You are currently viewing Një vit pas Kurrë Gri

Një vit pas Kurrë Gri

Libri Kurrë Gri bëri vitin, erdhi në Pranverë, si nuk qe parashikuar, u prit bukur nga mirëdashësit e faqes www.hajdeseflasim.com, edhe kjo papritur. Dashuria me të cilën është përgatitur është e fortë, dhe pas një viti është e gjitha aty akoma. Ndoshta, sepse secili shkrim përmban një gjendje aq të fortë sa dëshiron medoemos të përcillet dhe të udhëtojë. Fjalët duhet të shkojnë aty ku duhet, aty ku priten, aty ku vlejnë. Nuk ka marketing të fortë që ta thyhej këtë energji. Një libër mund ta blesh apo të ta dhurojnë, por shumëçka tjetër duhet që ta ndiesh. Është gërshetimi i shpirtrave që thuret dhe tendoset në këtë planet, një lidhje të pashpjegueshme që vetëm mund të ndihet…

Pyetje dhe përgjigje

Po përgjigjem shkurt pyetjeve që kam hasur gjatë këtij viti:

Pse Kurrë Gri?

Nuk kam gjë kundër ngjyrës së mirëfilltë. E gjitha ka lindur nga poezia e fundit në libër, vargjet më biografike që ndodhen në të.

Disa poezi nuk i kuptoj, m’i shpjegon dot?

Disa poezi nuk duhen kuptuar. Poezia, herë shkruhet që të kuptohet herë shkruhet që të përcjell një gjendje, e cila do të përshtatet në varësi të personit. Nuk do t’i shpjegoj. Di vetëm që poezitë duhen lexuar ngadalë, disa herë, ndër muaj, vite… ato si ne, ndryshojnë dhe marrin kuptim.

Ke ndonjë pishman rreth Kurrë Gri?

Ka gjëra që do më kishte pëlqyer ti bëja më mirë. Por e mira nuk ka fund. Jam e kënaqur me produktin përfundimtar, modest por domethënës.

Do të botosh tjetër?

Unë vazhdoj të shkruaj. Dëshira për të ndarë ekziston. Do të më pëlqente. Ndërkohë po shijoj atë që bëj. Më jep shumë kënaqësi. Të regjistruarit në blog, youtube dhe instagram shtohen dhe ju jam mirënjohëse.

Ndjesitë

Përzierje, si gjithmonë. Pikëpyetjet nëse mund të kisha bërë më mirë dhe pikë çuditëset se ia dola dhe bëra mirë. Ndërkohë përshtypjet vijnë, kritikat, komplimentet, fjalët e mira dhe jo, rritesh. Ky proces i pandalshëm! Fillon bie në paqe me shijen e të tjerëve, me tëndin po ashtu. Pranon faktin se duhet të krijoj, pavarësisht të tjerëve. Pranon se ti je munduar të japësh diçka të bukur, fisnike, pavarësisht nëse të tjerët e vërejnë.

“Kur bën diçka fisnike, të bukur dhe asnjë nuk e vëren, mos u mërzit. Dielli çdo mëngjes jep një spektakël dhe shumica e publikut akoma po fle.” – John Lennon

Përreth krijohet një qarkullim mirësie. Njerëz që zgjedhin të dëgjojnë zërin tënd të brendshëm dhe ta ndërthurin me të tyren. Vetë kam filluar të lexoj libra dhe poezi të shkrimtarëve të rinj, më saktë bashkëkohorë. Nisur nga dëshira për të mbështetur, zbulon “zëra” të bukur të veçantë që kanë diçka për të thënë.

Falenderimet

Vjen koha të falënderosh, njësoj si vjet rishkruaj:

Është koha të falënderosh. Është koha të jesh e ndershme me veten. Falëndero ngjyrat e errëta të shpirtit tënd. Ato skuta rebele, të humbura. Rrugicat qorre të mendimeve të pashpjegueshme. Falëndero ato ngjyra të tua rozë, që ke turp të ndash, por që kokëfortë përhapen pa dashje. Falëndero veten, për herë të parë në jetë. Pa frikë, pa turp, pa modesti. Kujtoja vetës këtë ndjenjë kur do të biesh përsëri në duart egërsisë së mërzitshme të ditëve të njëjta. Kujtoja vetes se mund të krijosh. Falëndero ngjyrat që “je” dhe janë vetëm të tuat. Mos ki frikë të dukesh egoiste, do ta mendojnë gjithsesi. Falëndero humorin sepse arrijn të qeshesh fortë kur gjithçka është kundër teje. Dje, i bëre vetes një dhuratë, plotësove ëndrrën e asaj vajze të thjeshtë dhe shumë të ndërlikuar. Kujtoja vetes se nuk je asgjë më shumë sot, sepse as dje nuk ishe më pak. 

Dedikuar

E dedikova atyre që nuk më njohin, atyre që më kanë marrë një vështrim në rrugë, atyre që u kam buzëqeshur pa e ditur se kishin nevojë për të.
Libri Kurrë Gri, i dedikohet njerëzve që nuk meritojnë asgjë, të padukshmëve, atyre që janë vete-ndërtuar, të tej-ndjeshmeve, të harruarve, atyre që nuk u është dedikuar kurrë asgjë

Lexo edhe Kurrë Gri

Leave a Reply