Një i ri pa entuziazëm është si një plak pa përvojë – Carl Zuckmayer
Kur isha shumë e vogël, në Itali, shkruhej kjo thënie mbi një qepen të ndryshkur. Citimi spikaste në mes shkarravinash vandalizmi dhe tentativa arti urban, qëndronte aty pa autorësi. Shumë vonë kam zbuluar fal internetit, se thënia ishte e një shkrimtarit, pedagog e të gjitha tituj përkatës… mua s’më duheshin. Mua ajo thënie, të cilën e kam parë çdo ditë për vite me rradhë më ka formuar. Nganjëherë mendoja se kush nga të rinjtë e lagjes mund ta kishte shkruar, apo ndonjë i droguar që vërtitej natën. Thënia ishte gjithçka kisha nevojë. Që nga ajo ditë entuziazmin e rrita nga pak… me shpresë që të mos mbetem një ditë pa përvojë.
Mbi mure
Mbi mure, gjejmë shpesh lloj vandalizmash, fjalë të rëndomta dhe vizatime aspak të këndshme. Gjithashtu gjen edhe shpërthime arti, thënie, mendime revolte, sikur edhe shprehje dashurie. Aty shumë shpesh gjejmë fytyrën e vërtet të shoqërisë sonë, në të mirë dhe në të keq, pasqyrimin e rinisë. Ndodh të rrudhosim hundën e ti quajmë vandalë. Në të vërtetë janë analistët tanë, janë ata që jashtë konturëve po tregohen të vërtetë, mbase të papëlqyeshëm dhe pa të drejtë, por të vërtetë. Brumosja ime urbane, ka ndikuar të shoh muralet e bëra fshehurazi nga të rinjtë me bojëra-spray me magjepsje. Në disa zona të qytetit, muri të tregon rritjen e të rinjve, gjendjen emocionale, problemet dhe zgjidhjet. Dhe, pse jo prirjen artistike për të shprehur veten. Mbase një klasë njerëzish preferon muret e bardha, dhe unë, nuk do të doja të shihja monumente dhe arkitektura të ndotura, por një herë që bëhen ia vlen të marrim kohë për “ti lexuar”. Mund të zbulojmë më shumë duke pyetur pak veten pse? Ose, në fakt, ç’na duhet, më mirë të kemi mure të pastra pa asnjë lloj bezdie?! Shkarravinat janë simptoma, të shoqërisë sonë, që ia vlen vetëm të fshihen e të zbardhën periodikisht, apo jo? Ashtu sikur nuk pyet njeri pse na dhemb koka, por vazhdojmë të mbytemi me ilaçe.
Carl Zuckmayer
Mençuria urbane, të fsheh mbase autorin pa dashje, rrëmben thënie dhe midis bojërash dhe shenja abstrakte, i bën më të afërta njeriut. Imponohet në murin pas pallatit, në një nënkalim apo lagje të frikshme. Aty njeriu zhvillon mbijetesën dhe bëhen filozof të mirëfilltë. Nëse do ta kisha lexuar këtë thënie diku në ndonjë libër, nuk do ta kisha çmuar, nuk do ta kisha përtypur, nuk do ta kisha mësuar përmendësh. Si e re, ajo ishte gjuha ime. Për mua nuk kishte fare problem kush e kishte shkruar, nëse do të shishja mend ndërsa e citoja. Carl Zuckmayer na paska qenë një shkrimtar dhe dramaturg gjerman, me një karrierë të shkëlqyer, dhe ja që, mua nuk mund të më interesonte më pak. Sado i nderuar dhe i respektuar, në subkonshin tim preferoja që ato fjalë të kishte shkruar një djalë lagje, tani që e di them ku gjen një vandal kaq intelektual?
Sekreti është të dallosh shkarravinën nga thirrja, të dallosh se jo çdo gjë është shkarravinë, të dallosh se arti shpesh vjen nga fundi, se ka më shumë filozofi në rrugët me baltë, se ka më shumë art pa shkelur galeritë intelektualësh.
Lexo edhe Si artistët
Pingback: Largim – Frika dhe zgjidhja | hajdeseflasim | Noa Nur