You are currently viewing Udhëtim fotografik – Freskorja

Udhëtim fotografik – Freskorja

Më pëlqen ta imagjinoj stërgjyshen në verandë ulur me shoqet, e përkëdhelur nga flladi bregtedar. Më pëlqen ta imagjinoj ndërsa valëvit freskoren me pak tangërllëk. Freskorja u ble në 1928-ën. Nuk i dihet nëse ishte dhuratë martese apo një blerje personale. Di veç se freskorja ka freskuar 4 breza. Ajo ka një pamje të qeshur. . . kontrastet e ngjyrave mendoj se kanë ndikuar tek shijet e mia. E shihja tërë lakmi kur isha e vogël, gjyshja ma fshihte me xhelozi. Derisa vjet gjyshja dhe mami ma dorëzuan. U bëra roje e kujtimit të gjyshes. Një kujtim i lehtë, si ajri që e valëvit. Një kujtim i freskët.

Sendet e saj u ruajtën me shumë kujdes. Gjyshja kur ma dhuroi freskoren sikur më la stafetën e një ëndrre vajzash. Sikur më dha leje të bëhem dhe unë zonjë. Tani freskohem unë në behar, në verandë, buzëdetit.

Është e bukur, e lehtë . . . si nuk qe ndoshta jeta e saj. Por unë e imagjinoj atje . . . verandave të Mesdheut, me qesëndi pas freskores së gjelbërt.

Leave a Reply