Akademia e artëve të bukura, sa herë kam dëgjuar këtë shprehje, më ka bërë përshtypje dhe qeshja mos është vallë ndonjë shkollë për artin e shëmtuar? Kjo shprehje përkufizon format e ndryshme të artit me qëllim krejtësisht estetik. Një vepër arti që të quhet e tillë, duhet të përmbushë disa parametra teknike dhe cilësie, natyrisht pa mposhtur krijimtarinë vetjake.
Artet që përfshihen janë shtatë: Arkitektura, muzika, piktura, skulptura, poezia, kërcimi, recitimi. Dallimi bëhet i qartë kur krahasohet me zbukurimin e sendeve të përdorimit praktik, pra Arti utilitar apo Arti komercial. Megjithatë, meqë arti zhvillohet dhe rritet me kohën dhe njeriun kjo shprehje po bëhet gjithnjë më e vështirë të përkufizohet.
Bukur dhe shëmtuar
Klasicizmi në art i jep udhë konceptit të bukurisë universale dhe ideale, shprehur me anë të një lloj rregullsie, harmonie, ekuilibër. Vepra me cilësi të tilla në çdo zhanër artistik janë bërë si shembull dhe etalon. Sa herë kam mundur, e jam gjendur përballë një vepre të tillë, kam kuptuar se një bukuri e tillë është e pa kundërshtueshme, si të thuash, edhe nëse nuk të pëlqen, prapë të pëlqen. Ta ul kokën cilësia, përkushtimi, forca dhe dashuria që është dashur për ta kryer.
E megjithatë, kam frikë për diçka. Mos vallë një standard ul një tjetër? Pyes veten mos vallë parametrat janë të ndikuara vetëm nga një grup, epokë apo kulturë? Kam parë evropianë të shtrembërojnë turinjtë para kryeveprave aziatike thjesht se nuk i kuptonin, -si shumë të ngarkuara-, thonin. Mos vallë e bukura qenka privilegj i një grupi, kombi apo kontinenti?
Art i shëmtuar
Po, ka dhe art krejtësisht të shëmtuar. Pa bërë ndonjë kritikë të ashpër që nuk më takon mua, mendoj se arti sot është po aq i bukur apo i shëmtuar sa jemi ne. Është një pasqyrë. Portretizon çfarë jemi dhe si jemi.
Ajo që më shqetëson është diktimi i së bukurës, se si një grup njerëzish mund të quajnë art një banane me ngjitëse në mur apo të shitet një emër me një pikturë boshe? Mua, gjithashtu, më shqetësonte kur isha e vogël, e quanin vandalë të rinjtë që bënin murales shumëngjyrësh, sepse e dija se do të vinte dita se do të ishte një zhanër i ri, ashtu si erdhi.
Arti, mirë do ishte, të ishte veç lule e bukuri, muzikë të qetë dhe poezi dashurie, por nuk ka se si të jetë ashtu, kur shpirti po na lodhet. Nuk ka se si tëjetë zbukurim, do jetë dhe revoltë, dhe ankesë, luftë, dëshpërim. Arti, mbetet e vetmja gjuhë me të cilën mund të flasim lirisht, pas së cilës mund të fshihemi apo me të cilën të shfaqemi të vërtetë, tmerrësisht të bukur dhe ëmbëlsisht të shëmtuar.
Lexo edhe Si artistët
Noa, keni krijuar nje artikull qe kisha kohe we e kerkoja por nuk dija ku ta gjeja. Shkruar ne menyre te thjeshte dhe te kuptueshme ate cka realiteti eshte dhe e shtjelluar shume paster.
Arti eshte unik per cdo individ, tmerresisht e bukur dhe embelsish e shemtuar.” Keto dy kombinime me pelqyen jashte mase.
Faleminderit qe e ndave me ne ideologjine tende rreth artit, besoj cdo kush nga ne i mendon pak a shume keshtu si ju.
Falenderoj qe more kohe per ta lexuar dhe me vjen mire qe të pëlqeu!