You are currently viewing Çantë grash apo grua çantash?
Çanta Hajdeseflasim

Çantë grash apo grua çantash?

Po sikur ti ndanim thjesht fare gratë ne dy kategori? Gra që mbajnë gjithmonë çantë e të tjera që nuk mbajnë kurrë.

Tani, komentet e mia nuk janë ndonjë studim psikologjik, është veç një ide e imja. Ide që kam krijuar rastësishëm duke vëzhguar rreth meje dhe sinqerisht edhe vetën! Mund të jetë e gabuar . . . por mbase  jo. 🙂

Ja që gratë “pa çantë” më japin përshtypjen si gra të forta, të cilat nuk kanë nevojë për 100 “budallëqe” të kota. Janë shpesh pragmatike, praktike dhe punëtore. Vijnë vërdallë të sigurta me teknologjinë më të fundit. A ju kujtohen celularët e tmerrshëm në qafë? Praktikë ndoshta, por tmerrësisht të shëmtuar! Lumturisht ajo modë kaloi shpejt! Nejse gratë pa çantë nuk kanë nevojë për shumë. Përveç të domosdoshmes, minimales. . . asgjë. Disa (lum ato) ndihen mjaft të bukura sa nuk ndjejnë fare nevojën  të rregullohen gjatë ditës. Inteligjenca i mjafton, dhe mendojnë se nuk kanë nevojë për asgjë tjetër. Ose ose. . . ndihen kaq të pasigurta sa fshihen pas një shijeje mashkullore dhe të fortë. Nëse për ndonjë arsye absurde do të kishin një çantë, me siguri do të ishte një çantë njëngjyrëshe! Një çantë e trishtueshme, neutrale, e mërzitshme por më cilësi të lartë. E madhe, e rehatshme mbase me xhepa. Për to çanta është një mjet. Po brenda? Edhe gjen ndonjë gjë, minimumin dhe super të organizuar. Çantë zyre? Do të gjesh shkresa. Çantë pazari? Do të gjesh portofolin dhe perimet. Çantë e vogël për shëtitje? Nuk bëhet fjalë. . . dhe nëse e marrin e harrojnë në makinë. Në fund nuk dihet nëse këto gra janë kaq të mbushura në vetvete, me suksesin e tyre, tmerrësisht të sigurta sa vërtet nuk kanë nevojë për asgjë. . . Ose janë bosh, pa ngjyrë, të shkretuara. Mbase duan thjesht të ndihen të lira.

“Gratë me çantë” ndryshe nuk bëjnë dot pa të. Nuk mund të dalin absolutisht kurrë pa çantë, për asnjë arsye. Duket se pasiguria e tyre është kaq e theksuar sa nuk ndihen kurrë të plotësuara, të mjaftueshme. Nuk mund të ndihen vetëm. Çanta  vlen si urë për botën e jashtme por edhe si kufi. Gratë me çantë literalisht nuk dinë të ecin pa to. Janë të varura ose në simbiozë të çuditshme me çantën e tyre. Budallallëk ndoshta . . . mendjelehtësi, jo më kot bëhen shpesh pre e talljeve nga burrat. Pasiguria, mbase, i çon të marrin me vete pasqyrën e vogël për t’u kontrolluar herë pas here, buzëkuqin dhe çdo gjë tjetër për të qenë gjithmonë në rregull. Është edhe dëshira për të qenë në lartësi e duhur në çdo rast. Për të qenë në rregull dhe e pëlqyeshme. Gruaja me çantë duhet të përkufizohet medoemos si gruaja “me çanta”, sepse ka shumë! Një për çdo rast, stile veshjeje . . . dhe për disa për çdo gjendje shpirtërore! Çanta duhet të jetë e bukur, me stil, cilësore dhe plot! Çanta duhet të vihet re por dhe të jetë plotësim i tërë figurës femërore. Çanta duhet ta përfaqësojë. Po brenda? Mund të gjesh çdo gjë. Bllok e laps, portofol, kuletë tualeti plot e përplot me produkte. Mund të gjesh ilaçe të ndryshme, fije dhe gjilpëre, krehër, shami letre, shami letre të lagura, parfum, karamele . . . dhe kush e di tjetër! Midis pasigurisë dhe pak çmenduri . . . besoj se fshihet një botë e tërë! Një botë shumëngjyrëshe në evoluim pikërisht si çantat. Do thosha se Gruaja me çantë është paksa e çuditshme, por të hyn në punë si shoqe. Nëse e takon rrugës dhe ke dhimbje koke me siguri ka ilaçin e duhur. Nëse rastësisht del një takim i papritur . . . ajo mund të improvizojë një makijazh dhe kapje flokësh në pak minuta. (Njoh dikë që mbante një bigudinë gjigante gjithmonë me vete!)

Tani nuk dua të analizoj shumë as ti hyj të thellave. Nuk dua të jem kategorike . . . por di që ka ca gra që pa çantë nuk rrinë dot. Në fakt dhe unë s’rri dot. Është kaq e lezetshme të kesh me vete botën tënde të vogël. Po ti, ke çanta grash apo je grua çantash?

Arikull i ngjashëm Ja kështu me hijeshi

Follow on Instagram

Leave a Reply