You are currently viewing Unë jam revolucion

Unë jam revolucion

Endem nëpër rrugicat e humbura të qytetit. Dritaret mbyllen të turpshme. Eci me hap, vëzhgoj, hapi më merr me vete. Cepat e rrugicës janë të mbushura me plehra… dhe nga ato plehrat, e çuditshme…

city people art street
Photo by Takeshi Arai on Pexels.com

Gërmadhë. Rrënojë. Filloj si e goditur nga vetë furia ime, të ndërtoj diçka. Një karrige e vjetër, këmbë tavoline. Dollap, korniza e një pikture, tenxhere. Gjeta një kuti, gjeta një kolltuk të shqyer, tela, tulla, tjegulla, një piano. Pianoja e cunguar, më qesh me dhëmbët e thyer. E tërheq sa kam forcë, nxjerr për çudi një tingull t’ashpër, dhe më qesh pa dhëmbë si plakat e pashpresa të këtij qyteti. Ato të leckosura, qeshin . . . një dhemb po e një jo, ironike tërheqin zvarrë këmbët e tyre të rënduara ndërsa lëshojnë herë britmë herë rënkim, herë britmë, herë grahmë. Më shumë djerrsitem më shumë forcohem. Po lodhem ndërsa shtoj kapicë sendet e humbura nga të tjerët por të gjetura nga unë. E kënaqem. Dikush ka hedhur një dërrasë, unë gjeta një shtyllë. Dikush hodhi një piano, unë gjeta një mbrojtje. E kush hodhi leckat e regjura në shi, unë gjeta jastëk të butë. Midis kësaj përpëlitjeje gjeniale, unë krijova barrikadë! Barrikada ime është kryevepra e shpirtit tim. Është një ide, jo rastësore. Është një ndërtim, jo një lajthitje. Është monument:

Forcën time e gjeta midis brishtësisë, lodhjes,  vuajtjeve të mia.  Rrëmova sa rrëmova gjeta ndonjë gjë. Jam tani pas barrikadës sime, e cila më bëhet kullë dhe shtëpi. Më bëhet strehë dhe bazë lufte. E shkartisur midis ideve të mia, fshihem e druajtur pas pianos së vjetër. Nuk ka më asnjë zhurmë në qytet. U fik, ngadalë ngadalë… Deri më dje pazari i rrëmbyer, shitësit ambulantë, lypësit, zonjat e rënda dhe plakat gumëzhinin, tani  nuk i shifkam më. Fjalë, shumë fjalë, për shumë kohë.

Tani, nuk ka më asgjë përveç frymës sime… e shpeshtuar nga emocioni. Zelli im u kurorëzua më në fund me ngritjen e këtij muri. Ndjenjat e mia janë ngjeshur mirë mbi çdo shtresë.  Jam vetëm versus botës, dhe bashkë me të gjithë botën.

Jam afër shpirtrave rebelë, shpirtrave pa ëndrra. Jam me ata  që për ndonjë arsye kanë mbetur pa arsye. Jam me ata që nuk kuptojnë asgjë, me fëmijët që rrinë pezull në mes të mëhallës. Mendimet e mia i bëra shtresë barrikade. Nga plehrat, dobësitë, frikat dhe mendimet më të humbura, ndërtova barrikadë. Barrikadë me dhembjet e mia.

Jam në gjendje të mjeruar? Ndoshta, por nga mjerimi del fisnikëria. Jam e mbaruar? Mbase, por a nuk është e vërtetë se nga vuajtja lind shpresa më e ëmbël? Jam e pa vlerë!? Pra asgjë nuk jam por jam plot.

This Post Has One Comment

  1. Geraldo

    Je plot dhe me fjalet e tua sjell freski me emocione te rilindura!😊🤗

Leave a Reply