Korça më ka pritur gjithmonë si mos më keq. Me borë. Unë, borën, të ftohtin, ngricën, i kam frikë. Korça sikur ta dinte është hakmarrë me mua sa herë shkoj, duke më pritur me acar. Është hakmarrë, sepse sa herë shkoj shkruaj gjëra kundër dëborës, duke e sharë pak…
Qyteti i Korçës është kaq i lavdëruar sa më është dukur e tepërt ta komentoja. Vetë vendasit nuk përtojnë të tregojnë me hollësi të gjitha të mirat e këtij qytetit.
Më lejoni të them se kjo Shqipëri e vogël ka një ndjesi për secilin qytet, në Korçë unë ndjej ngadalësi. Çdo gjë rregullohet sipas ritmit së ndezjes dhe fikjes së zjarrit. Ngadalë piqen tavat, zien çaj, thahen rrobat. Jashtë koha ngrin, brenda avullon, rezultati i njëjtë, çdo gjë ngadalësohet.
Nervozohem pak, se i kam nervat tel nga jeta e kryeqytetit Kjo është autokritikë… Lëvizim, reagojmë, ecim shpejt, nuk kemi kohë. Prandaj Korça sa herë që shkoj më dërgon të ftohtin më të acartë, që të ngrij pak e të kap ritmin e saj.
Atje gjej diçka që më magjeps, në pjesën qendrore të saj janë ndërtesat dhe banesat, më së shumti të epokës 1900, do të doja të kishte informacione të detajuara për secila prej tyre, besoj se do ti çmonim më shumë. Për shembull, shtëpia e rumunëve siç e quajnë, një ndërtesë e veçantë, nishan mbi faqe të qytetit.
Ndërsa ecën sheh dhe shtëpitë e vjetra, ato që nuk janë aq të famshme. Ato heshtin ka ca kohë, dhe bien të lodhura, sy-rrëzuara. Copë-copë bien dhe tullat, suvatë antike. Bojërat të shqitura zbulojnë shijen e paraardhësve. Bien era dru të kalbur dhe lulet nuk dinë të çelin më as në pranverë jo më tani… prapë jam e sigurt se vetëm një tregim i pasaktë, një thashetheme plakash do të japë përsëri lavdi, dritë, ngjyrë, sikur edhe për një çast të fundit… Duke çelur portat përsëri, duke çelur historitë të ndërlikuara dashurie, ndarje, ikje, rini, projekte madhështorë, frika e luftëra, premtime dhe miqësi, të cilat si shi rrëshqitën në kalldrëm, përgjithmonë.
Nuk mendoj të jetë si Parisi, mendoj se mund të mjaftojë duke qenë Korçë
Lexo edhe Hajdeseflasim për Shkodren
Pingback: Tiranën e marr hua e bëj timen | hajdeseflasim
Tregimi dhe trajtim shumë të prekshmre che bukur.