You are currently viewing Perspektivë ndryshe për mediokrët

Perspektivë ndryshe për mediokrët

Disa fjalë ngecin të çuditshme në mendjen tonë. Disa me kalimin e kohës zhvillohen dhe ngjyrosen ndryshe ndër shekuj. Mediokër, është një fjalë që në rang intelektual është bërë gati-gati si një sharje zhargoni.

Fjala Mediokritet e cila vetë ka pak zhdyzim personaliteti se gjysmën e ka latine dhe tjetrën greke medius, mes dhe okris, pikë. Kuptimi më i afërt dhe mundësisht fillestar ishte diçka në mes, mesatare, as e mirë as e keqe, e mjaftueshme por jo ekselente. Në fjalorin shqip kuptimi i parë është mjaft i fortë: 1. Aftësi e kufizuar e dikujt; pazotësi, të qenët mediokër. Mediokritet mikroborgjez. (Ende kemi shembuj me mikroborgjez në fjalor, temë tjetër kjo) Pra do të thotë mesatar, por që kur nuk është mirë të jesh i tillë?

Mesatar

Se kur e si ndodhi që u bë kaq problem të jesh mesatar nuk e di, edhe nëse vërtet do të doja ta dija. Të jesh në mes nuk mund të jetë një faj, perveçse rastësi, kur nuk të falet ndonjë talent të shquar apo nuk jemi aq të mrekullueshëm sa do të donim!

Të rrallë janë ata që shquhen, që kanë aftësinë apo talentin në shkallën më të lartë, dhe duhet llogaritur se edhe ata që janë të tillë aq më rrallë zbulohen në kohë apo dalin në sipërfaqe. Kështu, në shumicën e rasteve rrethohemi nga mesatarët, dhe shihemi mbase çdo ditë në pasqyrë!

Epërsia

Dëshira e secilit është për të mirën, dhe një lloj ambice e shëndetshme na çon të ecim drejt përmirësimit. Hap pas hapit me shumë punë dhe kohë do të japë sigurisht frytet. Epërsia e një vepre duket dhe ndihet, ajo nuk ka nevojë të vetshpallet e tillë.

Mediokriteti mund të lindë edhe midis të veçantëve, cilësia humbet kur duam ta shpallim keqas sa andej-këtej. Duke mëshuar se sa mediokër janë të tjerët, na bën të ndihemi në një pozicion epërsie të çastit, i cili ikën shumë shpejt.

Kam takuar disa njerëz të punës dhe të artit, (vlen për çdo fushë) të cilët, në një heshtje madhështore kanë pranuar pozicionin e tyre jo të bujshëm, por çojnë në fund projekte.

Mbase të kërkosh të jesh mbi të tjerët të bën mediokër. Mos vallë duhet pranuar se edhe mesatarët kanë vend në këtë botë? Fundja nuk mund të jemi të gjithë në vend të parë. Aq më tepër që fama dhe suksesi i shkon më shumë mediokrit, pasi zgjidhet nga masa.

“Mediokrët” sipas meje

Mediokrët janë shpesh në kërkim të një vëmendje që nuk i takon. Kanë super fuqi “kudondodhshmërinë”. Ata mundohem të ulin të tjerët që të ngrihen një milimetër lart. Ata edhe punojnë, njësoj me të tjerët, por nuk arrijnë shumë dhe ngecin diku në mes… Mediokrët mund të jenë edhe shumë të mirë në një fushë, por nuk pranojnë dot faktin se nuk janë të vetmit. Vetmjaftohen, vdesin për garë sepse gjejnë mënyra për të fituar. Kanë zotësinë e vet dhe ia kalojnë të talentuarëve në mënyra ende të pazbuluara. Por e shoh që lodhen shumë.

Prandaj, kur ke shumë sukses nuk do të thotë se je më i miri. E kur je më i miri nuk mund ta dish me siguri, se nuk ta thotë njeri. Në qofsh më i miri, mund të jetë gjë e përkohshme, dhe mund të jesh mediokri i së nesërmes.

Tani, këto të miat janë fjalë mbi fjalë por një gjë dua t’ju them, sado e rëndomtë dhe e thjeshtë t’ju duket jeta apo çka po bëni, shijojeni dhe vazhdoni me pasion! Ëndërroni dhe guxoni!

Lexo edhe Fjalët i merr era

Porosite këtu

Leave a Reply