Kujtoj sa herë mundohesha t’i rregulloja gjërat, duke vënë pikat mbi “i”. Madje duke shtuar pika aty ku nuk duheshin. Duke u përpjekur të përmirësoja veten deri në obsesion e të tjerët po ashtu. Analizë mbi analizë për të kërkuar defekt e në fakt për të gjetur veç mirësi, në fund të fundit. Aq mësohemi me të mirën sikur me të keqen, sa nuk e dallojmë më.
Nuk dua më të vë pikat mbi i, le ti lëmë pa pika. Le ti lëmë i-të në qejf të tyre dhe pikat gjithashtu.
Zbulimi i ëmbëlsisë ishte mbi të gjitha një nevojë e imja, ndihesha e rënduar nga fjalët e forta, pushtuese, nxitja e vrazhdë, shkundjet shpirtërore. Mungesa e një fjale të mirë, një ledhatimi shpirtëtor.
Zbulova se sa e fortë është ëmbëlsia.
Pra, e lashë derën e shpirtit të hapur, fillova të thith ëmbëlsinë e tokës, të qiellit, të kafshëve, të natyrës, të njerëzve, timen. Se isha e ëmbël shumë, dhe nuk e dija. Fillova të rrezatoja e të pasqyroja kë takoja. Pa u vrarë, pa vrarë. Pa u bezdisur, pa bezdisur. Pasqyrimi i dritës thyhet tek prizmat e ndryshme dhe ndahet, shtohet në dritë po aq të bukur. Nëse dua të shoh dritë, duhet ta rrezatoj, duke lënë shpirtin e hapur. Shpirti i hapur tërheq veç ëmbëlsi.
Shoh sa dritë ka rreth meje aty ku nuk kisha parë kurrë. Aty ku nuk e prisja. Tek njerëzit që as vet nuk e dinë se kanë. Pa gërrmuar e mira del vetë…
Ngadalë jeta ndryshon për mirë, jo duke vënë pikat mbi “i”, por duke thënë një fjalë të mirë, një kompliment, një faleminderit. Duke nxjerrë më të mirën nga vetja e çdokënd që takon në rrugën tënde.
Fytyra ndryshon kur jep dritë. Zemra ndryshon, shpirti ndryshon. Drita do të shumëfishohet ndërsa jap e marr.
Po mbledh të gjitha pikat të pavëna mbi “i” dhe po i përzjej si yjet në univers.
Is nice 🙂