You are currently viewing Nuk e mësoi kurrë biçikletën

Nuk e mësoi kurrë biçikletën

Nespulla çeli frutat e saj të lëngshme, mblodhi një dorë, u ul tek shkallët e shtëpisë që gëzonin hijen e pemës bujare. E veshur sa më hollë siç i ka hije pranverës së jetës, ndërhynte era në cepat të mbuluara me kujdes. Bërthamë pas bërthame të hedhur në oborr, ato llogarisnin kohën e pritjes

Kërcitën rrotat e biçikletës, kërceu pupthi duke hedhur tej bërthamën e fundit të nespullës, vrap drejt portës. Biçikleta shkëlqente, shkëlqente dhe ajo gjithë dëshirë për ta mësuar, ai premtonte se do t’ia mësonte.

Ajo, ulej tek hekuri, dukej vendi më i rehatshëm në botë, dhe që atje në atë pozicion strategjik i shpalosej para një botë lulesh pranverore ndërsa pas mbështeste kokën në gjoksin e dashur, aty shijohej një degë përjetësie. Mjekra e tij fundosej në flokët e gjata e të pakrehura, i merrte erë, e puthte fshehurazi. Ajo kishte privilegjin ta shihte, ndërsa atij i duhej të shihte rrugën, ajo e kthente kokën pa turp t’i shihte qafen dhe këmishën e zbërthyer që lëshonte aromë, aromë djali të mirë. Ajo midis frymëmarrjes së tij dhe erës përplasëse, atij i shpeshtohej frymëmarrja dhe nuk dihej e kishte nga rruga apo prej saj. Edhe nëse zgjidheshin rrugët më të vështira, nuk ekzistonte frikë, mendja ishte tek vendet të gjelbërta. . .

Nga biçikleta e tij, shiheshin rrugët ndryshe, vajza çapkëne mori vendimin mos ta mësonte kurrë. Thjeshtë kështu, që të mos lëshonte kurrë vendin e saj.

– Aman moj, mësoje! – përqeshte ai …

– Ndryshe shihen rrugët kur biçikletës i jep ti – u përgjigj ajo.

This Post Has 2 Comments

  1. Jorida

    Fantastike

    1. Noa

      Shumë faleminderit!

Leave a Reply