You are currently viewing Citat

Citat

rrjetet sociale ka vite tashmë që gëlojnë citatet e shumta. Janë citate nga shkrimtarë, personazhe, filozofë, mendimtarë. Një trend që baraspeshon materialin meme interneti, për t’i dhënë pak pushim cektësisë. Besoj se ky pasion për citate ka ndihmuar shumë për shpërndarjen e thënieve frymëzuese dhe të mendimeve me vlerë. Kultura në qindarka, vlerë që mbahet nëpër xhepa dhe të vjen për mbarë ta shpërndash. Citatet në internet janë shumë të zakonshme. Të shoqëruara nga një imazh apo zbukurim grafik, ruhen në kujtesë, në telefon dhe dërgohen lehtë.

Qindarkat e dijes

Mbase turp është të thuash por nuk kisha lexuar asnjë libër të Coelho-s, kohë pas kohe kisha grumbulluar citate të ndryshme të cilat ishin mjaft të pëlqyera. Rrjetet sociale, si instagram , facebook dhe pinterest sidomos ky i fundit kanë një ndikim imazhi shumë të fortë. Shih sot e shih nesër, këto thënie më bënë të lexoja prej këtij autori. Pra këto thënie të shkëputura më çuan të zbuloja një autor që kisha anashkaluar. Paçka Coelho nuk u bë autori im preferuar, kuptova se thëniet janë një mënyrë e mirë për të shpërndarë dije, kulturë, dhe ndjenja të mira. Ato mund të krijojnë pak zhgënjim sepse ka disa shkrimtarë që bëhen të famshëm prej tyre, shesin shumë, por jo medoemos kanë ndonjë përmbajtje të jashtëzakonshme! Gjithsesi ato afrojnë librin, dijen, mendimin edhe njerëzve që zakonisht nuk kanë kohë të lexojnë apo nuk e kanë zakon. Mua, më kanë afruar me personazhe apo autorë të rinj, prandaj mbetem një kërkuese e vëmendshme e citateve me vlerë.

Qindarkat e egos

Citatet kanë një anë të erret. Nëpër status në rrjet më ndodh shpesh tek sa shoh fjali të njohura, të mençura, të bukura me autorësinë qartësisht të prerë, të fshehur. Nuk e di nga se vjen. Mos vallë ia duan fjalën por kanë ndonjë antipati me autorin? Apo ajo prerje dëshiron të nxis dyshimin që mund ta kenë shkruar vetë? Ja që habitem, sepse herët a vonë zbulohet që e ka thënë Sokrati. Kur lëshohen thëniet, ato të duhurat, sidomos pa autorësinë, korrim ato reagime virtuale, këmbim valutor kaq i rëndësishëm së fundmi për egon. Kur shesim thëniet për tonat, mund të mbledhim qindarka reagimesh, likes dhe njerëz më injorantë se ne që na përgëzojnë për mendjen. A vlen më shumë egoja se të jesh ti?

Qindarkat e injorancës

Pasaktësia është një armike tjetër. Të bësh copy-paste me sa duket qenka art më vete. Tepër shpesh shohim thënie plot gabime ortografike dhe gramatikore, të cilat ligjerojnë mospërdorimin e ç-së dhe së ë-së. Një mori gabimesh që janë pak më shumë se një lapsus të çastit, pothuajse një vendim për të mos kushtuar vemendje gjuhës së bukur. Akoma, shohim një thënie me Ajnshtain por mbase nuk ka fare lidhje me të. Njerëzit që merren me këto, e din mirë se cili emër bën bujë, dhe i ngatërrojnë pak gjërat herë me dashje uroj më shpesh pa dashje. Kjo sjell që këto qindarka kulture të pakta që qarkullojnë të shtojnë në të kundërtën injorancën. Po, sepse një thënie e bukur ka nevojë të ketë kontekst që të jetë vërtet e vlefshme. Këto qindarka kulture, të bëjnë dhe pak përtac. Ta mbushin për momentin atë nevojë për dije, dhe madje kur i shpërndajmë na duket vetja si bamirës që lëshojmë monedhat ndonjë lypësi. Në të vërtetë, kemi nevojë për me shumë. Kemi nevojë të dimë, të ngacmohet interesi për dijen, mendimin, artin ndjenjat.

Cito me kulturë!

Citatet që shpërndajmë janë me siguri diçka pozitive por le ta bëjmë me kulturë. Informohu për autorësinë, jo vetëm për një fakt etik dhe ligjor, por për hir të dijes tënde! Nëse ia heq autorësinë, figurën më të keqe po e bën ti. Thëniet e bukura bëhen shpejt virale, dhe zbulohet se ti nuk je “Sokrati”. Nëse të pëlqen vërtetë zhbiro më shumë, zbulo librin, autorin, kur dhe pse është thënë. Truri ka nevojë për pak palester gjithashtu!

  • Informohu për autorësinë
  • Mos ia hiq autorësinë
  • Shijo kontekstin

Dashuria për fjalën

Sa e dua fjalën e shkruar. Sa i dua fjalët. Sa e dua mendimin që kullon drejtpërdrejtë nga shpirti. Ngatërrime, trazime apo arsye të pakundershtueshme. Gjithçka del dhe me guxim vjen në jetë në shkrim. Është mahnitëse se si shkrimi të lejon të shohësh brendinë e shpirtit njerëzor kur përplaset në shkëmbinj dëshpërimi apo në majat xixelluese të ekstazës. Ata që shkruajnë kanë mallkimin të përcjellin makthet e jetës dhe bëhen bekim për tjetrin kur përçartin ekstaz. Nuk është veç talent, lojë e mprehtë sintaksash dhe aftësi rimash. Është guxim! Guxim të vihet në lojë mendimi, ndienjat, arsyeja dhe marrëzia. Ata të përfqësojnë ty që fshihesh pas një citimi. Mos ia fshih emrin!

Lexo edhe Arti dhe artisti

Banner

This Post Has 2 Comments

    1. Noa

      Më vjen mirë dhe mendimi yt vlen shumë për mua 🍃

Leave a Reply