You are currently viewing Fjalori im

Fjalori im

Mua më duhet të krijoj një fjalë. Një fjalë që do të shkonte sa herë më mbarojnë, sa herë nuk di ç’të them. E kuptueshme? Jo, jo më mirë të ishte veç për mua. Më duhet dhe një fjalë për këtë ndjenjë që nuk di të përshkruaj dhe as nuk kam guxuar të shpjegoj. Mbase duhen më shumë se një. A thua të sajoj një fjalor të tërë, se mua fjalët që di nuk më dalin?

A nuk duhet një fjalë ta kem për vete të përshkruaj shpirtin? E gatuar me të gjithë esencën time dhe të ishte vetëm për mua. Një fjalë që të ishte garancia e versioneve të mia, të gjitha.

silver round analog watch on brown wooden table
Photo by cottonbro on Pexels.com

Po një për ne të dy? Se nuk ka fjalë për të thënë çka jemi “ne”. Nuk e kanë shpikur akoma, çudi! Do ta marr unë përsipër!

Me sa duket, duhet një fjalor i tërë! Duhet të zëvendësoj gjithashtu shumë fjalë që nuk dua, nuk i dua dhe pikë! Përderisa shpikësi jam unë, jo nuk do të pyes njeri!

Unë dua të krijoj një fjalë dashurie që të rrokulliset e vetme mbi trup, të kërcej mendje me mendje, të pluskojë e lirë pa kufij. Të jetë një fjalë që thuhet pa turp dhe pa frikë. Të ndihet dhe pa e thënë!

Kam frikë të mbetem pa fjalë, se mos më ato braktisin. Prandaj më duhet medoemos të shpik të tjera për siguri.

Shihe vëllimin tim fjalësh, sa do të habitesh, me kopertinë lulesh e gjelbërim. Fjalët që nuk do të rrenditen rendomtë sipas alfabetit, por sipas rëndësisë! Po, ato dalin nga rreshtat si milingona dhe ecin ëmbël në trupin tim. Ato hyjnë në vesh, shëtisin ndër flokë, ecin ëmbël mbi mua. Pasi të më kenë ledhatuar rikhehen në vëllimin dhe aty përzihen të frymëzuara.

Lexo edhe Unë jam Revolucion

Banner

Leave a Reply