshme sepse priremi të vëmë shumë energji në besim e mirëbesim. Duke ndërtuar një “unë” që dëshiron të mos zhgënjejë asnjë, sidomos ata që duam më shumë. Gjithashtu, më korrektët fuqimisht mundohen të mos zhgënjëjnë as veten. Është e bukur por larg, shumë larg nga njeriu, nga natyra, e cila na mëson faktorin surprizë dhe na pengon sa herë planet tona. Shumë mundim për asgjë.

Zhgënjimi ma merr mendja është një nga ndjesitë më të shëmtuara por meqë është më e shpeshta a nuk duhet të ishim mësuar? Moti na zhgënjen përshembull, ditën kur organizojmë pushimin dhe, me shpresë se meteorologjia të ketë gabuar, na sjell furtunën. Mbetet pa faj. Kështu dhe me veten duhet pranuar se humbasim kontrollin nganjëherë, se nuk arrijmë të bëjmë çdo gjë dhe se ne jemi dhe vet furtuna dhe mund ta pesojnë të tjerët prej nesh.

Helm, kundërhelm

Zhgënjimi është i pashmangshëm. Duhet të mësohemi me të. Edhe vet mendimet tona na zhgënjejnë, madje idetë dhe dëshirat. Mund të zhgënjehemi që kemi qenë kështu apo ashtu. Ashtu sikur një lule e bukur destinohej të çelte si vjet në vazo, por nuk deshi dhe po e bën pushim. Vështirë të dish të gjitha pse-të. Shumë varet nga ne, por jo çdo gjë.

Zhgënjimi nuk është sëmundje që kurohet. Është ajo pjesa e jetës që me kokëfortësi nuk duam të pranojmë, prandaj e vuajmë. Mendësia se duhet të jemi pagabueshëm në gjykim, të përsosur dhe gjithmonë nën kontroll, na pengon të tresim këtë pjesë të hidhur të jetës, që na duhet. Ajo duhet parë si një dozë helmi që mudn të kthehet në ilaç. Zhgënjimi nuk kalon, sikur të jetë grip, do shfaqet gjithmonë dhe shpesh, është ngacmues dhe do të na zgjojë nga përgjumja…

Mbetet të pranojmë zhgënjimin si një mundësi e munguar, por do të kemi sigurisht një shancë të dytë, të tretë…

Melhem duam, helm gjejmë.

Melhem ofrojmë e si për dreq në helm kthehet.

A është nga helmi që vjen melhemi?

Noa Nur – Kurrë Gri

Nëse të pëlqen regjistrohu, kjo do të më bënte të lumtur!

Leave a Reply