You are currently viewing Shtator

Shtator

Shtatori erdhi, pa kuptuar. Nuk e di as vet pse kam nisur këtë kalendar të çuditshëm. Mbase ende inercia e vogëlisë për të dëshmuar në ndonjë mënyrë jetën, kështu që të duket sikur ka kuptim.

Kur e hedh në letër apo tani, në këtë dreq gjë digjitale, ke përshtypjen se jeton pak më thellë, diçka mbetet. Sikur ia vlen.

Ky kalendar vetjak më duket se dëshiron të mposht kalendaret që më jane imponuar. Fillimet, mbarimet, urimet, afatet, parashikimet, vonesat.

Jo, po pse mos të krijoj ciklet e mia e ti vërtis ndryshe kohët? E pse mos ta nis vitin kur jam gati vet? E pse të ndaj këto muaj ca të gjate e ca të shkurtër? Pse ti numëroj një herë?

Gjithë këto lloj-soj matjesh që shtrëngojnë kot. Jetës i duhet kohë pushimi e lulëzimi kaq. Ne turravrap aman të dukemi të zënë se ashtu merrkemi vlerë…

Ç’është ky format i përcaktuar?

Kështu erdhi Shtatori im, me ditët e verës tërhequr zvarrë, me dritë, plot pyetje si gjithmonë pa përgjigje.

Dhe jo, për mua nuk filloi viti as nuk mbaroi. As nuk pres dimër. Jetoj me cikle të tjera të lidhura me kaosin universal. Vetrregullimi im i pabindur.