Nëse të pëlqen të lexosh dhe të shkruash ky postim është për ty!
Duam s’duam të gjithë duhet të shkruajmë diçka. Një letër, një urim, një mesazh. Të shkruajmë në mënyrë korrekte është bërë një nevojë e domosdoshme. Fenomen pasojë i teknologjisë, mungesës së leximit, të kohës, mbase dhe së dëshirës. Ekziston një dallim midis të shkruarit në mënyrë korrekte dhe të shkruarit me gjallëri, forcë, përmallim, pra me art. Të shkruash “mirë” do të thotë të studiosh, të mendosh mirë, të mendosh shumë, të kesh përvojë në jetë, zgjuarsi dhe fantazi. Shkurt dhe bukur, retorika është arti i të thënit, stilistika është shkenca e stilit. Më pas shtjellon një koncept me të cilin u kënaqa jashtë mase!
Të shkruash mirë, e të flasësh mirë do të thotë mbi të gjitha të mendosh mirë, të mendosh shumë; të kesh studiuar; të kesh përvojë në jetë; aftësi, gjenialitet, ndjenja, fantazi.
Alfredo Panzini, Fjala dhe jeta
Të gjitha këto teorikisht mësohen shumë bukur në shkollat përkatëse. Aty zhvillohet tradita e secili stil dhe zhanër. Alfredo Panzini, na kujton megjithatë, se nga tradita, pra shkrimi tradicional, vjen jo-sinqeriteti i letërsisë së shumtë. Gati tradita e ndan formën nga shprehja, idesë, duke e zvogëluar në diçka pa shpirt, të ftohtë, në një lojë fjalësh. Prandaj retorika dhe stili, duhen parë më së shumti si një mjet dhe jo qëllimi. Çfarë duhet për të zhvilluar shkrimin? (shtoj unë, ky parim vlen për çdo lloj arti)
Shije, gjykim estetik
Së pari duhet të shijojmë një vepër arti. Të kalosh kohë, duke mësuar e soditur Artin në çdo formë të tij. Duhet medoemos, përpara se të nisim të krijojmë vetë të ndërgjegjësohemi, të dimë të shijojmë artin e të parëve dhe bashkëkohor.
Ky studim ndriçon shpirtin e shkrimtarit në të cilin zbulon se ç’gjë delikate, intime, e thellë është në të vërtetë vepra e artit
Alfredo Panzini, Fjala dhe jeta
Së dyti të mësojmë të dallojmë të bukurën nga “dukja”, të dallojmë sinqeritetin nga artificialja, spontanen nga një “shkollë” stili, thjeshtësinë të efektshme, nga pompoziteti, e tepërmja, goditësja, e zhurmshmja.
Së fundmi, duhet zhvilluar në kohë shija e mirë. Ndonëse shijet mund të ndryshojnë, dallimi i së bukurës i flet zemrës. Është në bërthamë të instinktit të parë njerëzor, i cili kërkon të edukohet, në jetë më shumë se sa në kontekst akademik, në çdo profesion.
Një poezi na prek ndienjat më intime, një roman na largon për pak nga realiteti, një pikturë na dhuron emocione, muzika mund të ndikojë ndjeshëm tek ne, të gjitha këto janë pjesë e të shijuarit artin, dhe do të jemi të lumtur që dimë se si.
Krijimi dhe rregullimi
Fjala, mjeti i mrekullueshëm nëpërmjet së cilit komunikojnë shpirtrat, vlen mbi të gjitha në shprehjen e ideve. Për të shkruar mirë, duhet të kesh ide, mendime të vlefshme për t’u shfaqur dhe duhet të jenë të qarta dhe në rregull. Duhet zhvilluar pjellori dhe plotësi mendimesh, kjo mund të ndodh gjatë shkollimit, por besoj është proces i vazhdueshëm. Mendimi, vëzhgimi dhe meditimi janë aktivitetet kyçe, të cilat duan të bashkohen me fantazinë dhe ndjenjat, që të arrijnë në të shprehuri bukur.
Thënë kjo ai që i afrohet shkrimit duhet të jetë në gjendje të ketë aq krijimtari sa të ketë mundësi që mbi njohuritë, bazat dhe shijës së krijuar të “shpikë”. Gjithashtu të dijë, ta ndajë, ta rregullojë me logjikë dhe ta përcjellë në mënyrën më të mirë. Esetë janë një ushtrim i mirë për këtë.
Esetë, vlejnë
Nëse duam të arrijmë të shkruajmë bukur dhe mirë, nuk mund ta bëjmë këtë vetëm se kemi ndienja të mira, ndjesish të veçanta dhe thjesht shumë qejf të bëhemi “shkrimtar”. Esetë, ashtu si ushtrim shkollor, marrja e shënimeve për arsye personale apo pune, mund të jetë një mënyrë e mirë për të mësuar organizimin e fjalëve tona. Nuk mund të pretendojmë të dimë të shkruajmë diçka artistike nëse nuk dimë të lidhim dy fjalë për ndonjë argument praktik.
As Dante nuk shkroi vetëm për atë që deshi.
Alfredo Panzini, Fjala dhe jeta
Shkrimi i eseve, mund të jetë mënyra më e mirë për të përvetësuar reflektimin, detyrimin i sinqeritetit, kërkimin i qartësisë. Nëse na vjen në mendje idea se nuk shkruajmë dot nën detyrim, vërtetë shkrimi mund të mos dalë kryevepër, por do të jetë gjithmonë një ushtrim për mendjen dhe aftësitë tona.
Kur shkruani, zgjidhni një argument të përshtatshëm forcave tuaja: vlerësoni peshën e “shpatullave” tuaja sa mund të mbajnë dhe atë që refuzojnë të mbajnë. Kur do të kuptoni mirë argumentin, fjalët do të vijnë pa asnjë përpjekje.
Oracio, Alfredo Panzini, Fjala dhe jeta
Ekziston një defekt është jo-sinqeriteti. Duhet kërkuar më shumë subjektivitet. Të dëgjojmë veten, jetën tonë. Mos jini arrogantë por as të ndrojtur. Meditimi, sinqeriteti, personaliteti bashkë me kulturën, burim shpirtëror ku do të merrni ide më të qarta e të freskëta.
Tek esetë, rregullimi i ideve i bën të vlefshëme. Nëse asnjë nuk kupton atë që shkruajmë do të ishte një dështim. Sado abstrakt të jetë argumenti shkrimi mbetet mjet komunikimi, i cili dëshiron të deshifrohet.
Cilësia e shkrimit
Dy janë rrugët e Artit, vëzhgimi dhe ndienja. Këto të dyja duan të jenë në ekuilibër. Njëra pa tjetrën nuk bën dot. Cilësi të tjera që duhen vlerësuar në shkrim janë saktësia, qartësia, efektshmëria, lidhja midis fjalës dhe përshtypjen që lë, përdorimi i duhur të fjalëve, vlera e fjalëve. Kujdes të veçantë treguar tek “pastërtia”. Një fjalë e pastër quhet kur: i përket gjuhës kombëtare, njihet gjerësisht, nuk është e shpërfillur nga shkrimtarët cilësor dhe praktikisht kur ndodhet në fjalor. Megjithatë duhet pranuar se gjuha ndër vite pëson një transformim të ngadaltë, sot jo më kaq të ngadaltë. Kështu ka fjalë që nuk përdoren më, madje ndryshojnë disi në kuptim.
- Arkaizëm – Fjalë të vjetruara
- Neoligjizëm – Fjalë ose shprehje që ka hyrë rishtazi në gjuhë për të shënuar një send a një dukuri të re dhe që ende ndihet si e tillë.
- Barbarizëm – Fjalë shprehje e huazuar pa nevojë nga një gjuhë tjetër
- “Provincializëm” – shprehje ose fjalë që i përkasin vetëm një zone. (këtë e shqipërova disi, kërkoj ndjesë)
- “Solecizëm” – gabime të përhapura (këtë e shqipërova disi, kërkoj ndjesë)
Personalisht do të doja të shtoja diçka që mbase në kohën e Panzinit nuk qe parashikuar, është si quhet sot, kontaminimi kulturor dhe rrjedhimisht gjuhësor. Për mua disa fjalë që i përkasin një kulture tjetër, ashtu sikur dhe disa zakone, nuk janë medoemos “barbare”. Nëse duam, i shtojnë një farë erëz gjuhës, kur bëhet me shije dhe duke respektuar në tërësi gjuhën në të cilën po shkruajmë.
Këto janë shënime personale të marra nga libri Fjala dhe jeta, Alfredo Panzini. ky lloj studimi më ndihmon të përmirësoj shkrimin por edhe të merrem me atë që kam më shumë pasion, prandaj po e ndaj edhe me ju.
Lexo edhe Nisja drejt shkrimit artistik
Pingback: Mallkimi i shkrimtarit – Koment | hajdeseflasim