Do të përkëdhelja shumë. Do ta përqafoja shumë. Do ta doja shumë. Po të kisha një bijë, do ta rrisja lehtëshëm, e ndërsa ajo rritej do të rritesha dhe unë. Do t’i mësoja të bëhej pisë me bojëra dhe ngjyra. Do t’i lexoja përralla por pa princa dhe princesha, më mirë mostra dhe përbindësh për të shpëtuar. Do t’i mësoja të bënte pisë fustanet, këpucët, sepse për ta pastruar e rregulluar do ta kishte merak e gjithë bota. Nuk të rregulloja dhomën e saj të rrëmujshme, nuk do të zgjidhja rrobat e saj, nuk do të pyesja për çdo mendim të saj. Më mirë, do të sodisja me kuriozitet se ç’mrekulli mund të jetë të dalë një femër nga një femër.
Po të kisha një bijë do të kujdesesha t’i studioja ëndrrat fshehurazi për t’ia bërë gati të nesërmen pa e ditur ajo. Do t’i thosha të kishte kujdes nga përsosmëria, gjë e rrezikshme shumë. Do t’i mësoja të vuante me dinjitet dhe të qeshte me paturpësi. Do të kujdesesha të isha mbi të gjitha e lumtur vet, të isha e plotë, të isha sikur mos të kisha bijë. Do të vazhdoja rrugën time, nuk do t’i përkushtohesha krejtësisht, sepse ajo do të meritonte një nënë të lumtur dhe asgjë më pak.
Do t’i mësoja të jetonte lehtë, të thoshte jo, të mbante kokën lartë dhe kokën plotë. Do t’i tregoja si të donte veten, të krijonte kufij personale, të vetmet që duhet të ekzistojnë. Të mos shkelte kurrë njerëzit as veten. Të mos kishte frikë nga bukuria, por mos të vriste mendjen se si do të dukej. Sakrificat, do të ishin të heshtura, të padukshme, të pazbulueshme. Do të jetoja me shikimin lartë dhe ta shihja atë me bisht të syrit. Do t’i thosha se të jesh femër nuk ka pse të jetë e vështirë, as e lodhshme, se të jesh femër nuk ka pse të jetë luftë por kryevepër. Do ta bindja se ligësia nuk ka gjini dhe se meshkujt nuk kanë pse të jenë as rival, as armiq.
Do t’i thosha:
Gjej kohën të gëzosh veten në çdo grimcë. Mos dëgjo gënjeshtrat se nuk je e mirë, e bukur, e mjaftueshme që të detyrojnë të shpikësh gënjeshtra të tjera që të ndihesh më e mirë, tepër e bukur dhe më shumë se të tjerët. Gjej kohën të kuptosh veten sepse je personi i vetëm që e ka këtë privilegj. Vazhdo ngadalë, nuk është e vërtetë se koha fluturon, këtë e thonë ata që nuk dinë të fluturojnë. Bëj atë që je e jo atë që dua unë. Bëhu si ty dhe jo si unë. Bëhu ndryshe nga të gjithë apo njësoj si të gjithë të tjerët. Ji e veçantë apo e zakonshme… Pa presion vetëm ji. Pa krahasime, pa kompromise, me atë mendjen tënde të bukur.
Po të kisha bijë, nuk do të isha më e lumtur, as më e mirë. Sepse këtë do t’i kisha mësuar të ishte kaq sa ishte jo më shumë.
Lexo edhe Sikur të isha bijë
Pingback: Doja ta kisha një djal | hajdeseflasim