Pavarësisht tipit, në i ndrojtur apo ekstrovers, i mbyllur apo çapkën të gjithë meritojmë të na respektohet hapësira personale.
Çfarë është?
Teorikisht është distanca fizike që krijohet midis një individi dhe të tjerëve. Ndahet në katër pjesë intime, e afërt, sociale, publike. Intime është e jona dhe ndoshta ajo që ndahet me partnerin. E dyta është afërsia që lejojmë pjestarëve të familjes dhe një rrethi të ngushtë miqësor. Sociale është distanca e përgjithshme me njerëz të panjohur, publike shkon për tej dhe është shumë e largët. Sigurisht, ndonëse disa japin distanca të sakta në centimetra për këtë, kjo varet më shumë nga çdo njeri dhe vend.
Hapësira personale është besoj dhe diçka jo fizike, vendi ku individi zhvillon idetë, personalitetin, ndjesitë, dhe gjithçka i përket unit, dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Hapësira jote
Je ti. Ti me gjithçka je, mendon, dëshiron, beson, kupton, ndryshon, krijon. Ne nuk jemi mikroba të destinuar qëndrojmë në grup. Ne krijojmë një grup, familje, rreth shoqeror me vetëdije të plotë duke përzgjedhur. Sado të mirë të jenë ata që na rrethojnë ne kemi nevojë për “hapësirën” pra për një kohë dhe vend për veten tonë. Për të zhvilluar, medituar, pushuar e marr energji. Kjo ndryshon njeri me njeri, por nuk do të thotë të jesh asocial vetëm se ke nevojë për më shumë kohë për veten. Gjithashtu, duhet mbrojtur.
Në një komunitet ku vetmia shihet vetëm si diçka negative, njerëzit që kalojnë kohë me veten shihen me dyshim. Mendojnë se për të qenë të kënaqur duhet të jemi gjithë kohës me njerëz. Prandaj i veshin këto me epitete si: i çuditshëm, tip i mbyllur, snob, mendjemadh, joshoqëror… Aq më tepër ka njerëz që kalojnë cakun duke insistuar për të ditur, hyrë në hollësira personale pa asnjë lloj të drejte. Pyetjet tepër personale në ambientin tonë bëhen pa të keq por zhvillohen tepër herët kur akoma nuk njihesh mirë. Të afërmit ndihen rehat të gjykojnë dhe të “këshillojnë” rreth të gjitha problematikave.
Mbrojtja
Kjo sjellje mund të të lodh. Detyra për të mbrojtur hapësirën personale është vetëm e jona. Vetëm ne mund të vendosim se kush është intim, i afërt dhe i largët. Gjithashtu vetëm ne mund të lejojmë dikë të ndikojë apo jo në jetën tonë!
Nuk jemi të detyruar të përgjigjemi çdo pyetje, edhe nëse janë të afërt. Nuk kemi pse të japim llogari për çka bëjmë në jetën tonë. Ka njerëz që merren me ne sepse nuk kanë një jetë të tyre. Sa më shumë “material” i japim nuk po i ndihmojmë të zhvillojnë vetë hapësiren e tyre. Hapësira jote është e shenjtë, mbroje! Ke nevojë të rrish vetëm? Rri! Nuk do të përgjigjesh për diçka? Kam mësuar të jem e qetë dhe të them me lezet: nuk dua të flas për këtë tani. Dikush që kritikon jetën tënde kështu falas? Ndrysho bisedë dhe pyet për jetën e tyre! Dëshira për të na qëndruar pranë trasformohet në të qëndruar ngjitur dhe kjo nuk është normale, mbroje veten tënde!
Mos u ndjej në faj
Mos, të lutem! Jeta jote, paqja jote është shumë e rëndësishme! Nëse të tjerët akoma nuk kanë mësuar e kuptuar se secili prej nesh ka një masë të ndryshme së hapësirës personale, nuk ke pse ndihesh keq. Jo gjithmonë ata që na duan dinë çfarë kemi nevojë. Ata që të duan do ta kuptojnë. Edhe nëse duket e pamundur në ambientin tonë ia vlen të provojmë. Njerëzit kudo, ndryshojnë, rriten, nëse ne kemi fituar vetëdije më përpara për këtë nuk kemi pse ndihemi në faj, përkundrazi.
Asnjë nuk habitet që vendosen perdet, kufij ndarës, mure të jashtëm. Asnjë nuk habitet që shtëpia ka një derë. Pse duhet të habitemi vallë të ketë dhe “njeriu” kufij, mure mbrojtëse dhe dyer? Pse duhet të habitemi ashtu sikur një shtëpi ka nevojë të ajroset pse bënka çudi të marrim kohë për të pastruar mendjen në vetmi? Shpirti është një shtëpi.
Na mësojnë shumë shpejt në vogëli kufijt gjeografikë. Mësojmë të hidhemi në sulm për shumëçka. Por shumë vonë mësojmë të kuptojmë hapësirën personale qoftë kjo fizike dhe mendore. Lejojmë shumë shpesh të shkelet kufiri. Nëse ka një kufij që duhet ruajtur me xhelozi është ai personal. Është pjesë e esences sonë si njerëz dhe kemi mundësi të mbetemi sa më autentik. Është pikërisht përzierja e pa qartë e këtyre kufijve që sjell vështirësi. Ku personi nuk ndihet pronar i vetes, dhe të gjitha rolet janë lëmsh.
Kufiri te thana – po na shkulin thanat se. Prandaj, mbill ca thana, rriti mirë. E mos lejo të bëhet paçavure në vendin tënd!
Lexo edhe Pranim